Dr.Gentiana Mara Sula është drejtuese e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që nga themelimi i këtij institucioni, në 16 nëntor 2016.
Më herët ka qenë zëvendësministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ku ka pasur një rol të konsiderueshëm në avancimin e agjendës së vendit për të përballuar të shkuarën komuniste përfshi këtu përmirësimin e mekanizmit të dëmshpërblimit për ish të burgosurit politikë dhe familjet e tyre, përgatitjen e një udhërrëfyesi për rikuperimin e njerëzve të zhdukur gjatë diktaturës si dhe udhëheqjen e punës për të siguruar akses në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, një ligj të cilin Kuvendi i Shqipërisë e miratoi në pranverë të vitit 2015.
Në krye të Autoritetit, Dr. Gentiana Sula, ka luajtur rol të rëndësishëm në hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, i cili veproi gjatë regjimit komunist në Shqipëri, i njohur për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe represionit politik. Hapja e dosjeve të Sigurimit ishte një hap i madh drejt llogaridhënies me të kaluarën komuniste të Shqipërisë dhe promovimit të transparencës dhe llogaridhënies në vend.
Autoriteti për Informimi mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të shtetit në drejtimin e saj po ndihmon në ndërgjegjësimin për padrejtësitë e së shkuarës dhe promovimin e kulturës së të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Shqipëri. Duke i bërë publike dosjet AIDSSh po kontribuon në drejtim të transparencës që krimet e së shkuarës të mos fshihen nën qilim apo të harrohen duke promovuar themelimin e një kulture llogaridhënieje me qëllim parandalimin e abuzime të ngjashme që ndodhin në të ardhmen.
Puna e saj konsiston në krijimin e një hapësire dialogu dhe mirëkuptimi mes grupeve të ndryshme të shoqërisë shqiptare me qëllim promovimin e ndjenjës së unitetit kombëtar dhe për ta çuar vendin drejt një të ardhmeje më demokratike dhe më të drejtë.
Gjatë aktivitetit të saj profesional ka menaxhuar projekte të rëndësishme për Bankën Botërore dhe UNICEF, në Shqipëri dhe vendet të tjera në Europën Lindore e Lindjen e Mesme, në lidhje me politikat arsimore. Në këtë fushë ajo mban edhe titullin Dr.
Prej 11 vjetësh ajo jep kontributin e saj akademik si pedagoge në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale në lidhje me tema mbi aspektet gjinore të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe mendimin kritik.
Ajo është anëtare e Komitetit Drejtues të ENRS ( Rrjeti Evropian i Kujtesës) që nga viti 2017, ku përfaqëson Shqipërinë.
Dr. Gentiana Mara Sula vjen nga një familje tiranase. Ajo është e martuar dhe ka tre fëmijë.