Dritë mbi gjeologët progresistë të naftës që sfiduan sigurimin e shtetit
AIDSSH çeli sot fondin arkivor të Degës së Sigurimit Naftës dhe mban një simpozium në nderim të kujtimit, punës dhe dijes që trashëgon ky sektor falë shërbimit pakushte të tyre ndaj vendit.
Përse regjimi komunist nuk qe në gjendje të kontrollonte dhunën shtetërore dhe abuzimin e të drejtave të këtyre njerëzve të çmuar, që mbanin në këmbë një sektor kaq të rëndësishëm për të kapërcyer bllokadën ekonomike?
Diktatura pa dhunën është e paqëndrueshme. Historia e regjimit komunist nisi e tillë: Kush duhet të urdhërojë, edhe duhet të ndëshkojë. Planet e prodhimit të naftës nuk hartoheshin më nga llogaritjet shkencore, por negociohej nga Qeveria - Byroja Politike dhe Kongreset e Partisë. Shifrat fryheshin sikur dogma enveriste me parullën: “Shqipëria lundron në naftë.”, në një kohë kur shkencëtarët pohonin “Shqipëria është vend naftëmbajtës.”
Përplasja mes propagandës dhe shkencës prodhoi një rezultat të dëshpërueshëm si për jetën njerëzore të humbura, ashtu edhe për sektorin më fitimprurës të naftës në ekonominë e vendit, një sektor i suksesshëm, por i paqëndrueshëm, i cili pas goditjeve së elitës pësoi vetëm rënie.
Propaganda nuk e njihte kushtin teknik të shpimeve të pa efektshme në morinë e puseve të hapura.
Nëpërmjet çeljes së arkivës dokumentare si dhe studimit të tyre nga ekspertë të historisë dhe shkencës së gjeologjisë japim sot një kontribut të pazëvendësueshëm në ndriçimin e skutave të errëta të Sigurimit të Shtetit, që me hetimet, persekutimet e ekzekutimet famëkeqe turpëruan çdo ndenje humane dhe futën në ngërç zhvillimin e sektorit të naftës në Shqipëri.
Së pari shkatërruan njeriun, pastaj shkencëtarin, familjen dhe si në një reaksion zinxhir dëmtuan ekonominë e thelluan izolimin e vendit.
Zbulojmë gjërat e pathëna, figurat e ndritura të këtij sektori për ti treguar shoqërisë se ata na kanë lënë një pasuri dokumentare, shkencore në fushën e kërkimit të naftës tek e cila në kushtet e reja shoqëria e sotme është e aftë të ndërtojë programe ekonomike të suksesshme.
Gjeologu i shquar polak Stanislav Zuber, vdekur nga torturat ne hetuesinë komuniste 1947, na la si trashëgimi një hartë gjeologjike dhe tektonike të Shqipërisë, e cila përdoret edhe sot nga gjeologët vendas. Projektoi puse në Kuçovë dhe arriti të nxjerrë naftë industriale në zonat ranore. Riza Alizoti dhe Thoma Pojani, rivunë në funksion vendburimin e Kuçovës. dy rafineritë e vogla te naftës, të dy pësuan fat tragjik, si "sabotatorë dhe agjente te amerikanëve", me varje në litar.
Autori i zbulimeve me vlerë të jashtëzakonshme të vendburime të reja në Visokë, Patos, Ballsh,Gorisht nga të cilat në vitin 1970 u morën 2 milionë tonë naftë, Koço Plaku, dhe kolegët e tij Milto Gjikopulli, Beqir Aliaj, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi, Akademik Teki Biçoku, Kadri Rama, Nuredin Skrapari, Thanas Nasto, Niko Goxhobashi, u arrestuan dhe dënuan si sabotatorë në 25 mars 1975.
Koço Plaku dhe Milto Gjikopulli u dënuan me vdekje. Urrejtja e shfrenuar e dogmës nuk ndaloi as me zhdukjen e trupave të tyre.
Petraq Xhaçka, Enriko Veizi, Mynyr Arapi, Petrit Sadushi dhe Luan Këlliçi, të gjithë me grada shkencore u arrestuan në 1986 si grupi i tretë armiqësor.
Pavarësisht kualifikimeve dhe ekspertizës së tyre, këta profesionistë teknikë ishin në thelb plotësisht të papolitizuar, jo pjesë e elitës së besnikëve të regjimit. Mungesa e llogaridhënies dhe transparencës, kultura e frikës dhe intimidimit, prioritizimi i produktivitetit mbi të drejtat e punëtorëve, dhe mungesa e mekanizmave ligjorë efektivë - të gjitha këto krijuan kushtet që abuzimi ndaj tyre të mund të ndodhte pa u sanksionuar.
Nga kjo histori tragjike, ne mësojmë se ekuilibri i qëndrueshëm midis produktivitetit ekonomik dhe mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve kërkon procese demokratike, llogaridhënie dhe mbikëqyrje të pavarur. Zhvillimi ekonomik nuk duhet kurrë të bëhet në kurriz të të drejtave themelore të njerëzve, por të synojë të arrihet në mënyrë të balancuar.
Sot, ne i nderojmë kujtimin e këtyre inxhinierëve si heronj të pafat, që sakrifikuan gjithçka për të mbajtur në këmbë një sektor kyç të ekonomisë kombëtare.
Në histori ata do të hyjnë si njerëzit e progresit. Guximi i tyre për sfiduar mekanizimin brutal të sigurimit të shtetit, edhe në sallën e gjyqit, edhe para vdekjes, do t’i shërbejë gjeneratave para së gjithash në sferën morale dhe në konsolidimin e lirisë së mendimit, të çliruar nga frika.
Le të marrim mësime nga kjo histori, dhe të angazhohemi që të mos përsëritet një tragjedi e tillë kurrë më.