Kryetare

Gentiana Sula është kryetare e Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit që prej themelimit të tij në vitin 2017. Ajo ka shërbyer si Zëvendësministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR) nga tetori i vitit 2013 deri në shkurt 2016. Si eksperte e njohur për zhvillimin e sistemeve arsimore dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fëmijëve, ajo ka marrë pjesë aktive në Lëvizjen Studentore të viteve ’90 për demokraci.
 
Gjatë mandatit të saj në MMSR, Gentiana ka kontribuar në reformat e arsimit dhe punësimit, duke synuar përmirësimin e lidhjeve mes arsimit dhe tregut të punës, organizimin e zejeve dhe nxitjen e punësimit për grupet e paavantazhuara. Një tjetër fushë e rëndësishme ishte Drejtësia Tranzicionale, ku ajo promovoi politika për rehabilitimin moral dhe financiar të ish-burgosurve politikë, duke krijuar kushte për transparencën e krimeve të diktaturës, përfshirë të zhdukurit.
 
Gentiana përfaqëson Shqipërinë në Rrjetin Europian të Kujtesës dhe Solidaritetit. Ajo ka punuar gjithashtu për një kohë të gjatë në Bankën Botërore dhe UNICEF, ku ka zhvilluar programe për mbrojtjen dhe integrimin e fëmijëve të privuar nga kujdesi prindëror dhe ka kontribuar në reforma arsimore në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Uzbekistan, Gjeorgji dhe vende në konflikt si Jemeni.
 
Gentiana Sula mban titullin Doktore e Shkencave nga Fakulteti i Shkencave Sociale në Tiranë dhe ka përfunduar studimet e thelluara në biologji, si dhe ka fituar një master në Administrim Biznesi. Ajo është vlerësuar me "Mirënjohjen e Artë" nga Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra, "Çmimin e Mirënjohjes" nga Universiteti Europian i Tiranës, si dhe "Çmimin e Mirënjohjes" nga Shoqata Atdhetare Çamëria.
 
Rreth historisë së saj familjare, znj. Sula shprehet kështu:
"Motivimi im në përballjen me të shkuarën është i lidhur ngushtë me ngjarje tragjike të familjes sime. Gjyshi im, Sulejman Mara, përjetoi zhvendosje të detyruar, burgosje dhe vdekje në burg në moshën 44 vjeç, ndërsa trupi i tij ende nuk është gjetur. Kjo ka thelluar ndjeshmërinë time ndaj mungesës së mbrojtjes së të drejtave njerëzore dhe ndarjes së popullatës sipas linjave politiko-ideologjike, një situatë që vazhdon edhe sot.
 
Përvoja ime në arenën ndërkombëtare, duke punuar me organizata si UNICEF dhe Banka Botërore, më ka ndihmuar të kuptoj thelbësoren e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe nevojën për integrimin e shoqërisë. Historia e familjes sime është një përpjekje permanente për të kontribuar në një të ardhme më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë."