Themelohet në Korçë Klubi i Librit –Mësojmë mbi të shkruarën 1944-1991, një program i ri i AIDSSH-së

 

-Diskutimi i parë mbi librin “Rrufeja në shtëpinë e mikpritësit”, të autorit Marçel Hila, në përkujtim  të 27 janarit, Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit përfshin profesorë dhe studente të qytetit.

 

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) themeloi në Korçë, Klubin i Librit me fokus “Mësojmë nga e shkuara, 1994-1991’, në të cilin do të diskutohet rreth librave artistikë e historikë, etj. ku përshkruhen ngjarje  që kaluan në heshtje gjatë regjimit diktatorial.

Programi i këtij klubi synon të përfshijë në aktivitetin  e leximit  dhe të diskutimit mbi libra me tematikë nga ngjarje dhe personazhe, ekzistenca e të cilëve është mohuar nga letërsia e shkruar gjatë realizimit socialist, kur shteti kontrollonte narrativën e shkrimtarëve dhe shpërndante informacione të shtrembëruara për të ruajtur pushtetin.


Aktiviteti i parë i këtij Klubi nisi në qytetin e Korçës, vendi ku është themeluar shkolla e parë shqipe, ku të pranishëm në bibliotekën e qytetit ishin profesorë dhe studentë të Universitetit “Fan S. Noli”, mësues dhe nxënës të sistemit parauniversitar,  historianë dhe anëtarë të shoqatës së të përndjekurve të zonës.

Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula, tha në fjalën e saj të hapjes se:  Dialogu mbi të shkuarën, kërkon njohje, por edhe reflektim si në nivelin historik, ashtu edhe filozofik, ku letërsia luan në rol të rëndësishëm në zhvillimin e ndërgjegjes shoqërore.

 

Çështje të  tilla që lidhen me ngjarje të së kaluarës totalitare si:  mungesa e lirisë, shtypja e të të drejtave të njeriut, propagandës, dezinformimit, persekutimit, burgosjes apo edhe ekzekutimit të kundështareve politikë, dhuna e stanacjoni ekonomik, kërkojnë një debat të një niveli të lartë,  e cili synon të përfshijë në të publikun e gjerë dhe sidomos të rinjtë.

 

Ky debat, kjo njohje mbi të shkuarën duhet ushqyer nga vepra të filozofëve dhe shkrimtarëve, vendas dhe të huaj, si të atyre që shkruan apo përkthyen në burgjet e sistemit komunist dhe kampet e internimit,  apo dhe të tjerëve që i mbijetuan ferrit dhe bashkë me dëshmitë e tyre kanë krijuar letërsinë memuaristike mbi lëndën e burgut.”

 

Librat do të përzgjidhen nga bordi i Klubit i Librit,  me përfaqësi nga AIDSSH, MAS, Qendra e Librit dhe Leximit, të cilët do të  ndjekin dhe moderojnë aktivitetin.  Klubi do të mbahet në qytete ku AIDSSH ka hapur Dialogët Lokalë si, Shkodër, Berat, Sarandë, Konispol, Delvinë, Mirditë, etj.

 

Klubi i Librit, i cili do të përbëhet gjithmonë nga 20 veta,  do të shtrihet në kohë dhe në hapësirë, duke vendosur në optikën e analizës kritike jo vetëm tekste artistike që lidhen me të shkuarën, por edhe tekste të natyrës sociologjike, politike, filozofike. 

 

Materialet e dala nga ky klub do të jenë pjesë e Platformës digjitale “Të mësojmë mbi të shkuarën ’44 - ‘91 – Burime të arsimore të hapura”,  e cila vjen në funksion të edukimit të të rinjve me njohjen e të vërtetave historike, veprimtarisë së zhvilluar nga ish-Sigurimi i Shtetit, pas Luftës së Dytë Botërore në vend.

 

Për librin e parë të Klubit

 

Takimi i parë i nisi me diskutimin e librit “Rrufeja në shtëpinë e mikpritësit ”, të autorit Marçel Hila,  në përkujtim të 27 janarit, Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit.

Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula: “Libri që propozohet për t’u lexuar ka lidhje edhe me dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, por dhe me epopenë e shpëtimit të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore ku në shumë vende me pa të drejtë u përndoqën.

Nga dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit, të cilat kanë mbajtur peshën e sekretit prej shumë kohësh, jo pak herë  kanë lindur histori të jetuara, të cilat janë shkruar në formë memuaresh, në forme tregimesh për t’i përcjell ato emocione, për të përcjell ndjesitë edhe për të nxitur një lloj empatie dhe mirkuptimi mes shtresave të shoqërisë që edhe nuk e kanë jetuar këtë kohw.

Këto libra ne në Autoritet i hasim përditë dhe i kemi me admirim burime të informimit, burime  të hyrjes në njw teme që flet për një kohë kur libra me ngjarje të tilla nuk ekzistonin. Këto libra e kanë të vështirë rrugën për të kaluar te publiku dhe sidomos tek brezat e rinj ku Autoriteti ka dhe mandat të përcaktuar me ligj për edukimin qytetar. Kemi menduar që përmes klubit të librit të bëjmë bashkë letërsinë dhe historinë, të flasim për aspektin njerëzor të këtyre historive që janë shpesh herë personale e intime. I ftojmë mësuesit e këtyre katër lendwve që të gjykojnë vet për këto libra dhe pse jo të përdorin mendimin kritik t’i qasen dosjeve të Ish- Sigurimit.”

 

Gjatë diskutimeve të mbajtura, profesorë të katedrës së historisë të Universitetit të Korçës, si Metin Venxha, Nuredin Nazarko, Arjan Ago dhe studenti Migel Dulellari trajtuan  në fjalën e tyre, se si është realizuar ballafaqimi i të vërtetave historike në rrëfimin e autorit.

Dr. Metin Venxha veçoi disa fakte historike që lidhen më ndihmwn që qeveria shqiptare e kohës i ka dhënë hebrenjve dhe fakti që këto merita ende nuk i  njihen këtyre figurave në historiografinë komuniste. “Në klubin e Parisit, hebrenjtë flisnin që është një mbretëri e vogël në Ballkan me një Mbret shumë dashamirës që jep viza, Ahmet Zogun që e nxjerrin “një mijë e një” të zeza , këtë cilësi gati ja kemi mohuar. Apo kur personazhi spiunohet në shtëpinë e vet në Austri ku kish jetuar 25 vjet ndërsa kurse hoxha i xhamisë së Kavajës , i jep mikpritje dhe shërbim ende pa i njohur mire. Pra, tregon atë institucionin e besës dhe mikpritjes së shqiptarëve, që edhe pse ishte një periudhë e tmerrshme për Shqipërinë dhe të gjithë Evropën, përsëri ne nuk lëvizëm nga kultura jonë.”

Të pranishëm, miq të klubit të librit, si Akademiku Shaban Sinani, i cili përgëzoi AIDSSH për krijimi e këtij klubi dhe për tematikën e zgjedhur, tha se historia shqiptare e shpëtimit të hebrenjëve sot në Izrael është lëndë e veçantë mësimore.

Ndërkohë, Simon Mirakaj, familjari i një prej personazheve të librit, Kol Bibë Mirakajt,  foli  për rolin qendror në shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri.

Z. Skënder Vrioni, anëtar i Autoritetit tha se: “Në këtë libër ngjarjet mbështeten në fakte historike, dhe kjo e gjallëron tregimin dhe ngjall interes tek lexuesi. Në  këtë libër secili nga personazhet që nga qeveritarët, përfaqësuesit e feve, qytetarëve, malësorë, i mbajtën anën mysafirit, i mbajtën besën thënë kjo bukur në shprehjen “Shtëpia është e mikut dhe e Zotit”.

Fjalën me pas e mori autorit Marçel Hila  e cili tregoi rreth dokumenteve dhe dëshmive qe ka përdorur për të shkruar subjektin e këtij libri.

Në libër takohen personazhe historikë si: Kolë Bib Mirakaj, Eqerem bej Libohova, Ibrahim Biçakçiu, Lef Nosi, Mehdi Frashërin, e Padre Anton Harapit.

Romani është i zhanrit historik. Me anë të retrospektivës, na kthen në Luftën e Dytë Botërore, në mënyrën se si hebrenjtë janë mikpritur dhe strehuar nga shqiptarët. Libri vë në dukje zakonet e traditat shqiptare në raport me mikpritjen, përpjekjet që këta personazhe historikë kanë bërë për sigurimin e pasaportave familjeve izraelite të ardhura në Shqipëri.

Ky libër flet për histori të vërteta të mbrojtjes së familjeve hebreje në Shqipëri, për përpjekjet e drejtuesve të Shqipërisë, në atë kohë,  për ti mbrojtur ata, dhe që më vonë iu nënshtruan ndëshkimeve më të ashpra nga diktatura komuniste.

Sipas statistikave zyrtare 3750 hebrenj janë strehuar dhe shpëtuar në Shqipëri gjatë pushtimit nazist. Hapja e dyerve për hebrenjtë u bë e mundur falë trashëgimisë historike dhe harmonisë fetare, por edhe dy institucioneve të forta morale të shoqërisë shqiptare, siç janë: Kodi i BESË-s, fjalës së dhënë dhe e mbajtur.

Në mbyllje, kryetarja e Autoriteti mbajti takim me Drejtoreshën e Bibliotekës së qytetit të Korçës, me të cilën u fol për bashkëpunime të mëtejshme dhe vendosjen e një fondi librash të Autoritetit në një stendë të veçantë për lexuesin e interesuar. Po kështu edhe librat që do diskutohen në Klubi i Librit të jenë pjesë e kësaj bibloteke.