Autoriteti për informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë
dhe Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave
Organizon:
Simpoziumin shkencor
“Eksplorimi dhe Zhvillimi i Sektorit të Naftës
nën Kontrollin e Sigurimit të Shtetit”
3 korrik
Salla “Musine Kokalari”, AIDSSH
ora: 10:00
Konteksti historik:
Industria e naftës ishte një ndër sektorët më të rëndësishëm dhe më fitimprurës të ekonomisë, në të cilën regjimi komunist, pas shtetëzimit të kompanive italiane në vitin 1945, vendosi të niste kërkimet dhe shfrytëzimin e saj me ndihmën e specialistëve të ardhur nga Bashkimi Sovjetik.
Në vitin 1949 u mor vendimi për ngritjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Kombinatit të Naftës, në Kuçovë, ndërsa në vitin 1965 u ngrit Instituti i Naftës menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Përpjekjet e inxhinierëve shqiptarë në vite, si dhe zbulimi i disa burimeve bënë që prodhimi i naftës e gazit të arrinte pikun në vitin 1974, me 2,248,227 tonë (sipas AKBN).
Në vitin 1973 dhe në vitin 1979 ekonomia botërore u godit nga dy kriza të naftës, të cilat sollën rritjen e çmimit të saj nga vendet e OPEC, si rrjedhojë edhe rënien e çmimeve të eksporteve të vendeve më pak të zhvilluara ose në zhvillim, si Shqipëria. Prodhimi vendas i naftës në fillimin e viteve ’80 njohu një rënie të fortë duke u përgjysmuar nga 2.5 milionë ton në vit në më pak se 1 milionë ton në vit.
Vendi u përball me mosrealizimet e planeve ekonomike, me defiçite të ndjeshme në naftë, në energji elektrike, rënie të fortë të eksporteve si dhe me përkeqësimin e bilancit tregtar e atij valutor. Të gjitha këto rritën presionin e pushtetit ndaj drejtuesve të sektorit të naftës duke e zhvendosur zgjidhjen e krizës në nxjerrjen e grupeve armiqësore në naftë.
“Nafta çan bllokadën” propagandonte regjimi, ndërsa për çdo krize ndëshkonte inxhinierët që më parë kishin zbuluar burime nafte dhe kishin qenë nderi i këtij sektori, si dhe gëzonin urdhra pune e dekorata të larta trimërie.
Arrestimet e pjesës më të madhe të inxhinierëve të naftës u kryen më 25 mars 1975 dhe pas disa muajsh hetuesie, mes trysnisë dhe torturave, u dënuan ne vitin 1976 inxhinierët: Filip Nashi, Beqir Alia, Koço Plaku, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Dhimitër Stefa, Jani Konomi dhe Nuredin Skrapari. Ata u akuzuan si sabotatorë të pushtetit, për agjitacion e propagandë dhe shkatërrim të pronës së përbashkët publike.
Sipas dokumentave dhe dëshmive të të mbijetuarve të kohës, procesi u nxit nga disa letra anonim, u pasua me mbledhjet e Byrosë Politike dhe punës manipuluese nga ana e Sigurimit të Shtetit.
Inxhinerët Koço Plaku dhe Milto Gjikopullin u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan. Trupat e tyre janë ende sot të pagjetur.
Qëllimi i këtij simpoziumi është është të sjellë në vëmendje dhe të hapë një debat shumëdisiplinor shkencor e publik mbi qasjen e Sigurimit te Shtetit, si një armë e Partisë së Punës, ndaj eksplorimit dhe zhvillimit të sektorit të naftës në Shqipëri gjatë periudhës 1945 – 1991, trajtimin e shkencëtarëve dhe naftëtarëve, dokumentimin e represionit që karakterizonte mbikëqyrjen që kishte Sigurimi dhe Partia e Punës ndaj shkencës, si dhe dokumentimin e memories nga shkencëtarët dhe punonjësit e sektorit që kanë jetuar dhe punuar në atë kohë.
Çfarë gjejmë në arkivat e AIDSSH-së për naftën?
Simpoziumi “Eksplorimi dhe Zhvillimi i sektorit të naftës nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit”, i cili mbahet në bashkëpunim me Ministrinë Infrastrukturës dhe Energjisë me pjesëmarrjen e studiuesve të historisë, ekonomisë dhe jurisprudencës, inxhinierëve të naftës, dëshmitarëve të kohës, hap për herë të parë dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit.
Ky fond i përbërë nga 255 dokumente arkivore të viteve 1978 – 1983, vite ku sektori i naftës, pas një bilanci pozitiv kish filluar rënie në prodhim, dëshmon kërkimin e ethshëm për burime të reja nafte dhe gazi, si edhe presionin politik që rritej nëpërmjet strukturës së Sigurimit të Shtetit, organizatave të Partisë e drejtuesve të lartë të shtetit.
Mes dokumenteve arkivore gjenden: Analizë vjetore të punës në sektorin e sigurimit të naftës; Korrespondenca me Degën e Punëve të Brendshme Fier dhe Drejtorinë e I-rë mbi personat që janë marrë me përpunim; Analizë mbi punën e kryer në drejtim të agjenturës; Raport për llogaridhënie në organizatën bazë të partisë; Informacion dërguar Komitetit të Partisë mbi llogaridhënien e kuadrove të Degës së Sigurimit të naftës; Informacion dërguar Drejtorisë së I-rë mbi gjendjen e vendburimit të gazit; Informacion mbi disa shkelje të rënda; Informacion mbi avaritë e ndodhura në punën e kërkimit për naftë dhe gaz në rrethe të ndryshme; Raport mbi shkaqet e dinamikës së dobët në realizimin e përpunimeve agjenturiale për sabotim e dëmtim në Degën e Sigurimit të Naftës: dosje formuare dhe dosje të Objekteve të Veçanta si Instituti i Naftës Fier, Uzina e Ballshit dhe objekte të tjera të industrisë së naftës. etj.
Simpoziumi përqendrohet nё këto tematika kryesore:
- Politika e kohës në industrinë e naftës; Dokumente të panjohura të Sigurimit dhe statistika e analiza; sfidat dhe pasojat në privatësinë dhe lirinë e individëve në industri.
- Roli i naftës në zhvillimin ekonomik dhe kontributin ne ekonomine e vendit, eksporte dhe zhvillimi shoqëror, si dhe aspektet e marrëdhënieve ndërkombëtare;
- Dënimi dhe persekutimi i të ashtuquajturve “koka turku”. Evidentimi i tentativave për të shkatërruar kundërshtarët politike dhe viktimat e brendshme.
- Rezistenca: Aktivizmi dhe zëri i atyre që nuk u pajtuan me politikat shtetërore në industrinë e naftës.
- Përcaktimi i masave të ndërmarra nga qeveria në lidhje me shfrytëzimin e burimeve të naftës dhe impaktin e tyre në mjedis dhe shoqëri.
- Përcaktimi i shpërndarjes së të ardhurave të gjeneruara nga shfrytëzimi i naftës dhe vlerësimi i transparencës dhe llogaridhënies në administrimin e këtyre të ardhurave.
- Identifikimi i çështjeve të sigurisë dhe mbrojtjes së burimeve të naftës, duke përfshirë masat e marra.
- Përcaktimi dhe monitorimi i ndikimit të shfrytëzimit të naftës në stabilitetin politik, ekonomik dhe social të Shqipërisë komuniste, duke përfshirë analizën në nivel të brendshëm dhe ndërkombëtar.
- Identifikimi dhe vlerësimi i çështjeve të lidhura me drejtësinë në fushën e shfrytëzimit të naftës, duke përfshirë shkeljet e të drejtave të njeriut.
Programi
10:00 – 10:20 Ekspozitë dokumentare nga arkiva e AIDSSH
10.20 – 10.30 Shfaqje e dokumentarit: “Nafta shqiptare në vitet 1918 – 1990” Punuar nga gazetari ekonomik Kreshnik Kuçaj, ScanTv
10:30 – 11:00 Fjalët e hapjes:
Znj. Gentiana Sula – Kryetare e AIDSSH
11:00 – 12:00 PANELI I Moderimi: Dr. Edlir Orhani
Eksplorimi dhe Zhvillimi i Sektorit të Naftës nën Optikën e Sigurimit të Shtetit.
Prof. Dr. Nevton Kodhelaj, Fakulteti i Gjeologjisë dhe i Minierave - "Zhvillimi i Sektorit të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës dhe gazit në Shqipëri dhe kamzhiku komunisto-punist mbi të".
Z. Altin Hoxha, Anëtar AIDSSH – Statistika të përndjekjes në sektorin e naftës, studim dhe analizë e dokumentare.
Dr. Ermal Frashëri, Studiues - Roli naftës në zhvillimin ekonomik dhe kontributin në ekonominë e vendit (online);
Z. Ilia Gjermani, MIE Kërkimi dhe prodhimi i hidrokarbureve në Shqipëri
Msc. Gerla Kotka, AIDSSH, Msc. Enxhi Beka – “Persekutimi dhe dënimi i dy inxhinierëve të naftës: Koço Plaku dhe Milto Gjikopulli në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit”;
Msc. Jonel Hibo, AIDSSH – “Veprimtaria e Stanislav Zuberit, Riza Alizotit, Lipe Nashit dhe Nuredin Skraparit, parë në Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit”.
Dr. Alda Biçoku, Biblioteka Kombëtare- “Industria e naftës dhe shkencëtarët e saj. Veprimtaria dhe persekutimi i Akademik. Prof. Teki Biçoku”.
PANELI II
12:00 – 13:00 Përshëndetje nga familjarët
Profile biografike të shkencëtarëve dhe punonjësve të naftës – Dëshmojnë familjarët.
Z. Agim Gjikopulli, i biri i Milto Gjikopullit, në gjyqin ndaj inxhinierëve të naftës;
Z. Jovan Plaku, i biri i Koço Plakut, dënuar në gjyqin ndaj inxhinierëve të naftës;
Znj. Kozeta Bushati, e bija e Beqir Alisë, dënuar në gjyqin ndaj inxhinierëve të naftës;
Znj.Nezi Alizoti, vajza e inxhinierit Riza Alizoti.
13:00 – 13:20 Konkluzione (Dr. Gentiana Sula. Z. Altin Hoxha Prof. dr. Nevton Kodhelaj, Dr. Ermal Frashëri e familjarë)