Duke marrë shkas nga një deklarim i Z. Agron Tufa në mediat sociale më datë 26 nëntor 2018, mbi trajtimin e konfliktit të interesit me subjekte që kanë lidhje me struktura të ish-Sigurimit, ju njoftojmë si më poshtë:
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit duke u bazuar në Ligjin 9367, datë 7/4/2005, “Për parandalimin e Konfliktit të Interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, me Vendimin nr. 13, datë 14/04/2017, ka miratuar “Rregulloren për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksoneve publike në AIDSSH”, së bashku me formularët e deklarimit të konfliktit të interesit apo edhe të konfidencialitetit, e cila funksionon dhe zbatohet rigorozisht nga gjithë stafi i AIDSSH.
Qëllimi i kësaj rregulloreje është garantimi i vendimmarrjeve të paanshme dhe transparente në mënyrë që ti shërbehet publikut në mënyrën më të mirë të mundshme nga ana çdo punonjësi të AIDSSH, përfshi organet vendimmarrëse të këtij institucioni, dhe sidomos në raport me vetë Sigurimin e Shtetit. Sipas rregullores, çdo anëtar dhe nëpunës i AIDSSH-së ka plotësuar dhe depozituar formularët e deklarimit për qenien ose jo në kushtet e konfliktit të interesit.
Përpos kësaj, rregullorja përcakton dhe një formular për deklarimin e konfliktit të interesit “rast pas rasti”, të cilën e plotesojnë përmes vetëdeklarimit, punonjës të caktuar që mund të përfshihen në proceset mbi subjektet me të cilët kanë konflikt interesi. Këto subjekte mund të jenë pjesë e punës së tyre në trajtimin e kërkesave te ardhura nga një institucion publik, apo nga persona privatë. Ky formular plotësohet nga punonjësi në konflikt interesi i cili jep dorëheqjen nga përfshirja në çështjen në fjalë.
Kjo procedurë zbatohet gjithmonë dhe është zbatuar rreptësisht, duke përfshirë rastet që janë përmendur me emër në prononcimin tuaj në media sociale.
Gjithashtu bëjmë me dije se të gjithë punonjësit janë verifikuar nga Autoriteti dhe në vendimmarrje kanë rezultuar që nuk kanë qenë të survejuar, bashkëpunëtorë apo të favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit.
Autoriteti në punën e tij udhëhiqet nga ligjshmëria, informimi i publikut me transparencë, në mbrojtje së të drejtës për jetë private dhe të dhënave personale, mbrojtjen e të dhënave që përbëjnë informacion të klasifikuar dhe bashkëpunimit midis institucioneve shtetërore. Në bazë të këtij të fundit, do të vlerësonim që ISKK me të cilët kemi dhe marrëveshje bashkëpunimi, të na drejtohet për sqarim në çdo rast që nevojitet