Nga e kaluara në përkujtim – Simpozium për Kufijtë e Diktatures në vitet 1944-1991

Thirrje për prezantime për Simpoziumin:

Nga e kaluara në përkujtim – Simpozium për Kufijtë e Diktatures në vitet 1944-1991

simpozium

 

Mbrojtja e kufijve konsiderohej nga regjimi komunist po aq e domosdoshme sa shtypja e çdo forme të opozitës së brendshme që rrezikonte pushtetin komunist. Prandaj Forcat e Kufirit kanë pasur një rëndësi të jashtëzakonshme për ruajtjen e pushtetit nga kanosjet nga jashtë si dhe brenda vendit përgjatë gjithë regjimit komunist.

Forcat e Kufirit ishin të ngarkuara me parandalimin e arratisjeve të shtetasve shqiptarë jashtë vendit (vepër për të cilën ekzekutoheshin) dhe të bllokonin çdo hyrje të shqiptarëve apo të huajve nga jashtë (në këtë rast emigrantët e paligjshëm rrezikonin gjithashtu dënimin me vdekje pasi konsideroheshin “diversantë”).

Duke filluar nga viti 1949, pjesa më e madhe e shqiptarëve të vrarë nga Forcat e Kufirit në zonat Korçë, Ersekë dhe Pogradec, kanë ndodhur për arsye se përpiqeshin të kalonin kufijtë e vendit.

Njësitë e Forcave të Kufirit përbëheshin kryesisht nga të rinj shqiptarë të rekrutuar nga shërbimi ushatarak i detyruar, i cili gjatë periudhës komuniste zgjaste për tre vjet. Duke pasur parasysh funksionin e tyre, këta të rinj zgjidheshin nga familjet më besnikë ndaj partisë. Në aktivitetin e kontrollit përgjatë kufijve përfshiheshin edhe banorë nga popullsia lokale, të cilët indoktrinoheshin në mënyrë periodike dhe ishin të vetmit civilë që kishin leje për të mbajtur armë në shtëpi, kryesisht trofe të Luftës së Dytë Botërore. Për këtë arsye edhe gjatë proçesit të “shpopullimit” që filloi në vitin 1945, qeveria e kohës u kujdes që të largonte nga zonat kufitare të gjitha familjet që konsideroheshin më pak besnike ndaj regjimit dhe urdhëroi transferimin e tyre në vende larg kufijve.

Ndërkohë që bota kishtë vendosur rregulla për mbrojtjen e personave që kalonin kufijtë e vendeve të tyre jo legalisht, nëpërmjet Konventës së Gjenevës për Statusin e Refugjatëve, e cila u miratua në 28 korrik 1951 dhe hyri në fuqi më 22 prill 1954, në shqipëri vijonin ekzekutimet dhe arrestimet ndaj shtetasve të cilët përpiqeshin të kalonin kufijtë e vendit.

Pranë arkivit të AIDSSH-së ruhet dhe administrohet një larmi e madhe dokumentesh arkivore, të cilat përmbajnë dhe trajtojnë informacione e të dhëna rreth personave që ja kanë dalë të shpëtojnë nga regjimi komunist, personave që u është privuar liria e lëvizjes dhe atyre që janë ekzekutuar në tentativë për të kaluar kufirin në zonat Korçë, Ersekë dhe Pogradec. Këto dokumente konsistojnë në regjistra, statistika dhe informata, relacione dhe raporte mbi personat që tentuan të kalonin kufirin në këto zona.

Nga studimi i deritanishëm i dokumentave arkivore të mësipërme, për periudhën 1944-1991, rezultojnë 619 persona që ja kanë dalë të kalojnë kufirin; 55 persona që janë arrestuar në tentativë për të kaluar kufirin dhe 16 persona që janë ekzekutuar në kufi.

Në kuadër të kësaj teme AIDSSH ka realizuar konferenca shkencore dhe  ekspozime të shumë inventareve që i përkasin periudhës 1944-1991, ku një pjesë e tyre janë ekspozuar për qytetarët dhe studiuesit gjatë aktivitetit Ekzpozita e Dokumentave Arkivore” e zhvilluar në datë 8 Maj në ambientet e Autoritetit, gjatë të cilit morën pjesë të ftuar nga rrethet e studiuesve, historianëve, medias, nga shoqatat e ish të persekutuarve dhe përndjekurve politikë. Ky aktivitet shërbeu edhe si një pikënisje për zhvillimin e këtij Simpoziumi.

Autoriteti është në proçes të mbledhjes së dëshmive gojore të personave që janë arratisur me sukses nga Shqipëria komuniste, si dhe dëshmi të familjarëve të personave të vrarë në kufi, gjatë tentativës për të kaluar kufirin në zonat Korçë, Ersekë dhe Pogradec për realizimin e të cilave Autoriteti ka miratuar një pyetësor.

Për të diskutuar arratisjet, vrasjet në kufi, dëshmitë gojore, punën kërkimore mbi “kufijtë e Shqipërisë komuniste”, si dhe në nderim të gjithë personave që janë vrarë e arrestuar në zonat kufitare Korçë, Ersekë, Pogradec,

Me mikpritjen e Bashkisë Pogradec,

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit

në bashkëpunim me

Shoqatën Antikomuniste të Ish-të Përndjekurve Politik Demokrate të Shqipërisë

Bashkitë Korçë, Ersekë, Pogradec;

Departamentin e Historisë (FHF);

Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit,

Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, në Shkup,

Institutin e Studimeve Historike “Lumo Skëndo”

Institutin e Integrimit dhe Ish-të Përndjekurve Politikë

dhe

 ICMP-në

 

Ju ftojnë të paraqisni propozimet për prezantime rreth këtyre çështjeve:

 

1.      Arsyet dhe shkaqet e arratisjes së shqiptarëve gjatë viteve 1944-1990;

2.      Profile të personave që ja kanë dalë të arratisen dhe atyre që janë ndaluar ose vrarë në kufi në zonat Korçë, Ersekë, Pogradec;

3.      Evidentimi i shtigjeve të zonave kufitare dhe kufijtë si mjet kontrolli politik e social;

4.      Statistika të të ndaluarve, të vrarëve në kufi dhe personave që ja kanë dalë të arratisen në zonat Korçë, Ersekë, Pogradec;

5.      Studim i kuadrit ligjor të kohës për menaxhimin e kufirit dhe regjimin ndërshtetëror;

6.      Reagimi i shtetit komunist shqiptar ndaj personave që ja dolën të arratisen si dhe të afërmve të tyre;

7.      Vështrim krahasimor i masave të marra ndaj të arratisurve dhe familjarëve të tyre përpara dhe gjatë regjimit komunist;

8.      Përkujtimi i martirëve të lirisë;

9.      Drejtësia ndaj viktimave të arratisjes nga kufijtë;

10.  Kujtesa dhe dëshmitë e të arratisurve.

 

Propozimi duhet të jetë në formë abstrakti jo më shumë se 300 fjalë dhe të dërgohet deri më 31 Korrik 2024, në adresën elektronike: info@autoritetidosjeve.gov.al

Pjesëmarrësit do të njoftohen për përzgjedhjen jo më vonë se më 9 Gusht 2024.

 

Konferenca do të zhvillohet më datë 27-28 Gusht 2024, në Pogradec.

(Në varësi të aplikimeve, pjesëmarrjeve etj, mund të shtrihet në 1 ose 2 ditë)

         Këshilli Shkencor:

Dr. Ornela Arapi (AIDSSH)

Dr. Brunilda Çërraga (AIDSSH)

Dr. Edlir Orhani (AIDSSH)

Prof. Asoc. Dr. Enriketa Pandeljemoni (Papa) (Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë)

Dr. Armanda Hysa (Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit)