Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit u krijua në frymën e Rezolutës 1481 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”, (2006), Rezolutës nr.11 “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri” (2006) dhe Rezolutës “Për dënimin e krimeve te komunizmit ndaj klerit, si dhe mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e klerikëve në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të drejtave dhe lirive themelore të njeriut” (2016). të Kuvendit të Shqipërisë.
Sot, 80 vjet nga fillimi i Luftës së Dytë Botërore, 75 vjet nga çlirimi i vendit dhe 30 vjet pas rënies së komunizmit, AIDSSH e zhvillon veprimtarinë e vet në respekt të vlerave europiane e properëndimore, “me vetëdije për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen… me vendosmërinë për… një shtet të së drejtës, demokratik e social,… me frymën e tolerancës… për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror…“, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
AIDSSH e ka mbështetur veprimtarinë e tij dhe vijimësinë e projekteve të ndërmarra në parimet e rëndësishme të kujtesës, duke e vënë kujtesën historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e shoqërive.