Autoriteti i Dosjeve dhe Universiteti i Shkodrës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi
Shkodër, 26.05.2025 -Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, me synim kryesor thellimin e kujtesës kolektive dhe studimin e veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit, veçanërisht në ndikimin që kjo veprimtari ka pasur në jetën e individëve dhe figurave publike të kohës.
Rektori i Universitetit të Shkodrës, Prof. Tonin Gjuraj, theksoi se marrëveshja mbështetet mbi katër shtylla kryesore:
Nxitja e kërkimit shkencor – Dokumentacioni i Autoritetit përbën një bazë të pasur për kërkuesit e interesuar në këtë fushë. Edukimi qytetar – Ballafaqimi me të shkuarën përmes analizës shkencore ndihmon në formimin e brezave të rinj. Zbardhja e së kaluarës komuniste – Përmes konferencave, botimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta, që synojnë ndriçimin objektiv të historisë. Akses në burime arkivore – Studentët dhe studiuesit do të kenë mundësi të përdorin kopje të dokumenteve me rëndësi për studimet e tyre, veçanërisht në ciklet e dyta dhe të treta të studimeve.
“Ka shumë për të eksploruar, por nuk janë bërë ende studime të mjaftueshme. Kjo është një fushë shumë interesante për kërkuesit e rinj,” – theksoi Prof. Gjuraj, duke shtuar se planifikohen edhe vizita studimore pranë Autoritetit.
Kryetarja e Autoritetit, znj. Gentiana Sula, vlerësoi marrëveshjen si një hap përpara në institucionalizimin akademik të kujtesës historike:
“Nuk mjafton që dokumentet të jenë të aksesueshme apo të deklasifikuara; nëse nuk lexohen nga mendjet e duhura, nuk marrin vlerën që meritojnë. Kjo marrëveshje i jep kujtesës një dimension të besueshëm, akademik, që synon të heqë stereotipet, të ndalë përçarjet dhe të ndërtojë një të ardhme më të mirë.”
Znj. Sula nënvizoi rëndësinë e historive lokale, që i japin kujtesës një fytyrë njerëzore: “Secili nga ne ka një histori, një emër, një fytyrë të lidhur me të shkuarën. Në Shkodër kjo është veçanërisht e fortë, qyteti ka pasur qëndresë dhe qytetarë aktivë. Jemi të gatshëm të mbështesim jo vetëm agjendën akademike të Universitetit, por edhe misionin tonë për informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut.”
Anëtarët e Autoritetit theksuan rëndësinë që ka hapja e dokumenteve të mbuluara nga “pluhuri i harresës” për rigjallërimin e kujtesës historike.
Z. Gjergj Marku: “Kur të shihen ato dosje, aty është rëndësia. Mjeshtëria e atyre që dinë t’i lexojnë do të mbetet në kujtesën e të rinjve dhe do të rifreskojë historinë.”
Z. Altin Hoxha: “Ky bashkëpunim i shërben zbardhjes profesionale dhe akademike të të shkuarës. Botimi i gjetjeve është shërbimi më i mirë që mund t’i bëjmë publikut. Kjo është rruga për të mos e përsëritur historinë.”
Marrëveshja e bashkëpunimit synon të krijojë ura të reja mes institucionit të kujtesës dhe atij akademik, për të ndihmuar në dokumentimin, kuptimin dhe ndarjen e së kaluarës me shoqërinë. Ajo do të shërbejë për nxitjen e kërkimit shkencor, për edukimin qytetar të brezave të rinj dhe për promovimin e një qasjeje të ekuilibruar e profesionale ndaj historisë së komunizmit në Shqipëri.