Tiranë, 8 maj 2019 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit raportoi sot në seancë plenare për punën e tij gjatë vitit 2018, në Kuvendin e Shqipërisë.
Kryetarja e AIDSSH-së, znj. Gentiana Sula bëri një paraqitje të arritjeve të veprimtarisë së institucionit, duke renditur treguesit kryesorë të fluksit të punës së deritanishme, sa u takon kërkesave individuale, zyrtarëve të verifikuar për ekzistencën në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit me kërkesë institucionale, dhe kërkesave të studiuesve e medias, që u janë shërbyer qindra dosje, janë deklasifikuar 33.700 fletë dokumente arkivore dhe digjitalizuar mbi 150 mijë faqe dokumente gjatë vitit 2018.
Që nga krijimi e deri më sot, në kuadër të plotësimit të objektivit 16 të zhvillimit të qëndrueshëm të Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe Konventës së OKB-së për Zhdukjet me Forcë, në adresë të Autoritetit janë paraqitur rreth 80 kërkesa me objekt rehabilitimin dhe qartësimin e fatit të vdekurve apo të të zhdukurve, pjesa më e madhe të përfunduara.
Gjatë vitit 2019, për shkak të ligjit të vettingut në Policinë e Shtetit dhe për faktin që është vit zgjedhor, pritet dhjetëfishim i punës së institucionit.
E fokusuar në tre drejtime: – aksesi i çdo qytetari në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit sipas ligjit 45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit” dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij; vlerësimi i cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve/zyrtarëve përpara emërimit apo ngritjes në detyrë, kur kjo kërkohet nga institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, sipas një hierarkie të parashikuar në ligj, si dhe të gjithë të zgjedhurve nga populli, deputetë dhe të zgjedhur vendorë; dhe krijimi i infrastrukturës së duhur për mundësimin e kërkimit shkencor dhe informimin e medias mbi veprimtarinë dhe historikun e ish-Sigurimit të Shtetit, – puna e Autoritetit ka njohur jo pak sfida.
Sipas kryetares Sula, “roli i Autoritetit për zbardhjen e së shkuarës, nëpërmjet dokumentacionit arkivor të administruar, – mbi 2.2 km dokumente, ku rreth 70% e tyre përbëjnë sekret shtetëror dhe i vihen në dispozicion publikut, sipas kërkesës, – është shumë i rëndësishëm për shoqërinë e sotme shqiptare, që hedh hapa drejt Europës dhe duhet të ndahet qartësisht nga e shkuara totalitare”.
Administrimi i disa qindra mijëra dosjeve dhe arritja e shumë qytetarëve, të interesuarve dhe të rinjve me informacion mbi të kaluarën realizohet nëpërmjet një strategjie gjithëpërfshirëse komunikimi, që fokusohet te të përndjekurit, familjet e tyre dhe shoqatat e të drejtave të njeriut, të rinjtë dhe publiku i gjerë, përmes botimeve të institucionit, në letër dhe online dhe platformave ndërvepruese të Autoritetit, Edhe Muret Kanë Veshë, www.evenwallshaveears dhe www.n.autoritetidosjeve.gov.al,
Kjo e ka zgjeruar ndjeshëm hartën e veprimtarisë së AIDSSH-së në 2018, me komunitetet lokale, si në Shkodër, Tepelenë, Konispol, Pukë, Mirditë, Berat, Korçë e Gjirokastër. Po ashtu, jashtë vendit, me marrëveshje bashkëpunimi apo shkëmbime përvojash në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani, Zvicër, Çeki, Poloni, Bullgari, Rumani, Izrael, duke arritur shumë individë, bashkësi dhe institucione të kujtesës.
Në emër të Autoritetit, kryetarja Sula paraqiti nevojën për disa ndryshime ligjore, referuar praktikave të krijuara, problematikave të shfaqura gjatë ushtrimit të detyrave funksionale të institucionit dhe në kuadër të vendosjes së standardeve e unifikimit apo përafrimit të legjislacionit midis Autoritetit dhe institucioneve të tjera kushtetuese apo të pavarura.
Për këtë, është parësor bashkëpunimi ndërinstitucional, ku AIDSSH është i gatshëm të jetë pjesë edhe e grupeve të punës mbi reformën në sistemin zgjedhor, partitë politike, etj.
Ndryshimet e kërkuara ligjore kanë të bëjnë me Ligjin 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”; Ligjin 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, në vijim të bashkëpunimit midis dy institucioneve dhe praktikave të krijuara, lidhur me procesin e verifikimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të punonjësve të MEPJ; Ligjin nr. 10019 datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, me draft/propozim për përmirësime të nevojshme të kuadrit ligjor zgjedhor, për qëllime të transparencës së figurës së kandidatëve gjatë fushatave elektorale, që komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore mund t’i materializojë në dispozita të reja ligjore, si dhe ndryshime të mundshme në Vendimin nr.188 datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”, dhe Pyetësorin e Sigurisë, në këndvështrimin ligjor të Autoritetit. Ndryshimet e mësipërme si dhe kërkesat konkrete për mirëfunksionimin e punës së AIDSSH-së i janë përcjellë Kuvendit të Shqipërisë në seancën dëgjimore me Komisionin e Ligjeve.
Deputetët Korab Lita, Artur Roshi, Myslim Murrizi dhe Ralf Gjoni morën fjalën në përfundim të raportimit të kryetares Sula, duke paraqitur qëndrimet përkatëse për punën e Autoritetit dhe sugjerimet për të ardhmen, kryesisht sa u takon ndryshimeve ligjore dhe plotësimit të nevojave të institucionit për mbarëvajtjen e aktivitetit të tij.
Një ditë më parë, në kuadër të kontrollit parlamentar në institucionet e pavarura, një përfaqësi e zgjeruar e deputetëve të Kuvendit, e kryesuar nga z. Ulsi Manja, kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, zhvilloi një vizitë informuese në mjediset e Autoritetit dhe arkivat e tij, të shpërndara në SHISH dhe IQPQ, po ashtu në ndërtesën e re të institucionit, në të cilën pritet të vendosen arkivat dhe administrata.
Vizita i shërbeu njohjes nga afër me gjendjen aktuale të arkivit të AIDSSH-së, vendruajtjet e dokumenteve arkivore dhe procedurat e arkivimit, administrimit, kërkimit, përdorimit dhe informimit të dokumenteve të krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit.
***
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.
AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.