Si ti qasemi të vërtetës në dosjet e Ish-Sigurimit të Shtetit, AIDSSH dhe OSBE sjellin në Tiranë eksperten ndërkombëtare të komunikimit të arkivës së Stasit

25 tetor 2024, Tiranë-14 gazetarë të redaksive të kulturës dhe çështjeve të arsimit, te medias elektronike dhe të shkruar, 7 kërkues shkencorë te departamenteve të kërkimit shkencor në universitetet private dhe publike si dhe 11 studentë të komunikimit, gazetarisë, historisë,sociologjisë dhe shkencave politike morrën sot pjesë në Punëtorinë- Qasja në Dosjet e ish-Sigurimit të Shteti.

Kjo punëtori u drejtua nga Dagmar Hovestadt, ish-zëdhënëse për Arkivat e Stasit në Gjermani, një eksperte me përvojë të gjatë në komunikimin dhe menaxhimin e dokumenteve të policisë sekrete.

Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula, në mesazhin e saj, tha se : "Për çdo shoqëri demokratike, hapja e dokumenteve sekrete është e rëndësishme, për reflektim përmirësim, transparencë po sidomos hapja e dokumenteve të një diktature të zgjatur si ajo e jona, jep një shans më shumë për të kuptuar kostot e demokracisë, për të nderuar dhimbjet e viktimave dhe familjeve të tyre dhe për të siguruar një shoqëri demokratike, funksionale të tipit evropianoperëndimor.

Arkivat që ne administrojmë përbëjnë një pasuri të vyer për të kuptuar 50 vitet e regjimit diktatorial në Shqipëri, periudhë gjatë së cilës të drejtat themelore të njeriut u nëpërkëmbën, familjet u persekutuan dhe fjalës iu mohua liria.

Në këtë arkiv gjenden dëshmi të një shoqërie që është përballur me dhunë, censurë dhe propagandë. Këtu vijnë çdo ditë familjarë të prekur, të cilët ndajnë histori njerëzore që ngarkohen me dhembje dhe shpesh na përlotin. Për këtë arsye, roli ynë si kujdestarë të këtyre dokumenteve nuk është vetëm për të ruajtur historinë, por për të mbrojtur të vërtetën e viktimave dhe për të siguruar që zëri i tyre të mos zhbëhet.

Në bashkëpunim me median dhe studiuesit, qëllimi ynë është të sigurojmë një pasqyrim sa më të saktë të realitetit historik, duke i shërbyer së ardhmes dhe brezave të rinj me përgjegjësi të lartë etike. Gazetarët dhe studiuesit janë të mirëpritur të zhyten në këtë material, për të sjellë në dritë fakte të verifikuara dhe të analizuar nga konteksti i kohës së sotme. E vërteta në këtë kontekst është shumëdimensionaliteti i përvojave të njerëzve dhe ndërthurja e historive personale që na sjellin përpara një tabloje të plotë të asaj që ka ndodhur."

Z. Mauro Puzzo, kreu i departamentit ligjor në OSBE, tha se me këtë rast se: "Transparenca është çelësi për një shoqërie të shëndetshme dhe të informuar. Kur qasja në dokumentet sekrete është e drejtë, e hapur dhe e përgjegjshme, ato bëhen mjete të fuqishme për të kuptuar të kaluarën dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë."

Znj.Dagmar Hovestadt, eksperte e komunikimit, gazetare, me një karriere te gjatë në detyrën si zëdhënëse e Arkivit të Stas, theksoi në fjalën e saj, se roli i medias dhe kërkuesve është jetik në këtë proces, duke sjellë në dritë historitë e harruara dhe duke ndihmuar publikun të reflektojë mbi të shkuarën me një sy kritik, por gjithmonë të bazuar në fakte.

Punëtoria vijoi me tej me paraqitjen e eksperiencës së gazetares së News 24, Fatmira Nikolli dhe anëtarit të Autoritetit, Albert Nikolla në pozitat e kërkuesit shkencor gjatë punës me dokumentet.

Rasti Camaj dhe keqpërdorimi i dokumentave nga kërkues ishte pjesë e diskutimit të kësaj punëtorie, qëllimi i së cilës ishte kuptimi më i qartë i kontekstit historik dhe ligjor të mbledhjes së këtyre të dhënave dhe transformimi i tyre në një rrëfim gazetaresk të bazuar mbi të vërtetën.

Punëtoria mblodhi të opinionet e medias dhe kërkuesve rreth Manualit për Kërkues dhe Media, i cili do të finalizohet në bashkëpunim me eksperten e kontraktuar nga OSBE.