Reagim publik i AIDSSH për interpretimet e rastit Sheshi në media

Tiranë, 12 nëntor 2019 – Referuar të drejtës së replikës, Kodit të Etikës së Gazetarit, saktësisë së informacionit të trajtuar dhe gazetarisë së paanshme, dinjitetit për personit dhe besueshmërisë së institucionit, AIDSSH reagon në përgjigje të shkrimeve të publikuara në gazetën Sot, nënshkruar nga Ornela Çelpica këtu dhe në Shqiptarja.com, nënshkruar nga Elton Qyno këtu. Shkrimet trajtojnë vendimmarrjen e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe proceset gjyqësore të ndërsjella lidhur me anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, z. Bujar Sheshi.

Së pari, Autoriteti është organ i pavarur, i krijuar me ligjin 45/2015 dhe nxjerr vendime të marra në mënyrë kolegjiale, me integritet dhe paanësi. Sipas neni 7 të ligjit, AIDSSH ka pavarësi të plotë në vendimmarrje, ku duhet të arrihet shumica e nevojshme e përcaktuar në Rregulloren për Funksionimin dhe Organizimin e Autoritetit.

Sa më sipër, aludimet për lidhje të këtij institucioni me figura qendrore shtetërore dhe politike, në rastin më të mirë janë moskuptim i procedurave ligjore të sipërcituara, të cilat janë të detyrueshme për t’u zbatuar nga Autoriteti në ushtrimin e funksioneve të veta dhe në rastin më të keq janë veprime që errësojnë situatën faktike, për mosnxjerrjen në dritë të dokumenteve autentike dhe fakteve të pakontestueshme që ka paraqitur Autoriteti në vendimmarrjen përkatëse dhe në procesin gjyqësor të lidhur me verifikimin e pastërtisë së figurës të  z. Bujar Sheshi (Shesha).

Së dyti, citohet në mënyrë të pasaktë se dy gjykata kanë rrëzuar vendimmarrjen e Autoritetit me vendime të formës së prerë, ndërkohë që Autoriteti ka ankimuar në Gjykatën e Apelit Tiranë vendimin e Gjykatës Administrative e Shkallës së Parë, duke kërkuar ndryshimin e vendimit dhe rrëzimin e kërkesë–padisë.

Kurse, sa i takon Vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, çështja penale nuk e përfshin Autoritetin në cilësinë e palës në hetim apo në gjykim. I takon Prokurorisë së Përgjithshme që ka bërë kallëzimin, të vijojë apo jo procedurën e ankimit ndaj palës së kallëzuar.

Gjithsesi, nëse do të lexohet me vëmendje përmbajtja e vendimit gjyqësor vërehet se, në asnjë rast, dokumentacioni autentik i disponueshëm, i identifikuar dhe administruar nga Autoriteti, i krijuar nga struktura të ish-Sigurimit të Shtetit, nuk është kontestuar për vërtetësinë e tij dhe ekspertimi teknik nga Instituti i Policisë Shkencore thotë se “nuk konstatohen gjurmë të falsifikimit teknik, si ndërhyrje në formën e korrigjimeve, fshirje, shtesa, mbajtje modifikime, etj”.

Sa më sipër, Autoriteti ka pasqyruar në mënyrë të plotë të saktë e me transparencë çdo informacion, çdo element të dokumentit të gjetur, të krijuar apo në përdorim të strukturave të ish-Sigurimit.

Së treti, aludohet pa të drejtë se Autoriteti duhet të ishte përgjigjur brenda shtatë ditëve për kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm. Në fakt, në asnjë nen të ligjit nr. 45/2015, ligjvënësi nuk ka përcaktuar afate kohore, por shprehet se “në varësi të kompleksitetit dhe shkallës së vështirësisë të evidentimit të dokumentacionit, për çdo rast, Autoriteti përgjigjet brenda një afati të arsyeshëm”. Duhet mbajtur parasysh se kur është fjala për dokumente arkivore ka vështirësi në evidentim të dokumenteve të fondeve të ish-Sigurimit, që përfshijnë rreth 22.000.000 dokumente, në pjesën dërrmuese në kopje fizike, proces që sot është në fillimet e automatizimit, njëra nga sfidat me të cilat përballet arkivi i Autoritetit.

Për sa i takon aludimit të pasaktë për vonesë në trajtimin e kërkesës për korrigjimin e vendimit, paraqitur Autoritetit, vetë z. Bujar Sheshi iu drejtua me kërkesë-padi Gjykatës Administrative me objekt shfuqizimin e aktit administrativ të Autoritetit, pa pritur që AIDSSH të shqyrtonte kërkesën e tij.

Së katërti, sa u takon pasaktësive në shkrime në lidhje me aludimet për gjeneralitetet e zotit Sheshi, në vendimin gjyqësor me nr. akti 3011 të datës 11.09.2019, thuhet se ky mbiemër nuk është përdorur kurrë nga ai, vetëm në gjendjen civile dhe vetëm në pasaportë është shënuar “Shesha”. Në këtë kontekst, komentet për dokumentet bazë të gjeneralitetit të personit janë të tepërta.

AIDSSH fton mediat dhe të gjithë të interesuarit që të verifikojnë informacionet pranë institucionit si burim zyrtar, në ushtrim të së drejtës për informim, në kuadër të transparencës dhe zbatimit të ligjit.

Autoriteti është i hapur për bashkëpunim dhe e zhvillon veprimtarinë e vet për zbardhjen e së shkuarës, informimin e publikut dhe kujtesën, me integritet, profesionalizëm dhe paanësi politike.