LIGJ
Nr. 45/2015
PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT PËR DOKUMENTET E ISH-SIGURIMIT TË SHTETIT TË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË
(Ndryshuar me ligjin nr. 72/2022, datë 20.10.2022; Ndryshuar me ligjin nr. 114/2020, datë 29.7.2020)
(I përditësuar)
Seksioni 3
Informimi për qëllime kërkimore, historike dhe i medias
Neni 36
Informimi për qëllime kërkimore dhe historike
(shtuar pika 5 dhe 6 me ligjin nr. 114/2020, datë 29.7.2020, ndryshohet shkronja “dh” e
pikës 1 me Ligjin nr. 72/2022, pas pikës 5 shtohen shkronjat “a” dhe “b”)
- Në funksion të veprimtarisë hulumtuese dhe kërkimit shkencor, me qëllim rishqyrtimin historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit apo të edukimit qytetar, Autoriteti vë në dispozicion, mbi bazë kërkese, dokumentet e mëposhtme:
a) dokumente që nuk përmbajnë të dhëna personale;
b) dublikata të dokumenteve, në të cilat janë bërë të palexueshme të dhënat personale;
c) dokumente që përmbajnë të dhëna personale mbi punonjësit, bashkëpunëtorët ose të favorizuarit e ish-Sigurimit të Shtetit, për veprimtari në favor të ish-Sigurimit të Shtetit, të kryera pas mbushjes së moshës 18 vjeç;
ç) dokumente që përmbajnë të dhëna personale mbi persona të historisë së kohës, mbajtës të funksioneve politike, për aq sa bëhet fjalë për informacione që i përkasin rolit të tyre në historinë e kohës dhe ushtrimit të funksioneve;
d) dokumente të tjera që përmbajnë të dhëna personale, nëse paraqiten miratimet me shkrim të personave të prekur;
dh) dokumente që përmbajnë të dhëna personale mbi të vdekurit, vdekja e të cilëve ka ndodhur të paktën 10 vite më parë. - Dokumentet që përmbajnë të dhëna personale vihen në dispozicion vetëm kur nëpërmjet përdorimit të tyre nuk dëmtohen interesat e ligjshëm dhe të drejtat e personave të përmendur në këto dokumente, në përputhje dhe për aq sa nuk vjen në kundërshtim me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
- Për botimin e të dhënave personale, të siguruara sipas pikave 1 dhe 2, të këtij neni, zbatohet legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.
- Në zbatimin e pikave 1 dhe 2, të këtij neni, Autoriteti, kur kjo është e mundur, vë në dijeni personat e prekur për vënien në dispozicion të të dhënave dhe merr në konsideratë kundërshtimet e mundshme të tyre, duke vlerësuar, për çdo rast, interesin privat përkundrejt atij publik.
- Në funksion të edukimit qytetar, me qëllim informimin e qytetarëve për dokumentet dhe veprimtarinë e ish-Sigurimit të Shtetit në tërësi, dhe me fokus brezat e rinj në veçanti, Autoriteti zhvillon veprimtari që ndihmojnë në formësimin e vetëdijes civile për rindërtimin e narrativës të së shkuarës komuniste, të mbështetur mbi kërkimin shkencor, brenda fushës së veprimit të këtij ligji.
a) Autoriteti në funksion të veprimtarisë së tij informuese bashkëpunon me muzetë kombëtarë të kujtesës, duke vënë në dispozicion të institucioneve të trashëgimisë kulturore dokumentacionin arkivor që disponon dhe bashkëpunon me to për zbardhjen e së vërtetës së krimeve të komunizmit.
b) Autoriteti mbështet organizimin e vizitave shkollore, të nxitura dhe të sugjeruara nga MASR- ja, si pjesë e programit vjetor, në vendet e kujtesës në ditët përkujtimore historike. - Autoriteti për realizimin e veprimtarisë sipas këtij ligji, ka të drejtë të përzgjedhë dhe të kontraktojë ekspertë të jashtëm. Pagesa e ekspertëve të jashtëm përcaktohet sipas akteve nënligjore në fuqi.
Neni 37
Shqyrtimi i dokumenteve
- Për qëllime të kërkimit shkencor dhe edukimit qytetar, dokumentet, në të cilat figurojnë emrat e palëve të treta, mund të shqyrtohen në zyrën e Autoritetit.
- Me kërkesë të personave të interesuar, kur shqyrtimi i dokumenteve sipas këtij ligji lejohet, mund të lëshohen dublikata, në të cilat janë fshirë emrat e palëve të treta. Dublikatat nuk mund të përdoren nga marrësi për qëllime të tjera nga ato për të cilat janë kërkuar dhe as të përcillen tek marrës të tjerë.
Neni 38
Informimi i medias
- Vënia në dispozicion dhe përdorimi i dokumenteve nga media kryhet në përputhje me nenet 36 dhe 37 të këtij ligji.
- Kur publikimi i të dhënave personale, të siguruara sipas këtij ligji, shoqërohet me deklarata të kundërta të personave të përmendur, këto deklarata u bashkëlidhen të dhënave personale dhe ruhen, vihen në dispozicion e lejohet të publikohen, në të ardhmen, vetëm së bashku me deklaratat kundërshtuese.
Ligji:
https://autoritetidosjeve.gov.al/uploads/faqosje%20e%20ligjit%20te%20ndryshuar%20ok%201%20(1).pdf