Tiranë, 26.06.2024-Trashëgimia audiovizuale 86 vjeçare e Radios dhe e Televizionit Shqiptar, si dhe platforma mediatike me 28 kanaleve televizive që mbulon 90 % të territorit të vendit, janë një mundësi dhe hapësirë për zhvillimin e një dialogu të shëndetshëm shoqëror mbi të shkuarën në errët, një të ardhmeje më të mirë dhe konsolidimin e demokracisë ne vend.
Me drejtorin e Radio- Televizionit Shqiptar (RTSH), Alfred Peza dhe ekipin e tij biseduam për projekte konkrete të përbashkta që i japin jetë marrëveshjes së firmosur një muaj më parë mes dy intitucioneve tona në fushën e kujtesës, ku synohet përdorimi i arkivës filmike të RTSH-së, dhe ballafaqimit të saj me dokumentet e arkivës së AIDSSH-së.
Një nga këto ishte edhe programi televiziv “Kur xhirohej një film”, ku përmes debatit dhe dokumenteve historike do të merren në diskutim ato prodhime kinematografike që janë krijuar nën ndikimin e propagandës të regjimit diktatorial në vend.
Drejtori i Radio- Televizionit Shqiptar, Alfred Peza, tha në fjalën e tij : “Bashkëpunimi ynë nis me pasurimin e programacionit të të gjitha kanaleve me subjekt me veprimtarinë e institucionit tuaj në këndvështrimin e kujtesës dhe rishikimit të së shkuarës; vijon me mbështetjen që na nevojitet për digitalizimin e arkivave si dhe fondit audiovizual të kohës, si dhe me prodhimin e cikleve dokumentare apo specialeve televizive me histori dhe figura të së shkuarës”
Kryetarja e AIDSSH-së, Gentiana Sula e cilëson RTSH një partner unik në potencialin arkivor, por edhe informativ e edukues : “Mediatizimi i aktiviteteve tona përkujtimore apo edukative të AIDSSH-së si: “Dosja e hapur”, “Klubi i Librit” ku potencojmë zërin e dëshmitarëve, të prekurve dhe familjeve të tyre, krijimi i hapësirave televizive për programe të përbashkëta në funksion të Platformës: “Të mësojmë mbi të shkuarën - burime arsimore të hapura,1944-1991”, në kanalin “RTSH Shkolla”, në formatet si: podcast, video të shkurtra, etj. apo programit radiofonik për profile biografike të shquara të lëna në harresë, janë drejtimet kryesore të këtij bashkëpunimi.”
Hedhja dritë mbi krimet dhe pasojat e diktaturës së proletariatit, ridimensionimi i personaliteteve historike të stigmatizuara, ndërgjegjësimi dhe edukimi i brezave të rinj nëpërmjet programeve televizive, dokudramave, serialeve televizive që hedhin dritë në mekanizmin e Ish-Sigurimit të Shtetit me qëllim për t’iu kundërvënë modelit çnjerëzor dhe unfikues të propagandës, janë fushat e bashkëpunimit mes dy palëve.
RTSH është partneri ri që shtohet numrit në rritje të institucioneve vendase dhe të huaja me të cilat AIDSSH bashkëpunon me krijimin e saj me qëllim sigurimin e burimeve parësore, autentike dhe tekste të kaluara në filtrin shkencor në shërbim të rishikimit të historisë dhe njohjes së rinjve me të.