- Kryetarja e AIDSSH, Dr. Gentiana Sula : Institucionet tona rol kyç në luftën kundër ekstremizmit dhe ndërtimin e një kulture përpalljeje me të shkuarën
Tirane, 3-5 Tetor -Në fokus ishin diskutimet rreth çështjeve që lidhen me procesin e menaxhimit e shqyrtimit të dosjeve të ish-policive sekrete, si një proces i pashmangshëm pas rënies së diktaturave në Evropën Qendrore dhe Lindore, shkëmbimi i eksperiencave, përballimi i sfidave profesionale si dhe bashkëpunimi për një narrativë të përbashkët evropiane.
Dr. Gentiana Sula, Kryetare e AIDSSH-së tha se institucionet e këtij rrjeti luajnë një rol kyç në luftën kundër ekstremizmit dhe në ndërtimin e një kulture përpalljeje me të shkuarën : "Ky është një moment kritik, kur vlerat evropiane dhe euroatlantike të demokracisë, lirisë dhe të drejtave të njeriut përballen me sfida të mëdha. Përherë e më shumë bindem që kjo punë që bëjmë ne është shumë e nevojshme për shoqërinë, është shumë e nevojshme të lidhemi me njëri tjetrin. Do doja që kjo lëvizje të shtohej. Do doja shumë që Kroacia, Maqedonia, Kosova të kishin të njëjtat lëvizje, të njëjta institucione
Vetëm duke punuar së bashku, duke ndërtuar partneritete dhe përkushtuar burimet tona, mund t’i japim drejtësi të vërtetë viktimave dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Përkon kjo mbledhje me përvjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit, një ngjarje historike që i hapi rrugë ndryshimeve për liri dhe të drejta njerëzore në vendet tona. Kjo na kujton se sa e brishtë mund të jetë demokracia dhe se sa shumë kemi për të mësuar nga e kaluara. Në këtë kontekst, dua të mirëpres në mënyrë të veçantë anëtarin më të ri të këtij rrjeti – Ukrainën.
Besoj se aq përpjekje sa harxhon një diktaturë, ose aq përpjekje sa harxhohen për luftën, sikur një fraksion e tyre të harxhohej për paqen dhe për të drejtat e njeriut, dhe për projekte reflektuese si këto tonat, bota do të ishte më e mirë”.
Znj. Klotilda Bushka, kryetare e Komisionit të Ligjeve dhe të Drejtave të Njeriut në përshëndetjen e saj: ”Këshilli i Evropës ka miratuar së fundmi Rezolutën për të Drejtën e Informimit dhe Sigurimit të Aksesit në Dokumentet historike, e cila shton detyrimin e shteteve, për të garantuar Akses në këto dokumente sekrete me angazhimin dhe interesin për të zbatuar standardet më të mira të të drejtave të njeriut në këtë çështje. Ky dokument është shumë i rëndësishëm dhe ka shërbyer si bazë për rinovimin e standardeve të përdorura nga Këshilli i Europës, që kanë të bëjnë me të drejtën e qytetarëve për të marrë informacion të saktë, të verifikuar që i shërben të vërtetës dhe ndihmon së pari në njohjen e realitetit përmes fakteve të pashtrembëruara që ndihmojnë familjet të nderojnë njerëzit e tyre, si dhe t’i shërbejë historisë sonë në mënyrë që shkeljet e të drejtave të njeriut të mos përsëriten. Unë jam e nderuar të jem sot mes jush duke vlerësuar se të gjitha Autoritetet e Kujtesës janë të rëndësishme, jo vetëm që e vërteta të jetë në dritë njësoj për të gjithë e bazuar në fakte, me qëllim që brezat të njihen me të dhe ti jepet mundësia komuniteteve të mos përsëriten gabimet e të shkuarës, por në të njëjtën kohë për të nderuar viktimat dhe për të qenë pranë familjarëve të viktimave dhe për ti thënë që nuk harrohen,. Nuk harrohen jo vetëm për hir të vuajtjeve të tyre por dhe për të ndihmuar që në të ardhmen ngjarje të tilla mos të përsëriten.”
Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, tha se se: “Është e rëndësishme për mbarë-shoqërinë që të shërohet dhe të kuptojë të shkuarën dhe mekanizmat e funksionimit të atij sistemi por dhe të krijojmë kulturën e kujtesës dhe përballjes me të shkuarën brenda shoqërive tona. Nga përvoja personale mund të them se na u desh shumë kohë për të tejkaluar turpin, për të folur hapur për atë pjesë të historisë së Gjermanisë, që është pjesë e vendit tonë. Përballja me ato kohë, është themeli i shtetit gjerman. Njerëzit duhet të kuptojnë mekanizmat a tyre sistemeve, sepse shtypjen nuk e krijoi një sistem abstrakt, por njerëzit. Duam të kuptojnë si funksiononte ajo kohë. Duam ta mbajmë gjallë atë kohë. Ajo është vetëm histori për të rinjtë, ndërsa për ne ka qenë formë jetese. Kjo ndikon për të kuptuar rëndësinë e demokracisë që kemi sot.”
Sofi Noti, Sekretare e Përgjithshme e AIDSSH, theksoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave në procesin e hapjes së dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, duke ndjekur modele nga Polonia dhe Gjermania, si dhe nga vende si Bullgaria dhe Hungaria. Në përgjithësi, shkëmbimi i përvojave dhe mbështetje për kujtesën historike janë thelbësore për të gjitha vendet në këtë proces. Më tej ajo u ndaj në procesin e digjitalizimit dhe kontrollin e cilësisë.
Svitlana Starovoit, Arkiva Shtetërore e Institutit të Kujtesës Kombëtare :Lufta është bërë pjesë e përditshmërisë. Arkiva e Ukrainës, e krijuar në 2016, përballet me probleme financiare dhe logjistike. Dokumentet janë të aksesueshme për publikun, por qytetarët kanë nevojë për orientim. Ekspozitat që krahasojnë persekutimet e kaluar me ato aktuale ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës historike, duke treguar se historia përsëritet. Ukraina po përballet me rrezikun e totalitarizmit dhe po punon për digjitalizimin e dokumenteve për të lehtësuar aksesin ne dokumente.
Alexandra Titze, Arkiva e Dokumenteve të Stasit : Puna dhe misioni i “Autoritetit gjerman është i njëjtë pak a shumë me institucionin tuaj. Sigurisht që kemi arkivuar dhe mbledhur dosje me qëllim njohjen e historisë. Qytetari gjerman ka akses në këto dokumente qoftë për studim apo dhe për të njohur të shkuarën. Këto dosje kanë shërbyer po ashtu dhe si një formë këshillimi për familjarët. Për t’i qëndruar pranë duke ofruar mbështetje psikologjike, punë kërkimore, edukim dhe promovim për këto dosje.”
Boris Mihaylov, Komisioni Bullgar (COMDOS/CDDAABCSSISBNA) tha se: “Bullgaria përballet me probleme të ngjashme me Shqipërinë, duke përfshirë një klasë politike të trashëguar nga ish-komunistët. Ekstremizmi dhe partitë ekstreme janë në rritje, me individë të lidhur me ish-shërbimet sekrete në pozita kyçe. Edhe pse arkivat janë të hapura për publikun, shoqëria e pranon normalitetin e pranisë së ish-bashkëpunëtorëve në politikë. Një ligj i ri kërkon raportimin e agjentëve në raste specifike.”
Jerguš Sivoš , Instituti i Kujtesës Kombëtare: Sllovakia ka zhvilluar një arkiv online që lejon përdoruesit të gjejnë informacion mbi ish-sigurimin dhe elitat politike. Dy biblioteka speciale ofrojnë literaturë mbi ish-sigurimin dhe marksizmin-leninizmin. Dokumentet digjitalizuara janë të aksesueshme për shkarkim dhe ka një sistem për ndjekjen e kërkesave, i cili është i hapur vetëm për punonjësit.
Gergő Bendegúz Cseh, Arkivat Historike të Shërbimeve (ABTL)
Hungaria ka krijuar një platformë për kërkuesit, me një projekt pilot që pritet të funksionojë vitin e ardhshëm. Ajo do të përfshijë garanci per sigurinë e dokumenteve tw ish-sigurimit dhe do të ofrojë informacion të detajuar.
Marzena Kruk, IPN : Një libër i ri mbi Operacionin e Deportimeve në Poloni nxjerr në pah paralele me veprimet e ushtrisë ruse në Ukrainë. Rrjeti sugjeron publikimin e një libri të përbashkët me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve dhe inkurajon ekspozimin e arkivave në konferencat e ardhshme.
Anton Dukagjini, Drejtori i Arkivit, AIDSSH : “Sfidat për mbledhjen e arkivit kanë qenë të shumta, duke përfshirë edhe faktin se janë asgjësuar dokumente gjatë viteve të fundit të regjimit dhe vështirësitë në deklasifikimin e materialeve të klasifikuara. Mirëpo, me ndryshimet ligjore të vitit 2022, u krijuan mundësi më të lehta për trajtimin e këtyre dokumenteve, duke ndihmuar në përshpejtimin e procesit të deklasifikimit. Digjitalizimi i dokumentacionit arkivor është një tjetër sfidë, që po përmirësohet përmes përdorimit të teknologjive moderne. Kjo do të mundësojë që informacioni të jetë më i lehtë për t'u aksesuar dhe analizuar, duke ndihmuar kështu në identifikimin e ngjarjeve dhe fenomeneve të rëndësishme historike.”
Prof. asoc. dr. Gjon Boriçi nga Instituti i Historisë – Akademia e Shkencave të Shqipërisë foli mbi “Rolin i dokumenteve Ish-Sigurimit të Shtetit në rindërtimin e të kaluarës historike totalitare të Shqipërisë”.
Prof. Dr. Aljula Jubani, Drejtoreshë e Institutit për Studime Evropiane në Universitetin e Tiranës analizoi “Procesin e kthimit të dosjeve të policisë sekrete në materiale edukative. një qasje në të cilën AIDSSH po përparon në drejtim të edukimit të brezave të rinj me ngjarje të së kaluarës sonë komuniste përmes organizimit dhe ngritjes së Platformës “Mësojmë nga e kaluara- burime të hapura arsimore 1994-1991”.
Pas hartimit të draft-Rezolutës përfundimtare e konferencës pritet miratimi nga rrjeti dhe me pas do të bëhet publike, ku do të vendosen hapat e ardhshëm të bashkëpunimit ndërkombëtar si dhe piketat për projektet e ardhshme të rrjetit, duke përfshirë zhvillimin e një platforme të përbashkët digjitale dhe zbatimin e strategjive të reja për edukimin dhe informimin publik. Pas vizitës në Arkivën e Dokumenteve të Ish-Sigurimit të shtetit dhe prezantimin e softuerit të arkivës digjitale u mbyll edhe Konferenca e 16 e Rrjetit.
Tematika e Konferencës së 16-të të Rrjetit Evropian të Arkivave të Ish-Policive Sekrete, ishte “Vizion i përbashkët – aksione sinergjike” ku morën pjesë dhe përfaqësuesit e Autoriteteve Përgjegjëse nga Gjermania, Bullgaria, Republika Çeke, Sllovakia, Polonia, Rumania dhe Hungaria, të cilët folën mbi sfidat dhe përpjekjet e vendeve në rajon për të përballuar të kaluarën dhe për të siguruar transparencë në proceset e tyre