Reagim i Autoritetit për akuzat mbi situatën e arkivave të ish-Sigurimit të Shtetit sot

Tiranë, 18 nëntor 2019 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit reagon ndaj keqinterpretimeve dhe akuzave të artikuluara ndaj tij në intervistën live në Fax News, më 29 tetor, të drejtorit ekzekutiv të ISKK, Agron Tufa dhe avokatit Kujtim Cakrani, me temë “Kërcënimet me vdekje dhe rreziku i suprimimit të Arkivave të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Fati i dosjeve në duart e ish zyrtarëve të komunizmit!” këtu.

Ligji

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit funksionon në bazë të ligjit 45/2015 për mbledhjen, administrimin, përpunimin dhe përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për të bërë të mundur ushtrimin e së drejtës nga çdo i interesuar, për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, nëpërmjet një procesi demokratik dhe transparent, në mbrojtje të personalitetit të individit dhe unitetit e pajtimit kombëtar.

Ligji 45/2015 është hartuar duke u mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare, kryesisht legjislacioni gjerman, me asistencën e institucioneve të vendeve partnere. Për meritë të ligjit, sot AIDSSH është anëtare vëzhguese në Rrjetin Europian të Autoriteteve Zyrtare të Dokumenteve të Policive Sekrete, në të cilin bëjnë pjesë institucione të ngjashme të vendeve ish-komuniste, siç janë Gjermania, Polonia, Hungaria, Bullgaria, Rumania, Çekia, etj.

Përsosja e instrumenteve ligjore që rregullojnë ballafaqimin me të shkuarën është në fokus të punës së përditshme të AIDSSH-së. Disa herë institucioni ka kërkuar amendime, pas përballjes me problematika të natyrave të ndryshme në proceset e punës, por kjo është kompetencë e ligjvënësit.

Në këtë linjë, Autoriteti i ka sugjeruar Kuvendit të Shqipërisë edhe ndryshime të argumentuara në ligje të tjera për trashëgiminë kulturore, reformën zgjedhore, ligjin e dëshmorëve dhe atë për medaljet. Ndërkohë, sot AIDSSH është pjesë aktive e funksionimit të ligjeve që përfshijnë sektorë të tjerë, si ai i vetingut në Polici, vlerësimi kalimtar dhe periodik i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Shërbimet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, dhe Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë.

Ftohen të gjithë aktorët që veprojnë në këtë fushë, që të kontribuojnë me sugjerimet e tyre drejtuar Kuvendit për përmirësimin e ligjit, duke e konsoliduar punën tonë në zbardhjen e së shkuarës.

Procedura e kalimit nën administrim e arkivave

Me VKM-në nr. 98/2017 “Për përcaktimin e procedurës së kalimit nën administrimin e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të materialeve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit, që gjenden në Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Shërbimin Informativ të Shtetit dhe në autoritetet e tjera publike” u realizuan të gjitha procedurat e kalimit nën administrim dhe marrjes në dorëzim të dokumenteve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit nga institucionet e mësipërme. Po ashtu, në mbështetje të në përputhje me ligjin 45/2015, ligjin nr. 9154, datë 6.11.2003 “Për arkivat”, ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror”, i ndryshuar, dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tyre. Të gjitha janë bërë publike në raportimet vjetore të AIDSSH-së.

Institucionet që kanë zotëruar dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kanë përgatitur raporte të detajuara të gjendjes së materialeve, që në fillim të 2017, duke e identifikuar të gjithë dokumentacionin, në bashkëpunim me AIDSSH-në.

Në vitin 2017, në bashkëpunim me çdo arkiv të sistemit dhe në bazë të ligjit, AIDSSH ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme, Shërbimin Informativ Shqiptar dhe Drejtorinë të Përgjithshme të Arkivave. Marrëveshjet janë në përputhje të plotë me legjislacionin që përfshin fusha e veprimit të institucionit dhe janë bërë publike që në raportin e parë vjetor 2017, paraqitur Kuvendit, po ashtu në faqen e institucionit.

Siguria fizike e dokumenteve

Ruajtja, administrimi, komunikimi dhe shfrytëzimi i dokumenteve arkivore realizohet sipas procedurave të parashikuara në ligjin nr. 9154, datë 6.11.2003 “Për arkivat”, dhe “Normat tekniko-profesionale dhe metodologjike të shërbimit arkivor në Republikën e Shqipërisë” dhe aktet ligjore e nënligjore në zbatim të tyre. AIDSSH ka marrë të gjitha masat për sa i përket sigurisë së dokumenteve arkivore, duke respektuar procedurat ligjore përkatëse.

Më herët, institucione si KLSH dhe DPA kanë shprehur shqetësim në raportet e tyre publike të vitit 2018 për kushtet e papërshtatshme të ruajtjes së dokumenteve dhe gjendjen e rënduar të arkivave të Ministrisë e Brendshme.

Duke e vlerësuar arkivin e ish-Sigurimit të Shtetit si shumë të rëndësishëm për trashëgiminë historike kombëtare,  Autoriteti po punon për sistemimin dhe organizimin e materialeve të tij, nga ana dokumentare dhe sidomos infrastrukturore, sipas standardeve europiane.

Transparenca

AIDSSH bën publike vendimmarrjen e  plotë, në buletinët e përdymuajshëm, në kuadër të transparencës, rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë dhe në zbatim të ligjit për informim. Bibliografitë e dokumenteve të deklasifikuara janë publike dhe mund të aksesohen online në faqen zyrtare të institucionit.

Autoriteti është i hapur ndaj kërkesave dhe transparent për çdo informacion të kërkuar. Të interesuarit mund të depozitojnë pranë institucionit kërkesat e tyre për informim, në bazë të ligjit e po ashtu, të bëjnë me dije raste të shkeljes së detyrës apo akte që cenojnë arkivin e institucionit.

Integriteti

Autoriteti dhe Sekretariati Teknik zbatojnë detyrat e ngarkuara me ligjin 45/2015 dhe rregulloren e institucionit. Secili prej nëpunësve të Sekretariatit, me emërimin e tij verifikohet në raport me Sigurimin e Shtetit, në përputhje me ligjin 45/2015, dhe zbaton procedurën për “Parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, që adreson raportet e personelit me persona të lidhur me Sigurimin. Me ligj, çdo i emëruar duhet të pajiset me certifikatë sigurie.

Zbardhja e funksionarëve të Sigurimit

Autoriteti ka ushtruar detyrat e veta për verifikimin e pastërtisë së figurës në sistemin e lartë të drejtësisë, Policinë e Shtetit, organet ligjzbatuese, partitë politike, etj. Deri më sot, janë 1249 kandidatë apo zyrtarë të verifikuar me kërkesa institucionale të institucioneve kushtetuese apo autoriteteve publike, 184 kërkesa për qëllime rehabilitimi dhe dëmshpërblimi, 1350 aplikime individuale, 230 studimore dhe mediatike e 74 kërkesa për rehabilitimin dhe qartësimin e fatit të të vdekurve apo të zhdukurve.

Edhe ekspozitat dokumentare të zhvilluara në Tiranë, Tepelenë, Konispol, Lushnjë, Belsh, kanë hapur për të interesuarit materiale të ish-Sigurimit të Shtetit të zonave përkatëse, duke deklasifikuar me mijëra faqe të vëna në dispozicion publikut, ku në asnjë rast, nuk janë anonimizuar emrat e funksionarëve të aparatit të shtypjes.

Bashkëpunimi me ISKK

Që në vitin e parë të punës, AIDSSH ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me ISKK, në kuadër të bashkërendimit të veprimtarive në fushën e kërkimit shkencor dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta. Gjatë vitit 2018, ISKK-së i janë vënë në dispozicion të gjitha dokumentet e kërkuara, sipas pesë kërkesave të paraqitura pranë AIDSSH-së, ndërkohë për vitin 2019 ku institucion nuk ka paraqitur asnjë kërkesë. AIDSSH dhe ISKK kanë organizuar bashkërisht konferencat ndërkombëtare shkencore “Të mohuar nga regjimi: burgjet, sistemi i internim-dёbimeve dhe puna e detyruar në Shqipëri (1945-1990)” dhe “Fytyrat e “armikut të popullit” gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri 1944-1991”, duke ofruar kontributet përkatëse në këshillin shkencor dhe fazat e tjera të konferencës. Të dy institucionet kanë mbështetur punën për kërkimin shkencor dhe edukimin qytetar në aktivitetet në Tepelenë e më gjerë. Bashkëpunimi mes AIDSSH e ISKK është inkurajuar edhe në rezolutën e vitit 2019 të Kuvendit të Shqipërisë. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, ISKK ka të drejta të posaçme, që mund dhe duhet t’i shfrytëzojë plotësisht, për të cilat AIDSSH është e gatshme të ofrojë mbështetje.

Akuzat qesharake dhe dashakeqe për stafin e AIDSSH, përveçse janë të pambështetura në ligj, cenojnë integritetin profesional, etik dhe moral të një institucioni të tërë, që përballet ditë pas dite me sfidat komplekse në punën për zbardhjen e së shkuarës. Nëse dikush mendon se ka prova për të mbështetur akuzat, mund t’u drejtohet organeve kompetente.

Duke e vlerësuar të papranueshme sa më sipër, AIDSSH shprehet e shqetësuar se kjo nuk i shërben fuqizimit dhe bashkëpunimit mes dy institucioneve dhe as përballjes me të shkuarën.