TAKIMI I PËRVITSHËM I RRJETIT EUROPIAN TË ARKIVAVE TË ISH-POLICIVE SEKRETE

2023-2024, Presidenca e Rrjetit i kalon Shqipërisë

Më 28-30 qershor, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit mori pjesë në takimin e përvitshëm të Rrjetit Europian të Arkivave të ish-Policive Sekrete, që këtë vit u zhvillua në Budapest. Autoriteti u përfaqësua nga znj. Ardiana Topi, Drejtoreshë e Arkivit.

Punimet u organizuan nga Arkivi Historik i Shërbimeve Sekrete Hungareze (ABTL), në cilësinë e mbajtësit të Presidencës së radhës së Rrjetit. Morën pjesë përfaqësues të institucioneve anëtare me të drejta të plota në Rrjet, nga Shqipëria, Bullgaria, Republika Çeke, Gjermania, Hungaria, Polonia, Rumania, Sllovakia, si dhe përfaqësues të institucioneve anëtare me të drejta vëzhguesi, nga Estonia, Latvia, Lituania dhe Sllovenia.

Hapja zyrtare u zhvillua më 28 qershor, në mjediset e Arkivit Historik të Shërbimeve Sekrete Hungareze. Pas fjalës së mirëseardhjes të Drejtori të Arkivit dhe Presidentit të radhës, Dr. Czech Gergöo Bendegüz, u vizitua ekspozita e përhershme e ABTL-së “Trashëgimia e një diktature, dokumente dhe histori të Sigurimit të Shtetit”.

Ditën e dytë konferenca i zhvilloi punimet sipas programit. Secili institucion prezantoi raport të të punës gjatë vitit të fundit. Deklarata e Solidaritetit e Rrjetit, mbi fatin e dokumenteve të Shërbimeve Sekrete të Ukrainës u prezantua në vijim, sesion ku mori pjesë online dhe mbajti fjalën e tij, drejtuesi i Arkivave të Ukrainës.

Çështje të tjera, të rëndësishme për koordinimin në Rrjet, si ecuria e zhvillimit të faqes së përbashkët të Rrjetit dhe ekspozita e përbashkët lëvizëse ishin pjesë e diskutimeve.

Ditën e tretë, institucionet diskutuan me përvojat përkatëse mbi impaktin e pandemisë në punën e viteve të fundit.

Mbështetur në dokumentin e themelimit të Rrjetit, Drejtori i Arkivit Historik të Shërbimeve Sekrete Hungareze, Dr. Czech Gergöo Bendegüz i dorëzoi zyrtarisht Presidencën e Rrjetit Europian të Autoriteteve Zyrtare të Dokumenteve të Policive Sekrete, Presidentit të Arkivave Federale të Gjermanisë, Prof. Dr. Michael Hollmann.

Z. Bendegüz bëri njoftimin se pas Gjermanisë, sipas dokumentit të themelimit të Rrjetit, për periudhën 2023-2024 presidenca e Rrjetit do t’i kalojë Shqipërisë.