Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) dhe Institutin e ish-të Përndjekurve Politikë prezantoi dy aplikacione online, të cilat do të ndihmojnë procesin e gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri.
Aktiviteti u zhvillua Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, në mjediset e Autoritetit pranë Gardës së Republikës, në prani të familjarëve të të zhdukurve, shoqatave për të drejtat e njeriut.
Aplikacionet online që u prezantuan nga institucionet dhe organizmat që po punojnë në këtë fushë, do të ndihmojnë në procesin e gjetjes dhe identifikimit të personave të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri. Ata do të jenë të ndërlidhura me faqen e AIDSSH dhe të IIPP dhe janë në dispozicion të publikut në gjuhën shqipe.
Për të pranishmit folën znj. Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit dhe z. Matthew Holliday, drejtor i Projektit të ICMP për Ballkanin, i cili prezantoi Qendrën e Kërkimit Online të ICMP dhe treguesin e vendvarrimeve, si dy mundësi për të ndihmuar familjarët e personave të zhdukur të raportojnë rastet dhe të marrin informacion në lidhje me statusin e rasteve individuale të personave të zhdukur. Familjarë të të zhdukurve bënë prezente rastet e tyre.
Kryetarja Sula tha, se “eshte njerezore qe cdo person te kete nje varr, dhe eshte detyre e familjareve te personave te zhdukur te mos humbin shpresen dhe te mos pushojne perpjekjet per te gjetur te dashurit e tyre te munguar”.
Qendra e Kërkimit Online e ICMP-së (OIC) është një mjet për të siguruar informacion për një person të zhdukur. Ky burim online mund të përdoret nga familjet e të zhdukurve dhe të tjerët.
Zhvilluar mbi bazën e përvojën afatgjatë të ICMP për të ndihmuar qeveritë, familjet e të zhdukurve dhe të tjerët, OIC është një vend ku informacioni konkret dhe i përdorshëm mblidhet e ruhet në mënyrë që të mund të përdoret kur është e nevojshme në kërkimin e personave të zhdukur. Aplikacioni mundëson paraqitjen e rasteve të personave të zhdukur duke dhënë detaje, si emrin, datën e lindjes, vendin ku personi i zhdukur është parë së fundmi.
Nëse ka informacion shtesë për një person të zhdukur, mund të paraqitet edhe ai. Aplikacioni mundëson edhe marrjen e informacioneve nga familjet e personave të zhdukur që kanë dorëzuar kampionët e ADN-së tek ICMP, për të përcjellë statusin e rastit në secilën fazë të përpunimit.
Treguesi i vendvarrimeve është aplikacion lehtësisht i përdorshëm dhe lejon raportimin e varreve masive dhe vendeve të tjera ku mund të gjenden mbetje njerëzore të personave të zhdukur. Informacioni mund të jepet në mënyrë anonime ose jo, duke u mundësuar përdoruesve që të japin informacion mbi vendndodhjen e varrezave klandestine. Të gjitha informacionet e dhëna janë konfidenciale dhe ruhen në bazën e të dhënave për t’u përdorur në procesin e gjetjes dhe identifikimit.
Më 18 korrik 2018, ICMP nënshkroi një marrëveshje me qeverinë shqiptare për ta vënë në baza institucionale punën për kërkimin dhe gjetjen e të zhdukurve. AIDSSH dhe IIPP janë të angazhuar në këtë proces.