Znj. Zamira Gjini mban pozicionin e drejtorit të përgjithshëm për zhvillimin e arsimit dhe sportit në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
Me një eksperiencë mbi 30 vjeçare në arsim, znj. Gjini ka drejtuar dhe drejton reforma të rëndësishme në sistemin arsimor që lidhen me edukimin gjithëpërfshirës, sigurimin e cilësisë në arsim, zhvillimin profesional të mësuesve apo transformimi digjital në arsim.
Me një formim akademik në Shkencat Natyrore / Fizike dhe studime të thelluara në Shkencat e Edukimit, Znj. Gjini është një zë i fortë në zbatimin e programeve dhe projekteve të zhvillimit në fushën e arsimit dhe sportit, në bashkëpunim me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, si dhe me shoqërinë civile.
Znj. Gjini ka kontribuar dhe vijon të kontribuojë në përafrimin e direktivave të Bashkimit Europian me politikat në fushën e arsimit dhe sportit duke qenë dhe kontribuese në hartimin e progresraporteve, prezantimeve, takimeve të grupeve të punës në fushën e arsimit, në kuadër të procesit të Integrimit të Shqipërisë në BE.
Si anëtare e Bordit Drejtues të PISA/OECD, anëtare e Bordit Drejtues të Observatorit për Mësimin e Historisë në Europë (OHTE) në Këshillin e Europës, anëtare e Bordit Drejtues të TALIS (Teaching and Learning International Survey) apo komiteteve kombëtare dhe ndërkombëtare, përcjell prioritetet dhe vizionin e arsimit në Shqipëri.
Ajo Drejton dhe është anëtare në disa Komitete Kombëtare në zbatimin e Strategjive për Barazi Gjinore, Integrimi i Romëve dhe Egjiptianëve, Integrimi i Fëmijëve me AK, mbështetja psiko-sociale në shkolla, Edukimit për Qytetari Demokratike në Këshillin e Europës, Edukimit për parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit në shkolla, Edukimit për parandalimin e bullizmit dhe dhunës në shkolla, Edukimit për parandalimin e drogës, politikave të pakicave kombëtare, etj.
Ka një përvojë të shtuar si trajnere në fushën e “Edukimit ndërkulturor dhe të drejtat e njeriut në shkollë”, “Edukimi qytetar demokratik në Shqipëri”, “Edukimin për paqe dhe zgjidhjen e konflikteve”, “Metoda të mësimdhënies”, etj.