Shkodër 28 gusht- Në kuadër të 30 Gushtit, Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, në bashkëpunim me Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër, Autoritetit mbajti simpoziumin me temë: “Kufiri i Shpresës dhe i Vdekjes, 1944–1991. Shkodra përballë së kaluarës.”
Aktiviteti u nderua nga prania e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali si dhe ambasadorit të BE-së dhe ambasadorit të OSBE-së, dy institucione ndërkombëtare që prej vitit 2017 bashkëpunojnë ngushtë me Autoritetin për trajtimin e çështjes së personave të zhdukur gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
Të pranishëm ishin gjithashtu deputetja Greta Bardeli, përfaqësues të institucioneve publike, përfaqësues të komuniteteve fetare, të afërm të viktimave dhe të mbijetuar.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, theksoi:
“Ky simpozium nuk është thjesht një nderim për viktimat, por një akt përballjeje me të shkuarën. Një akt që i takon të gjithë shoqërisë, pa dallime politike apo ideologjike. Është detyrë e institucioneve demokratike, përfshirë Kuvendin, që të garantojnë mbështetjen për punën e institucioneve si Autoriteti i Dosjeve dhe Komisioni për gjetjen e të zhdukurve. Kërkimi për drejtësi nuk është hakmarrje, por përpjekje për të rikthyer dinjitetin e mohuar. Demokracia nuk përmbushet pa ndëshkimin e krimeve dhe pa njohjen e viktimave.”
Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, u shpreh se ballafaqimi me të shkuarën është një domosdoshmëri, jo një opsion:
“Përballja me vrasjet në kufi dhe fenomenin e zhdukjes është çështje dinjiteti njerëzor. Ne kemi nevojë urgjente që Këshilli i Ministrave të miratojë një mekanizëm koordinues midis aktorëve përkatës që të mundësojë kërkimin dhe zhvarrosjen e personave të vrarë gjatë regjimit komunist. Përballja me të kaluarën është një përgjegjësi kolektive, ku secili ka një rol për të kryer, Demokracia është e fortë vetëm kur drejtësia tranzitore zbatohet. "
Ai përcolli edhe shqetësimin e shumë ish-të përndjekurve që ende presin kompensimet, duke theksuar se ky proces nuk mund të shtyhet pafund. Ambasadori përmendi gjithashtu bashkëpunimin me ICMP për hartimin e protokolleve të kërkimit të personave të zhdukur.
Kryetarja e Autoritetit, Gentiana Sula, pranoi vonesa në ecurinë e procesit për rikuperimin e trupave të të zhdukurve gjatë regjimit komunist:
“Deri tani janë bërë hapa administrativë, por qetësia për familjet që ende nuk kanë një varr për të afërmin do të vijë vetëm kur të nisin gërmimet e para.
Këto nuk janë varre që janë harruar diku, këto janë varre që janë fshehur me qëllim nga shteti. Kemi gjetur dokumentacion të plotë të urdhërave , udhëzimeve dhe shkresave që janë lëshuar nga shteti I asaj kohe , për ti fshehur për të mos i gjetur trupat , mos të kryhet pelegrinazhi, që të mos I japim zemër këtyre familjeve. Kështu që ne e dimë që kjo është e vështirë dhe e dimë që mund të kërkojmë 7 herë dhe mund të gjejmë vetëm njëherë.
Ajo që doja të thoja është karakteri njerëzor. Kur unë vet vij nga një familje që kam gjyshin që nuk e gjejmë prej shumë kohësh, ndonëse unë vetë e kam kushtuar jo pak kohe kësaj çështje, por kam një mesazh që shumë prej jush do ta ndjejnë.
Im atë, ma tha, që shumë e vështirë, por bëje për fëmijët e ty. Le ta bëjmë për fëmijët tanë. Një Shqipëri që i gjen bijtë e vet është një Shqipëri më e mirë.”
Rektori i Universitetit, Tonin Gjuraj, theksoi rolin e studimit shkencor:
“Detyra jonë është të hulumtojmë mbi dokumentet, të analizojmë dëshmitë dhe ta kthejmë këtë njohje në pjesë të ndërgjegjes kombëtare e të edukimit universitar. Kujtesa nuk duhet të mbetet e ngujuar në dhimbje, por të kthehet në një proces të vazhdueshëm kërkimi, mësimi dhe reflektimi. Harrimi është një formë e dytë e vdekjes – dhe ne nuk duhet ta lejojmë atë.”
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Michel Tarran tha se : Përballja me të shkuarën në mënyrë dinjitoze është thelbësore për shërimin e plagëve dhe ndërtimin e një shoqërie demokratike mbi sundimin e ligjit, Prezenca e OSBE-së e mbështet këtë proces përmes bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimit të përvojave me vende të tjera dhe hartimit të një vendimi qeveritar që përcakton qartë rolet e institucioneve.”
Zv.kryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, u ndal te detyrimi institucional jo vetëm për të përkujtuar këto data, por edhe për të dokumentuar të vërtetën, për të edukuar brezat e rinj dhe për të mbështetur familjet e personave të zhdukur.
Në vijim, u prezantua edhe projekti artistik për ngritjen e Memorialit “Muri i Gjakut” në Shkodër, ide e deputetes Greta Bardeli, e cila humbi xhaxhain, vrarë gjatë kalimit të tij në kufi në vitet e diktaturës, Sipas saj ku mur që do të shërbejë si hapësirë reflektimi dhe nderimi për viktimat e komunizmit si nevojë për përpërkujtim dhe mos përsëritje të së shkuarës.
Simpoziumi vijoi me prezantimet e 13 studiuesve nga trupa akademike e Universitetit të Shkodrës, institucione të tjera shkencore dhe studiues të pavarur. Kumtesat adresuan temat: si vrasjet në kufi dhe dhimbja e familjeve,mungesa e drejtësisë dhe rikthimi i së vërtetës historike, qëndresa e grave malësore përballë terrorit,mekanizmat e kontrollit dhe dhunës shtetërore, arratisjet e intelektualëve dhe klerit, trauma ndërbreznore dhe pasojat e saj.
Në hyrje të simpoziumit, AIDSSH organizoi një ekspozitë me dokumente arkivore të krijuara nga Dega e Punëve të Brendshme, e cila hedh dritë mbi mënyrën se si regjimi ngriti një rrjet kontrolli, frike dhe ndëshkimi mbi qytetarët. Në mbi 6,000 faqe dokumentesh të ekspozuara dëshmohen fatet e mijëra individëve, institucioneve dhe vetë qytetit të Shkodrës, që për dekada u mbajt nën një kontroll të hekurt.
Nga dokumentet dhe dëshmitë u evidentuan kalimet e ndaluara në kufirin verior (Liqeni i Shkodrës, Buna, Hani i Hotit), ku për dekada u zhvilluan tragjedi njerëzore: qindra burra, gra dhe të rinj humbën jetën; të tjerë u arrestuan, u internuan apo u zhdukën pa gjurmë.
Në këtë simpozium u përkujtuan edhe viktimat e fundit të vrara në kufi në vitin 1990, mes tyre: Elez Kraja (29 vjeç), Dhurata Sokoli (24 vjeçe), Vat Beci (25 vjeç), Nini Hoti (25 vjeç), Pëllumb Pellumbi (17 vjeç), Osman Xhakolli (23 vjeç) dhe tragjikisht Anisa Gruda, vetëm 5 vjeçe, e vrarë në Shirokë, ndërsa arratisej me familjen e saj.
Ky simpozium e vendos Shkodrën në qendër të kujtesës historike, duke i dhënë një zë viktimave dhe një thirrje shoqërisë: të mos harrojmë dhe të mos përsërisim kurrë më krimet e së shkuarës.
Gentiana Sula Faqja Zyrtare Gentiana Mara Sula @kryesoret Kufiri i shpresës dhe i vdekjes-Shkodra përballë të kaluarës Universiteti Shkodrës Luigj Gurakuqi Elisa Spiropali European Commission OSCE Presence in Albania.