Themelohet në Tiranë Klubi i Librit- Mësojmë nga e kaluara, nënshkruhet bashkëpunimi me QKLL

Diskutohet me pjesmarrje të gjerë të mësuesve të historisë, letërsisë, qytetarisë dhe profesorëve të Universitetit të Tiranës, libri i Lekë Tasit “Grabjani rrëzë kodrave”.

 20 shkurt 2024, Tiranë – Lekë Tasi ishte 38 vjeç kur e pushuan nga puna si violinçelist, në Orkestrën e Radios dhe në Teatrin të Operas, në vitin 1967, për shkak të biografisë. I ati Koço Tasi shpallet kundërshtar i regjimit komunist, dhe dënohet me burg ndërsa xhaxhai i tij, Akile Tasi vdes në burgun e Burrelit pas 17 viteve burg.   

Dhjetë vjet më vonë familja tij, nëna, motra, ai bashkë me të vëllanë, internohen në kampin e punës në Grabjan të Lushnjës, prej viti 1975 deri në vitin 1990.  Të gjithë kujtimet dhe përjetimet e jetës  në këtë kamp ai i hedh në librin e tij, “퐆퐫퐚퐛퐣퐚퐧퐢 퐦퐞퐬 퐤퐨퐝퐫퐚퐯퐞’-, trajtuar në formën e një ditari ku përshkruan me detaje mbi kushtet e jetesës, keqtrajtimit, shfrytëzimit, vuajtjes shpirtërore, fizike dhe psikologjike, duke treguar me detaje një realitet të hidhur dhe pak të njohur në ditët e sotme me skena, personazhe, histori nga fshati i internimit në vitet '70-'80.

Në libër flitet për trajtimin çnjerëzor që u bëhej të internuarve politikë. Përveç analizës së ngjarjeve historike, sociale, ekonomike dhe politike, në këtë libër gjenden edhe shkëndijat e rebelimit të fshehtë ndaj diktaturës, sinjalet e para këto të ndryshimeve që do të kulmonin me rënien e shtatores të diktatorit në datën 20 shkurt 1991. Shkëlqen diku shpresa e ndryshimit dhe i çlirimit nga vuajtjet, pastaj zhgënjimi ia zë vendin, por jo përgjithmonë.

****

AIDSSh zgjodhi simbolikën e 33 vjetorit të rrëzimit të shtatores të diktatorit, si një vijë ndarëse që shënoi fillimin e një epokë të re, pa internime, burgime të padrejta, dhunë, terror e izolim për të themeluar Klubin e  Librit të Tiranës- “퐌퐞̈퐬퐨퐣퐦퐞̈ 퐧퐠퐚 퐤퐚퐥퐮퐚퐫퐚” me leximin e librit të Lekë Tasit.

Po me këtë rast, Autoriteti  firmosi me Qëndrën KombëtAre të librit dhe leximit marrëveshje bashkëpunimi me kontribut në arritjen e botimeve cilësore me theks në kaluarën historike 1944-1991.

 Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula në fjalën e saj me këte rast u shpreh se:  " Kujtimet janë çelësi për të zhbllokuar dyert e së kaluarës. Ato na lejojnë të futemi në sfidat e atyre që kanë jetuar përpara nesh dhe të përjetojmë jetën e tyre ashtu siç ata e kanë jetuar. Ndaj edhe ne kemi zgjedhur librat memuar për t’ia përcjellë publikut, rrugën e historisë personale të qindra e mijëra të përndjekurve me qëllimin që çdonjëri nga ne të ndërtojë me sytë e mendjes dhe të shpirtit atë rrugë të vështirë që ata u detyruan të ndiqnin në  regjimin komunist.

Në bashkëpunim më Qëndrën Kombëtare të Librit dhe Leximit kemi shpresë që librat që nuk janë bërë nga njerëz profesionistë të letrave, për shkak të rëndësisë shumë të madhe që kanë, nevojiten të pajisen me komentarë, biblografi, me referenca që të jenë sa më pranë sidomos mësuesve dhe nxënësve për të nxitur mendimin kritik. Nisim kështu një rrugë të përbashkët për të fuqizuar librat memuaristikë për t’i çuar ato sa më pranë shkollave, tek brezi i ri, i cili vjen në këtë botë me të panjohura.”

Drejtoresha e Qëndrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, znj.Alda Bardhyli tha se: “Ky është një moment i rëndësishëm pasi çdo komunikm që ka të bëjë me kujtesën dhe aq më tepër me ata autorë, të cilët jetën dhe veprimtarinë e tyre më të madhe e kanë bërë gjatë burgjeve të komunizimi dhe përjetimit në to, është i duhuri. Njohja e veprave të tyre me lexuesin e ri  është një mision dhe formë edukimi për ta njohur të shkuarën dhe mësuar prej saj. Zbardhja e dokumenteve të Autoritetit, të cilat kanë një vlerë të madhe publike për ndriçimin e jetës së këtyre figurave do të jenë edhe pjesë e kësaj marrëveshje që do t’i shërbejë librit dhe leximit”

Aktiviteti vijoi me diskutimin e librit “Grabjani rrëzë kodrave” me pjesmarrjen e mësuesve të historisë dhe letërsisë, qytetarisë të arsimit parauniversitar të kryeqytetit, nën moderimin e As.Prof. Dr. Fiona Thodri, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës dhe shkrimtares për fëmijë, Rovena Rrozhani, AIDSSH.

I ftuari  i nderit, autori i romanit, z.Lekë Tasi, pasi foli për narrativën e përshkruar në librin e tij me nota biografike tha se:Duhet theksuar çdo eksperiencë e vjetër, e mirë apo e keqe. Ne duhet të shkruajmë kujtimet. Kujtimet nuk është gjëja më e lehtë që mund të bëhen, por kur fillojnë të shkruhen, të mos pretendojmë të bëjnë letërsi, mjaftojnë të tregojmë faktet si ka ndodhur sepse kështu i shërbejmë memories. Të rinjve do t’u rekomandoja që ta lexonin këtë libër, sepse mund të formojnë ndonjë-farë njohje të së kaluarës siç ka qenë. Dhe sot jam i kënaqur që shoh librat në duart e lexuesve të rinj, të pranishëm. Kjo është një arritje.”

 As.Prof. Dr. Fiona Thodri, Fakulteti i Shkencave Sociale, Universiteti i Tiranës, tha se: “ Libri është një instrument shumë i mirë për njohur dhe ditur, se dija dhe vërteta na çojnë përpara. Ndaj ky libër që po sjellim sot është një nga ata libra që i duhet mësuesit të historisë, letërsisë dhe qytetarisë. Njohja e së kaluarës historike edhe nëpërmjet teksteve letrare, të shkruara si histori personale, është një mundësi e shtuar diturie për të mësuar nga e kaluara.”

Pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe lidhja e librit me arkivën me prezantimi i dokumenteve arkivore nga arkiva e AIDSSh-së, ku moderatorja znj.Rovena Rrozhani, AIDSSH, krahasoi faktet e lexuara në libër dhe atyre të gjetura në dosjet hetimore-gjyqësore dhe dosje formulare të krijuara nga Ish-Sigurimi i Shtetit, mbi përndjekjen që iu bë Lekë Tasit, xhaxhait të tij Akile, babait Koço, nënës Aleksandra, vëllait Napoleon e motrës Tefta.

Është e rëndësishme të afrojmë lexuesit e rinj me autorë të cilët përmes letërsisë rrëfejnë anën e panjohur dhe të pajetuar të një periudhe të errët të historisë. Dokumentet, dëshmitë, faktet nga njëra anë dhe rrëfimi letrar nga ana tjetër janë kombinimi me i mirë për t’i pajisur të rinjtë me dije dhe kulturë demokratike.”-tha znj.Rrozhani në mbyllje të prezantimit.

Mësues të letërsisë, historisë dhe qytetarisë, shprehen përpjekjet që ata bëjnë në shkolla për të shpjeguar atë pjesë të errët të historisë së diktaturës dhe e ftuan autorin, por edhe të tjerë dëshmitarë, ish-bashkëvuajtës të tij në internim, të pranishëm  në klub, të bëhen pjesë e bisedave shkollore mbi këtë temë.

Njohja me dokumentet e arkivës së AIDSSH-së si dhe libra të tillë dëshmie janë një burim i pasur për të njohur të kaluarën dhe mësuar nga ajo, duke realizuar përcjelljen e historisë tek brezat e rinj.

Aktiviteti e Klubit të Librit synon pasurimin e Platformës “Mësojmë nga e kaluara 1944-1991-burime arsimore të hapura”, produkt i marrëveshjes dypalëshe MAS-AIDSSh, e cila ka në fokus njohjen e brezave të rinj, me ngjarje e vende, që dëshmojnë histori dhe realitete të viteve 1944-1991, dhe përfshirjen e tyre në vizita në vende të kujtesës historike.

Me shkrimtarin Lekë Tasi, ish i përndjekur politik dhe të tjerë shkrimtarë që prekin ngjarje të patrajtuara të periudhës 1994-1991, Autoriteti po punon ngushtësisht që programi i  KLUBI I LIBRIT-"Mësojmë mbi të shkuarën"  të shtrihet gjerësisht të mësuesit dhe nxënësit e arsimit parauniversitar .