Baza Ligjore/Arkivi

MBLEDHJA E DOKUMENTEVE

Neni 13: Identifikimi i dokumenteve

1. Autoritetet publike dhe rrjeti arkivor i Republikës së Shqipërisë mbështesin Autoritetin në kërkimet e tij për gjetjen e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe në mbledhjen e tyre.

2. Kur autoriteti publik ose arkivi është në dijeni apo konstaton, gjatë përmbushjes së detyrave, se zotëron dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit apo kopje ose dublikata të tjera të dokumenteve të tilla, vë menjëherë në dijeni Autoritetin.

3. Kur Autoriteti vlerëson se dokumente të caktuara mund të gjenden pranë një autoriteti publik apo arkivi, u drejtohet atyre me kërkesë me shkrim për identifikimin dhe vënien në dispozicion të dokumenteve.

4. Kur autoriteti publik ose arkivi merr një kërkesë, sipas përcaktimeve të pikës 3, të këtij neni, i përgjigjet Autoritetit, brenda 15 ditëve nga paraqitja e kërkesës, duke i vënë në dispozicion, sipas rastit, dokumentet ose kopje apo dublikata të tyre. Kur dokumenti i kërkuar nuk ndodhet tek autoriteti publik

apo arkivi, por këta të fundit kanë dijeni për vendndodhjen e tij, vënë në dijeni Autoritetin.

5. Autoriteti, në mirëkuptim me autoritetet publike dhe arkivat, mund t’i shqyrtojë regjistrimet, arkivat dhe informacionet që gjenden tek to, kur ekzistojnë të dhëna të besueshme se pranë tyre gjenden dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit.

6. Kur personat fizikë ose juridikë privatë janë në dijeni ose konstatojnë se zotërojnë dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit apo kopje ose dublikata të tyre, vënë në dijeni menjëherë Autoritetin.

Neni 14: Dorëzimi i dokumenteve nga autoriteti publik dhe arkivi

1. Çdo autoritet publik dhe arkiv, me kërkesën e Autoritetit, i dorëzon atij dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që gjenden pranë tyre, duke përfshirë kopjet dhe dublikata të tjera.

2. Kur autoritetit publik i nevojiten doku-mentet, për t’i përdorur në përmbushjen e funksioneve dhe qëllimeve të tij, sipas parashikimeve të seksionit 2, të kreut IV, të këtij ligji, ai mund të bëjë dublikata të tyre dhe t’i përdorë ato. Dokumentet origjinale lejohen të përdoren si dokumente vetëm për aq sa kjo është e domosdoshme për përmbushjen e detyrës. Në këtë rast, Autoritetit i dorëzohen, në bazë të kërkesës, dublikata.

3. Pavarësisht parashikimeve të pikës 2, të këtij neni, dokumentet për të prekurit i dorëzohen Autoritetit origjinale dhe të plota.

4. Autoriteti:

a) nuk ka kufizim në njohjen, studimin dhe shfrytëzimin e dokumenteve origjinale;

b) nuk dorëzon te kërkuesi dokumente origjinale, por dokumente dublikatë të nxjerra nga Autoriteti.

Neni 15: Dorëzimi i dokumenteve nga personi fizik dhe juridik privat

1. Çdo person fizik dhe juridik privat i dorëzon menjëherë Autoritetit, me kërkesë të tij, dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që zotëron, si dhe kopje apo dublikata të tjera, kur këto nuk janë në pronësi të personit fizik apo juridik privat. Vërtetimi i pronësisë i takon personit fizik ose juridik privat. Për qëllime të zbatimit të këtij ligji, konsiderohen në pronësi të personit fizik apo juridik privat dokumentet që ky i fundit, në bashkëpunim me ish-Sigurimin e Shtetit, i ka përgatitur vetë.

2. Kur dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të pikës 1, të këtij neni, rezultojnë në pronësi të personit fizik apo juridik privat, ky i fundit i vë ato në dispozicion të Autoritetit për të përgatitur kopje ose dublikata të tyre.

Neni 16: Dokumentet e Partisë së Punës së Shqipërisë dhe organizatave të tjera politiko-shoqërore

1. Autoriteti, në zbatimin e detyrave të tij, sipas këtij ligji, mund të kërkojë nga organet përkatëse informacion për llojin, përmbajtjen dhe vendin e ruajtjes së dokumenteve të Partisë së Punës të Shqipërisë dhe të organizatave të tjera politiko-shoqërore që kanë vepruar gjatë periudhës së përcaktuar në nenin 2 të këtij ligji.

2. Autoriteti, sipas nevojës, mund të kërkojë të shqyrtojë dokumentet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni.

3. Me kërkesën e tij, Autoritetit i dorëzohen dublikata të dokumenteve të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, kur këto kanë lidhje me veprimtarinë e ish-Sigurimit të Shtetit dhe i nevojiten për përmbushjen e funksioneve të tij.

4. Parashikimet e këtij neni zbatohen për ato dokumente që janë krijuar nëpërmjet bashkë-veprimit me ish-Sigurimin e Shtetit, me nxitjen apo në zbatim të urdhrave dhe udhëzimeve të tij.

 Neni 17: Kthimi i dokumenteve nga Autoriteti

1. Kur për dokumentet që u përkasin autoriteteve publike nuk ka të dhëna se krijimi i tyre është nxitur apo urdhëruar nga ish-Sigurimi i Shtetit, Autoriteti i rikthen ato, me kërkesë të autoriteteve publike apo kryesisht kur konstaton sa më sipër. Autoriteti mund të mbajë kopje ose dublikata të këtyre dokumenteve.

2. Kur gjatë veprimtarisë së tij, Autoriteti ndeshet me dokumente dhe informacione të klasifikuara, sipas legjislacionit në fuqi për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”, sipas rastit dhe nivelit të klasifikimit, për kthimin e tyre vepron në përputhje me parashikimet e këtij legjislacioni.

 Neni 18: Arkivimi i dokumenteve

1. Autoriteti krijon arkivin e tij për mbledhjen, ruajtjen, administrimin dhe përdorimin e dokumenteve. Arkivi organizohet dhe funksionon në përputhje me dispozitat e këtij ligji, rregulloren e Autoritetit dhe legjislacionin në fuqi për arkivat.

2. Autoriteti arkivon të gjitha dokumentet, kopjet dhe dublikatat e mbledhura, sipas parashi-kimeve të këtij ligji.

3. Në arkivin e tij, Autoriteti:

a) dokumenton kohën, individin, institucionin apo kërkuesin, të cilëve u janë dorëzuar apo përcjellë, pas përfundimit të përpunimit, dokumente apo informacione nga dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit;

b) përcakton informacionet që janë futur në sistemet e përpunimit të të dhënave dhe kohën kur janë futur;

c) ndalon hyrjet e paautorizuara;

ç) ndalon marrjen e aksesit të personave të paautorizuar në dokumentet e ish-Sigurimit dhe sistemet e përpunimit të të dhënave, me të cilët përpunohen informacione prej dokumenteve;

d) garanton se dokumentet nuk lexohen, kopjohen, ndryshohen, asgjësohen apo largohen pa autorizim;

dh) garanton se transporti i dokumenteve shoqërohet nga të paktën dy anëtarë të Autoritetit, apo persona të autorizuar nga Autoriteti;

e) parashikon modele organizimi të tilla, që t’u përgjigjen kërkesave specifike për ruajtjen e të dhënave.

4. Pas kalimit të afatit të ruajtjes, dokumentet e krijuara nga Autoriteti duhet t’i dorëzohen arkivit, nga i cili janë marrë në dorëzim, apo që rrjedhin dokumentet e prodhuara.