Valentin Previzi dhe e fejuara e tij italiane Goricia Mamin lënë Italinë dhe mbërrijnë në Shkodër më 10 tetor 1944. Mësojnë se familja e Valentinit, djalit të Preng Pervizit, gjeneralit të ushtrisë mbretërore shqiptare është shpallur “armike e popullit”. Disa muaj më vonë në qytetin e Shkodrës fillojnë arrestimet, burgosjet dhe pushkatimet e para. Në zallin e Kirit ekzekutohen me dhjetra burra pa gjyq, e për të vijuar më pas dhe në lagjet e rrugicat e qytetit, të gjithë të ashtëquajtur “armiq të popullit”. Në këto kushte Gori pas shumë përpjekjeve riatdhesohet në Itali me besimin së shumë shpjet çifti do të ribashkohej. Për Valentin Pervizin, si dhe për të gjithë familjen e mbetur nis odiseja e burgjeve dhe internimeve dhe për gjysëm shekulli ata mbeten larg njëri-tjetrit.
Valentini, pas rënies së regjimit, rigjen Gorin, e cila ende e priste në Bolonja, në vitin 1991. Kalojnë 8 vite së bashku dhe na lënë si mësim dashurinë e tyre që i mbijetoi errësirës komuniste. Më 2017 kjo histori erdhi për publikun nga Lek Pervizi, vëllai i Valentinit, në librin “Odiseja e Pafajësisë”, ku me nota autobiografike, historia e familjes së gjeneralit të mirënjohur shkrihet me historinë e errët të Shqipërisë nga viti 1944 deri në vitin 1991.
Ky libër ishte sot, në qëndër të diskutimeve të Klubit të libri- “Mësojmë nga e kaluara” me pjesmarrjen e profesorëve dhe studentëve të Universitetit "Fan S. Noli", mësuesve të historisë dhe letërsisë, të arsimit parauniversitar të qytetit të Korçës, si dhe të ftuarve të nderit, z. Ylber Merdani dhe znj. Eva Pervizi, mbesa e autorit dhe personazhit kryesor.
Nën moderimin e drejtuesit Prof.Dr. Metin Venxha, departamentit Histori-Gjeografi, Universiteti “Fan S. Noli”, dhe Dr. Brunilda Çërraga, AIDSSH, nisi diskutimi për librin, ku u përcoll mesazhi që njohja e së kaluarës historike edhe nëpërmjet teksteve letrare, të shkruara si histori personale, është një mundësi e shtuar diturie për rinjtë, mësuesit e nxënësit.
Dëshmitar i kohës, Z.Ylber Merdani, “Qytetar nderi” i qytetit të Korçës, ish i dënuar politik, pas përgëzimeve të rastit për nismën e Klubit të Libri rrëfeu sakrificat e të burgosurve, dhe shfrytwzimin e njeriut nga njeriu, nën regjimin komunist. Ai vjen nga një famije ku katër breza kanë jetuar nën persekutim dhe trauma. Si i mbijetuar ai vlerëson se të rinjtë duhet ta njohin të kaluarën që ajo të mos përsëritet.
Dr. Orjon Ago, historian dhe zv/dekan i Fakultetit të Filologjisë, Universiteti “Fan S. Noli”, bëri një krahasim të historisë së librit dhe fakteve historike, si dhe theksoi se, ende historia ka nevojë për rishkime bazuar në dokumente dhe dëshmi të tilla që na vijnë nga të mbijetuarit.
Msc.Enxhi Beka, studiuese e historisë në AIDSSH-së, në analizën e saj sipas këndëvështrimit historik u shpreh se : “Romani, Odiseja e Pafajsisë nuk është vetëm odiseja e Valentin Previzit në veçanti, apo e familjes së Previzëve në tërësi, por simbolikisht është një- Odise Pafajsie- e shumë individëve duke filluar që nga një shtetas i thjesht që ka jetuar në vitet e regjimit komunist, e që për regjimin për shumë arsye ishte i papëlqyeshëm e duke vijuar nga figurat apo familjet më erudite të Shqipërisë së asaj kohe që kaluan nëpër një odise vuajtjesh, internimesh, ekzekutimesh e ata që mundën, mbijetese.”
Dr.Nuredin Nazarko, profesor i historisë, tha se : “Ky libër është një gur që i shtohet mozaikut të kujtesës. Është e rëndësishme që e kaluara të mos mbulohet nga rrjedha e kohës. Populli që harron historinë është i paracaktuar që t’a përsërisë atë. Ende sot ka studentë që nuk dinë saktësisht se çfarë është komunizmi si ideologji dhe çfarë e shkakton. Ideologjitë kanë fuqinë e ideve të mëdha. Komunizmi e përsosi idologjinë dhe e ngriti në piedestal. Duhet të shohim të vertetën lakuriqe.”
Msc. Leonora Hysolli, pedagoge e Departamentit të Letërsisë, Universiteti “Fan S. Noli”, në diskutimin e saj e trajtoi veprën nga pikpamja letrare: “Në libër gjejmë personazhe dhe ngjarje të një kohe të panjohur për lexuesin e ri. Ky libër sjell konceptin e dashurisë së vërtetë, e cila nuk njeh kufinj kohorë dhe gjeografik.”
Brendon Salih, studiues i historisë e sheh librin në një qasje paradokse “ku “armiku” që etiketohet vjen nga një kulturë perendimore për të kontribuar në vendin e vet, por që fatkeqesisht e ndjek një valë persekutimi në regjimin anti-njeri.”
Mbesa e Valentinit Eva Pervizi, në emër të familjes përcolli disa nga ngjarjet e jetës së përbashkët me xhaxhain e saj në internim dhe falenderon AIDSSH që këto histori që vijnë nga e kaluara i kthen në mësime për nxënësit dhe mësuesit e rinj.
Aktiviteti e Klubit të Librit synon pasurimin e platformës “Mësojmë mbi të shkuarën 1944-1991-burime arsimore të hapura”, produkt i marrëveshjes dypalëshe MAS-AIDSSh, e cila ka në fokus njohjen e brezave të rinj, me ngjarje e vende, që dëshmojnë histori dhe realitete të viteve1944-1991, dhe përfshirjen e tyre në vizita në vende të kujtesës historike. Historia mbi veprimtarinë ish-Sigurimit e Shtetit jo vetëm nuk është e përfshirë në asnjë nga programet lëndore apo tekstet shkollore, por edhe mësuesit e rinj në moshë ende nuk i njohin plotësisht të vërtetat e regjimit komunist në vend.