“Spaçi në arkiva- 50 vjet nga Revolta”, Autoriteti nxit akademikët për qasjen juridike në dokumente
Tiranë 4.5.2023 -Autoriteti për Informim me Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, mbajti sot aktivitetin “Spaçi në arkiva- 50 vjet nga Revolta”, në të cilën u ekspozuan dokumente nga arkiva e ish-Sigurimit të Shtetit për kampin e punës së detyruar në Spaç, revoltën, vendimet penale me vdekje dhe ridënimet.
Aktiviteti u zhvillua me praninë e përfaqësuesve të trupit diplomatik, ekspertëve të punës, pedagogë e student të jurisprudencës nga institucioneve publike e private arsimore vend, studiues e aktivistë të shoqërisë civile dhe të drejtave të njeriut, për të cilët u bën të njohura edhe dokumente të tjera, zyrtare, të siguruar në kuadër të bashkëpunimit institucional, mbi natyrën punës së detyruar gjatë diktaturës në angazhim e të burgosurve politik në nxjerrjen e mineralit të bakrit dhe piritit.
Dr. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit tha se : “Dokumentet nga arkiva e ish-Sigurimit të Shtetit, do të shërbejnë, së pari si bazë për ndërtuar narrativën e burgut të Spaçit si kamp i punës së detyruar dhe së dyti si burim faktesh për ndërtimin e analizës juridike mbi përdorimin e ‘ligjeve penale të kohës’ në zhvillimin e gjyqeve farsë, si mjet shtypje dhe kontrolli mbi kundërshtarët politikë. Analiza juridike e saj sot na ndihmon, të përmirësojmë sistemin e demokracisë, të përmirësojmë politikat e rehabilitimit dhe kompensimit financiar, si dhe siguron mosmohim të kostove të diktaturës.”
Mes të tjerash kryetarja e konsideroi këtë ditë si moment për t’i kërkuar viktimave, familjeve të tyre, studiuesve të rinj të shtojnë përpjekjet për përkujtim, transparencë dhe drejtësi, ndërsa parlamentit shqiptar t’i hapin rrugë ndërtimit të një muzeu që nderon kujtimin e tyre dhe edukon qytetarët.
Z. Nuri Stepa, dëshmitar i revoltës tregon për ato tre ditë proteste, ku të burgosurit u ngritën kundër keqtrajtimeve, punës skllavëruese, ditët pas revoltës, hetuesinë e egër dhe dënimet e rënda. ‘Na torturonin ditë e natë, deri sa humbin ndenjat”, thotë ai teksa sa sheh pas në kohë, ndërkohë që kërkon ngritjen e një muzeu kujtese në Spaç dhe ngritjen e një memoriali në qendër të qytetit në kujtim të katër të pushkatarëve.
Z.Gjergj Marku, Anëtar i Autoritetit foli mbi statistika të numrin e personave të burgosur në Spaç dhe sasinë e prodhimit të bakrit dhe piritit nxjerrë prej punës së tyre në 23 vjet të ekzistencës së kampit të punës Spaç. Sipas tij numri i të burgosurve që prej krijimit e deri në fillim të viteve ’80 ka qenë midis 900 -1200 vetëve. Nëpërmjet shfrytëzimit të punës së tyre u prodhuan në vite 2.82 milionë ton bakër dhe 1.3 milionë ton pirit.
Dr. Femi Sufaj, Nëndrejtor i Përgjithshëm i burgjeve foli vendimet e padrejta penale, mungesën e shtetit të së drejtës në diktaturë, si dhe kushtet e punës në nxjerrjen e mineralit të bakrit dhe piritit në këtë minierë, punën e detyruar dhe të papaguar, për të cilët të dënuarit merrnin vetëm 10% të pagës së minatorit të lirë.
Ing.Halit Shqarthi, nga “Alb Bakër” solli fakte nga prodhimi e bakrit dhe pirit në minerë. Sipas tij, në vitin 1969, miniera nxirrte vetëm 50 mijë ton bakër, ndërsa në vitin 1981, me rritjen e të burgosurve, prodhimi u rrit me 4 herë rreth 200 mijë tonë në vit. Dokumentet tregojnë se mes viteve ‘69-‘80 janë nxjerrë rreth 1 milionë e 200 tonë bakër.
Dr, Mirela Sinani, foli rreth veçorive të 45 të rrëfime të ish-të përndjekurve në këtë burg ku theksoi se dënimi në birucë nën temperaturat -15 gradë, vdekjet nga shembja e galerive, vetëvrasjet nga dëshpërimi, janë fakte që kërkojnë drejtësi nëpërmjet qasjes juridike.
Studiues Alfred Duka, studiues, analizoi letrën e Fadil Kokomanit dhe Vangjel Leshos, të dy të burgosur në Spaç, dërguar më 9 korrik 1978 në Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë kundër “regjimit obskurantist e famëkeq, të pashpirt e gjakatar” siç shkruanin dy gazetarët në të. Letra konsiderohet një akt i jashtëzakonshëm guximi dhe trimërie në atë “humnerë amoraliteti”, ku pushteti zotëronte fuqinë absolute ndëshkuese. Të dy u arrestuan dhe u dënuan me vdekje, pushkatim “për krijimin dhe pjesëmarrjen në një organizatë kundërrevolucionare” dhe “për agjitacion e propagandë”. Varret e tyre si dhe 48 të dënuarve, vdekur në këtë burg ende nuk janë gjetur.
Aktiviteti synoi nxitjen e analizës dhe debatin profesional juridik mbi zbatimin e ligjeve të kohës si: perspektiva e të drejtave të njeriut, liria e ndërgjegjes dhe lëvizjes, procesi i (pa)drejtë penal në gjyqet famëkeqe të dënimit, ridënimit, ekzekutimit, shkelja e dispozitave kushtetuese për pagesën e pabarabartë të punës etj, synim që gjeti mbështetje nga partnerët akademikë të Autoritetit, si Shkolla e Magjistraturës, Universiteti Evropian i Tiranës dhe Fakulteti Drejtësisë të Universitetit i Tiranës.
Revolta e Spaçit përbën një pikë kulmore në historinë e qëndresës antikomuniste, por edhe të lëvizjes për liri e demokraci. Si e tillë, përkujtimi dhe zbardhja e historisë së ngjarjes, e personave që u përfshinë në të, e të gjithë vlerave kombëtare që përcjell, për ndërgjegjësimin e brezave mbi të shkuarën e vendit është e rëndësishme. Ndërtimi i një muzeu kujtese dhe i një memoriali kushtuar të vrarëve mbetet ende një sfidë për shoqërinë.
Në kuadër të edukimit qytetar dhe informimit të publikut, Autoriteti ka në qendër të misionit të tij nxitjen e dialogut mbi të shkuarën e vendit nën regjimin komunist, dhe e bën këtë duke organizuar një gamë të gjerë projektesh, nga ekspozita dhe botime deri te seminare, vizita studimore dhe konferenca, takime, tryeza, projekte audiovizuale, etj.
Grupi i punës së Autoritetit ngritur në përkujtim të 50-vjetorit të revoltës së burgut të Spaçit ka punuar për sjelljen e 45 intervistave audio-vizuale me ish të përndjekur politikë në këtë burg si dhe fëmijët e tyre. Studiuesja Mirela Sinani do të punojë për përgatitjen e tyre në një botim përmbledhës ndërkohë që rrëfimet do të shërbejnë për ndërtimin e një dokumentari kushtuar kësaj ngjarjeje.
Autoriteti po punon, nëpërmjet shkrimtares për fëmijë Rovena Rozhani, në hartimin e një libri për fëmijë dhe short video për Platformën- “Të mësojmë për të shkuarën- burime arsimore të hapura 1944-1991”. Tekstet do t’u vijnë në ndihmë mësuesve të historisë, me qëllim përcjelljen e ngjarjes tek nxënësit e sistemit parauniversitar.
Autoriteti zhvilloi edhe një konkurs mes nxënësve të shkollave artistike të vendit, nëpërmjet bashkëpunimit mes AIDSSH-së dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, për krijimin e një logoje kushtuar 50–vjetorit të Revoltës së Spaçit, me qëllim final edukimin e brezit të ri rreth padrejtësive të së kaluarës dhe nevojës në rritje për respekt ndaj viktimave. Bazuar në pëlqimet e mara, fitues është punimi i nxënësit Rodjon Zhuri klasa XII-të, shkolla artistike “Ajet Xhindole” Berat. Kjo logo do të përdoret përgjatë vitit 2023 në komunikimin shkresor zyrtar të Autoritetit.
Në datën 19 maj, në shenjë përkujtimi, Autoriteti do të organizojë një udhëtim- pelegrinazh në rrugën që shpie në këtë burg. Një instalacion artistik ndërtuar me silueta njerëzore, me informacion mbi përjetime e ndjesi të familjarëve të ish-të dënuarve të burgut të Spaçit, me qëllim njohje dhe reflektim mbi të shkuarën, do të vendoset në rrugën që kanë përshkuar çdo ditë gratë, fëmijët dhe familjarë e të dënuarve, Shpal-Reps-Spaç. Në datën 22 maj, ora e parë e mësimit në sistemin parauniversitar do t’i kushtohet përkujtimit të kësaj ngjarje si nevojë për ndërgjegjësimin e brezave mbi të shkuarën e vendit.