Takim ekspertësh mbi elementët e punës së detyruar në minierën e Spaçit

Takim ekspertësh mbi elementët e punës së detyruar në minierën e Spaçit

 

Tiranë 07.04.2023 -Puna e papaguar e kundërshtarëve politikë në miniera ishte një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut në komunizëm. Për elementin e punës së detyruar, pa pagesë si formë ndëshkimi për bindjet ose aktivitetet e politike, në të shkruarën, u bisedua me ekspertë financiarë, akademikë dhe  inxhinierë të industrisë minerare në vend.

 Kjo tryezë u mbajt në kuadër të aktiviteteve të Autoritetit  në përkujtim të 50 vjetorit të revoltës në burgun e Spaçit, dhe kishte si qëllim krijimin e narrativës për Spaçin, si burg dhe kamp pune.  Kjo tryezë u kryesua nga kryetarja e Autoritetit Dr. Gentiana Sula dhe anëtari z. Gjergj Marku,

 Biseda me profesorët dhe inxhinierët u përqendrua në zbërthimin e kontekstit  të punës të bërë nga ish-të burgosurit politikë në minierën  e Spaçit. Ekspertët i dhanë përgjigjeve disa nga pyetjeve që shqetësojnë grupin e punës si: Si kanë shkuar eksportet e industrinë nxjerrëse minerare në vite?; Sa ton bakër e piritit prodhohej në minierën e Spaçit? Sa ka qënë çmimi i shitjes?  Sa ishte numri i të dënuarve me punë të detyruar në Spaç ?; Sa ishte pagesa e punës së një minatori në muaj, krahasuar me pagesën e një të dënuari?.

 Dr.Viktor Doda, ish-ministër i Energjetikës dhe Minierave, vlerësoi  faktin se puna për nxjerrjen e bakrit dhe piritit në minierën e Spaçit bëhej vetëm nga ish-të dënuar politikë që vuanin dënimin në këtë burg. Ai tregoi për kushtet e rënda të punës si mungesa e veshjeve, masave mbrojtëse, ushqimi i keq që bëheshin edhe më çnjerëzore nisur nga abuzimet e punonjësve të policisë ngarkuar për ruajtjen e tyre.

Dr. Femi Sufaj, nëndrejtor i përgjithshëm i burgjeve  bëri vlerësime të hollësishme nga regjistrat e mbajtur në atë kohë rreth numrit të dënuarve, sasisë së bakrit që prodhonin dhe vlerën e pagës që ata merrni, ku evidentohej se për realizimin e normës 100 për qind të burgosurit paguheshin vetëm 10% të pagesës që merrte një minator në kushte të lira pune.

Prof. Dr Kimet Fetau, pedagog në Gjeologji Miniera theksoi se trauma që kalonin të burgosurit në Spaç si për nga vështirësia e punës ashtu edhe ajo e vuajtjes së dënimit ishte e lartë ndaj duhet të mbështeten nisma të dëmshpërblimit financiar për ta.

Ing. Fran Gjergji, u shpreh se fillimisht në vitin 1966 kur miniera u hap nxirrte vetëm 100 mijë tonë në vit,  ndërkohë një vit më vonë me futjen e të burgosurve politike ajo u rrit deri në 200 mijë tonë në vit, për të shkuar më pas deri në 1 milionë e 400 mijë tonë në vit. Ai dëshmoi se menjëherë pas vitit 1992 prodhimi dhe eksportit i bakrit ka rënë.

Agron Hoxha, ish- i dënuar në burgun e Spaçit, që ka punuar rreth 13 vite si minator tregoi për dënimin e padrejtë me punë të detyruar, kushtet dehumanizuese, pagesat qesharake të punës në minierë si dhe ndëshkimet e rastit, si ridënimi në se nuk plotësohej norma ose vuajtjet në birucën e izolimit ku i ftohti në temperaturat -15 gradë ishte i padurueshëm. 

Puna e papaguar në minierat u përdor si një mjet shtypjeje nga regjimi për t’i mbyllur gojën kundërshtareve politike, por faktet tregojnë se përdorej dhe si një mjet për sigurimin e forcave të punës së sektorët më të vështirë të prodhimit.

Puna e papaguar në minierat e kundërshtarëve politikë ishte shkelje e disa të drejtave themelore të njeriut, duke përfshirë të drejtën për liri nga skllavëria dhe puna e detyruar, të drejtën për lirinë e shprehjes dhe organizimit, dhe të drejtën për një gjykim të drejtë. Ajo ishte gjithashtu një shkelje e standardeve ndërkombëtare të punës, të cilat ndalojnë punën e detyruar dhe kërkojnë që punëtorët të paguhen për punën e tyre.

Autoriteti ruan dhe administron një larmi të madhe dokumentesh arkivore, të cilat përmbajnë dhe trajtojnë informacione e të dhëna rreth të burgosurve politikë që kanë punuar në miniera. Dokumentet, dëshmitë e mbledhura, fotografitë, filmimet na sigurojnë lëndët e parë jo vetëm për të zgjeruar punën me kujtesës po edhe për të interpretuar dhe analizuar me qëllim gjetjen e mekanizmave korrigjues për ata që pësuan padrejtësi, duke u përballur edhe me vdekjen në kampet e punës së detyruar, si në Spaç etj.