Porto Palermo në tre kohë AIDSSH kujton viktimat pafaj

Porto Palermo 23 Gusht 2024- Një dokument i Agjencisë Amerikane të Inteligjencës (CIA), (Shkurt 1950), raporton për rrugëtimin në 20 janar të vitit 1950 të 14 makinave me persona të internuar, pjesëtare të familjeve nacionaliste, nga burgu i Shkodrës drejt kalasë në Himarë. Të internuarit e rinj gjejnë aty të tjerë si ata, të transferuar nga kampi i internimit të Tepelenës. 75 vjet më parë në burgun e kësaj kalaje, përdorur më parë nga pushtimi fashist për kundërshtaret politikë, u mbyllen fëmijë, gra e pleq, dënuar pa proces, pa gjyq. Ata ishin viktimat e para të luftës tragjike të klasave që nisi në mbarim të Luftës së Dytë Botërore.

 Në kuadër të Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, e përcaktuar nga Parlamenti Evropian, KE dhe Këshilli i Evropës, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Bashkinë e Himarës, të mbijetuar e familjarë të tyre, nderuan vuajtjen e të miturve, grave, të rinjve, e të moshuarve pa faj që u internuan në Porto Palermo.

 Ceremoninë e përkujtimi e përshëndeti Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali: "Ka vetëm 3 dekada e pak që Shqipëria u nda nga diktatura komuniste. Foshnjet e lindura në atë kufi thyerje të historisë tashmë janë prindër e prindërit e tyre janë gjyshër nipash e mbesash. Është shumë e vështirë t’i shpjegohet fëmijës së sotëm se çfarë ishte burgu i ndërgjegjes. Se çfarë peshe kishte dera e qelisë. Sa e errët ishte humbella e galerisë ku punohej skllavërisht. Se çfarë makthi ishin telat me gjemba, apo sa vriste plumbi që qëllonte në emër të ideologjisë që ndanë shqiptarin nga shqiptari, nënën nga biri, motrën nga vëllai, fqinjin nga fqinji. Që i ndante me barriera frike e urrejtjeje, refuzimi e mohimi”.

 Kryetarja AIDSSh, Gentiana Sula: “Jemi këtu për të kujtuar viktimat e dy ideologjive më të rrezikshme të shekullit 20, fashizmit dhe komunizmit të cilat shkaktuan shumë viktima të pafajshme. Ne synojmë të nderojmë historitë e njerëzve tanë që u detyruan me forcë të jetojnë në këto kampe dhe të parandalojmë që tragjedia e tyre të mohohet e harrohet.

Përkujtimi është një akt jetik për të kuptuar pasojat e tyre tragjike të mekanizmave totalitare dhe për të ndërtuar shoqëri të drejta e paqësore në të ardhmen.

 Përmes përkujtimit ne frymëzojmë ndenjën e tolerancës në shoqëri, ndriçojmë skutat më të errëta të historisë, me misionin për mbushur hendekun që kanë lënë pas lufta për pushtet dhe përplasjet ideologjike që vijojnë ende në ditët tona, përmes mohimit të së vërtetës”.

 Drejtoresha e Qëndrës Kombëtare Librit Leximit, znj. Alda Bardhyli, iu bashkua misionit të AIDSSh-së përmes aktivitetit Varg Festival, ku aktorët Dritan Boriçi dhe Kudrejt Alikaj sollën poezitë e Luan Ramës mbi historinë e të internuarve në Porto Palermo, përmes një performancë artistike krijuar nga Rovena Rrozhani me dëshmi të mbijetuarve të këtij kampi.

 Et’hem Fejzollari, kryetar i Shoqatës Antikomuniste e Ish-të përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë: "Unë isha 5 vjeç i internuar në Tepelenë dhe mund të quaj me plot gojën që ajo që ndodhi me ne ishte gjenocid. Ne u ndëshkuam edhe pse fëmijë. Njerëzit tanë vazhdojnë të vuajnë ata nuk i kanë gjetur ende eshtrat e shumë prej atyre që vdiqën në këtë kamp."

 Përfaqësuesi i Bashkisë së Himarës, Klajdi Mata i dorëzoi përfaqësuesve të familjeve, çmimin e solidaritetit për familjet Mirakaj, Kaloshi, Ndreu, Mavrovo, Lolo, Kthupi,Capi, Çaushaj.

 Dëshmitë e mbledhura nga AIDSSH të katër të dënuarve në Porto Palermo ndërsa ishin fëmijë, Lek Pervizi, Lek Mirakaj, Dine Dine, Mirakaj dhe Rudina (Dema) Mane sollën atmosferën e atyre viteve të ashpra.

 Eventi u pasurua nga ekspozita me piktura e Lek Pervizit ku janë përfshirë portrete të disa prej personave që kanë vuajtur dënimin në Kalanë e Porto Palermos, gjatë viteve 1949 -1950 kur kalaja shërbeu si kamp burg për gra, burra e fëmijë. Ekspozita do të qëndroje e hapur për dy ditë..

 Sipas dokumente arkivore, kampi i internimit që kish shërbyer deri në 1942 si burg për kundërshtarët e pushtimit fashizmit, u rihap shtatë vjet më vonë pas vendosjes së komunizmit në vend, për fëmijë, gra e pleq, pa proces, pa gjyq, por në bazë të një dënimi kolektiv -si shfaqje e luftës tragjike të klasave.

 Historia e kampit -burg të Porto Palermos është shumë pak e dokumentuar. Të dhënat e gjetura si : një fletë regjistri me statistikat e të internuarve (Arkivi i AIDSSH-së, Fondi nr, 4,Dosje nr.70), pak rreshta në dosjet individuale të ish-të dënuarve dhe dëshmitë gojore të mbledhura nga të mbijetuarit të këtij kampi hedhin dritë mbi historinë e errët të ekzistencës së kampit ç‘njerëzor.

 Në vijim të punës për zbardhjen e funksionimit dhe vuajtjeve në këtë kamp, Autoriteti në bashkëpunim me Bashkinë Himarë, synojnë të fusë në hartën e institucioneve të vuajtjes edhe burgun e kalasë së Porto Palermo, gjerësisht, për të rrëfyer një kohë të gjatë shtypjeje dhe mbijetese, që zë fill në Luftën e Dytë Botërore dhe vijon me vendosjen e regjimit komunist.

"Ne synojmë që këto vende të kthehen në vende kujtese kur qytetarët dhe të rinj të edukohen me ngjarje të së shkuarës dhe i kërkojmë Bashkisë, Këshillit Bashkiak që në këtë kala të vendoset një pllakë që kujton dhe nderon kujtimin e atyre që vuajtën në këto kamp."-tha kryetarja e AIDSSH.

 Çdo 23 gusht, Autoriteti me të mbijetuar e familjarë të tyre nderojnë vuajtjen e të miturve, grave e të moshuarve pa faj që u internuan në kampin e Tepelenës. Këtë herë u zgjodh Porto Palermo.

 

Fjala e Kryetares së Autoritetit, Dr. Gentiana Sula me rasti e eventin “Porto Palermo Tjetër- Nga kamp, në përkujtim.”

Porto –Palermo, një kamp  në tre kohë

22 gusht 2024

Familjarë të mbijetuar të këtij kampi dhe kampeve të ngritura në Shqipërinë staliniste

Të nderuar të ftuar,

Mirëserdhët këtu me ne në përkujtimin  e 23 gushtit, ditës që nderon viktimat e sistemeve totalitare, qoftë komunizëm, qoftë fashizëm,  dy ideologji politike vrastare të shekullit 20 që prodhuan krimet më të mëdha që kishte njohur njerëzimi. 

E cilësuar si Dita e Fjongos se Zezë, të cilën mbarë Evropa e kujton si ditën kur Ribbentrop dhe Molotov, dy figura përfaqësuese me ideologji të kundërta, ranë dakord për të marrë në mënyrë grabitqare territore të tëra, histori, kultura kombëtare të popujve që i shikonin si plaçkë të vetën. Dy ideologji që siç e provoi historia, synuan të shfarosin çdo ide politike e sociale, kulturore e tradicionale në lidhje me të mirën dhe keqen.

Kalaja në tre kohë. 

Historia e saj na tregon se ndërtimi i kështjellës ishte një ëndërr e vjetër, gati 400 vjeçare e banorëve të Himarës, që do t’i jepte siguri varkave të shkëmbimit të mallrave në port. Kjo ëndërr dëshmonte nevojë njerëzore për forcë, qëndresë, zhvillim e prosperitet. 

Por historia të cilën kujtojmë sot, u zhvillua në atmosferën e brujtur me dhunë e fatkeqësi të shekullit e 20, kur kjo kala kthye në një vend dënimi e internimi për kundërshtarët dhe viktimat e dy ideologjive, për të marrë me tej formën e një bazë ushtarake, produkt i luftës së ftohtë, mes Perëndimit edhe Lindjes, apo izolimit dhe antagonizimin e Shqipërisë nga të dyja botët, në të njëjtën kohë. 

Si fashizmi dhe komunizmi, dy dërrasa të kalbëzueshme të klikave sunduese që nuk u kthyen kurrë në anijen që do të shpëtonte të ardhmen e botës, izoluan në këtë burg kundërshtarët politikë, me qëllim terrorizimin e çdo burimi të mundshëm të rezistencës.

Kalaja si kamp-burg në pushtimin fashist. 

Nga koleksionin arkivor që AIDSSH mblodhi për të identifikuar kalanë e Porto Palermos, si vend i vuajtjes së dënimit, verifikoi se, gjatë pushtimit fashist (1939-1943), në të u internuan “komunistët dhe patriotët shqiptarë”. Ky kamp nuk ishte i vetmi. Dokumenti përmend kampe në Gramsh, Peqin, Peshkopi, Burrel, Bar, Romë, Napoli, etj.(Historiku i Sigurimit të Shtetit 1943-44, mbështetur në dokumentet e Lugotencës). Nuk kemi gjetur ende të dhëna për numrin e personave të dënuar në të, apo emrat e tyre, por dimë  që shumë prej tyre u internuam në viset e Italisë.

Mbi përplasjen e dy ideologjive në terrenin shqiptar, diskutuam  edhe në simpoziumin  e mbajtur, në 23 gusht 2023 në ish-kampin e internimit të Tepelenës, ku si në Porto Palermo, gjejmë gjurmë që ka lënë historia e dy regjimeve, fashiste dhe komuniste. 

Dy prej studiuesve shkencore, kontributorë të partnerit tonë italian, Institutit të Historisë së Evropës Mesdhetare, pjesë e Këshilli Kombëtar Italian të Hulumtimit, sollën fakte të dokumentuara se gjatë pushtimit italian 21.000 shqiptarë ishin nën masa vëzhgimi dhe 5600 u internuan në kampe. Sipas tyre shumë personalitete shqiptare, të cilët kundërshtuan fashizmin, u internuan në kampet e ishujve italiane, si Ventotene etj. 

Profilet e Safet Butkës, Zai Fundos, Ismail Karapicit, Isuf Luzajt, Abaz Ermenjit, Stavro Skëndit. Myzafer Pipës, Osman Tarakut, Hasan Reçit, Abdullah Shehrit etj.  tregojnë se ata ishin të arsimuar në perëndim në Francë, Austri, Gjermani, Itali, etj, zotërues të disa gjuhëve të huaja, aktivë në jetën kulturore, politike e shoqërore në vend pjesëmarrës aktivë të lëvizjes antifashiste. Ata ishin pjesë e aspiratave për ndërtimin e pluralizimit politik në vend. Ishin pjestarë të rezistencës ndaj okupatorit te huaj;  nacionalistë, ballistë, legalistë, socialdemokratë që me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe me vendosjen e regjimit stalinist në vend, u shigjetuan si armiq.  Disa prej tyre u arratisën, të tjerë u burgosën dhe të tjerë u pushkatuan. Familjet që lanë pas ishin viktimat e para të ideologjisë së re komuniste. 

Kampi- burg në regjimin komunist. 

Shqipëria edhe pse u rendit në krahun antifashist të luftës nuk u bë pjesë e Bllokut të vendeve të Evropës Perëndimore. Ndërsa këto vende forcoheshin ekonomikisht fale lidhjeve euroantlantike dhe në OKB, adoptohej Deklarata Universale e të Drejtave te Njeriut, si një kornize morale dhe ligjore për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të gjithsecilit; ato për liri, siguri, jete, fjale të lirë, lëvizje, për barazi përpara ligjit, gjykim të drejtë, për mosdiskriminim. 

Kështu  gjeopolitika dhe fitimtarët e rinj, e renditën Shqipërinë në Bllokun Lindor, me lider Bashkimin Sovjetik, duke ndjekur planet e një ekonomie të centralizuar, duke sakrifikuar pluralizmin, demokracinë, pronën private dhe lirinë ekonomike dhe ne asgjesim te mbrojtjes te arritur deri atehere,  të  drejtave të individëve. 

Frika e elitës se re polike nga çdo lloj kundërshtim politik i shtyu ata të përdornin dhunë duke ju larguar aspiratave më të mira antifashiste që dikur kishin përqafuar. Të lidhur fillimisht me Jugosllavinë dhe me Bashkimin Sovjetik, u ngrit një regjim diktatorial stalinist, i cili zgjati përgjatë një gjysëm shekulli, edhe pasi vetë Bashkimi Sovjetik e kishte e braktisur frymën staliniste të drejtimit. 

Në Shqipëri sipas statistikave zyrtare mbi 6.000 persona u ekzekutuan me ose pa urdhër të gjykatës (kryesisht me pushkatim ose varje) dhe trupat e tyre nuk iu kthyen pothuajse asnjëherë familjeve të tyre për varrim, nga ketë 450 gra u dënuan me vdekje. Tragjedia i përfshiu edhe fëmijët. Vetëm në kampin e Tepelenës regjistrohen të kenë vuajtur mbi 1163 fëmijë. Statistikat e fletës së regjistrave të kohës tregojnë se nga muaji tetor 1950 deri në dhjetor të po atij viti numri i fëmijëve është zvogëluar me 285 vetë. Sipas dëshmitareve të mbijetuar ata vdiqën nga uria dhe dizanteria.

Sot Porto -Palermo dëshmon ende gjurmët e Luftës së Ftohtë që përfundoi 34 vjet më parë.   Kthimi i portit në një bazë ushtarake në vitin 1968, krijoi një popull të izoluar dhe të varfër, dëmtoi individin, komunitetin me ndërtimin e paranojave mbi rrezikun alogjik që i vinte diktaturës së proletariatit nga perendimi imperialist. Në këto tunele tashmë të braktisura, regjimi programoi ankorimin e katër nëndetëse dhe magazinimi e rreth 20 katera silirues. Ende sot ky vend që magjeps dhe pret vizitorë nga e gjthë bota mban gjurmët e militarizimit në kontrast me bukurinë natyrore të rivierës bregdetare shqiptare.

Dokumentimi

Por ashtu si na ndodh edhe me kampin e Tepelenës, historia e kampit-burg të Porto Palermos  edhe gjatë regjimit komunist është shumë pak e dokumentuar. Kemi një dokument të Agjencisë Amerikane të Inteligjencës (CIA), në të cilën raportohet për rrugëtimin e 14 makinave me persona të internuar, të familjeve nacionaliste, nga burgu i Shkodrës drejt kalasë së Himarës , ndërsa një fletë regjistri me statistikat e të internuarve,(Arkivi AIDSSH-së, Fondi nr. 4, Dosje nr.7) tregon se  në prill të vitit 1950 në këtë burg mbahen 98 burra, 66 gra, 36 fëmijë nën 14 vjeç të internuar. Po kjo histori ndëshkimi pasurohet me dëshmitë e të mbijetuarve, të cilët janë  prova e gjallë e ekzistencës së këtij burgu çnjerëzor të regjimit totalitar. Ata dëshmojnë se shumë familje që vuanin interinimin në Tepelenë u dërguar në vitin 1949 në këtë kamp “me urdhër nga lart.” 

Dëshmitë që mblodhëm nga të mbijetuarit e këtij të kampi, vizatimet e mrekullueshme të Lek Previzit, dëshmojnë për jetën e keqe me 200 gr bukë në ditë, në burgun e  kalasë, rrethuar me mure kur rridhte uji i detit, me shtratin në rrasat e ftohta të gurit, ku mungesa e dritës të verbonte dhe mungesa e higjienës të sëmurte.

Me mbylljen e Porto Palermos, në vitin 1950, të internuarit i rikthyen në kampin e Tepelenës. Për 47 vjet dëshmitarët  tanë, udhëtuan  nën mbikëqyrjen e Sigurimit të Shtetit dhe policisë se burgjeve, nga një kamp në tjetrin. Ata janë ende mes nesh, dikush 80 e dikush 90 vjeç, na hapën portën e traumës së tyre dhe pohuan atë që narrativat e vjetra mohojnë. Përpjekjet e Lek Pervizit përmes botimeve të kujtimeve mbi Porto-Palermon, grafikat e tij, vizatimet e personazheve, përshkrimet e Vasil Kokalit mbledhur në vite, përputhja e tregimeve të Bibit, Dines, Rudinës, Lekes, qe ishin femije në këtë kamp-burg,  hedh dritë mbi Porto Palermon e panjohur, larg magjepsjes rrëzëllitëse të ditëve tona. 

Ne mund t’i marrim me mend vuajtjet tuaja, përjashtimin shoqëror disa dekadash dhe mallin për  vendlindjen, banesën. Ne revoltohemi me padrejtësitë ndaj jush që femije, dhe vetëm mund të përfytyrojmë pafuqinë e dashamirësve për të ndryshuar situatën.

Përtej dhembjes, jemi falenderues për këto rrëfime të forta, se kështu po kuptojme pak ngapak se si utopite radikale për një të ardhme të mirë, si ato të elitës politike shqiptare, mund të kthehen në orteqe që prodhojnë dhembje e tragjedi.  

Kjo është një arsye pse ne vazhdojmë të këmbëngulim, të kthehemi në Porto-Palermo dhe Tepelenë aty ku viktimat, të mbijetuarit kryen pjesën më të ashpër të këtij “udhëtimi” të detyruar në kampe

Përkujtimi si akt parandalues. 

Përkujtimi është një akt, i cili ndodh në shoqëri dhe ka si gjithmonë një qëllim final atë të njohjes dhe kujtimit të viktimave të sistemeve totalitare. Përkujtimi është një akt jetik për të kuptuar pasojat e tyre tragjike të mekanizmave totalitare dhe për të ndërtuar shoqëri të drejta e paqësore në të ardhmen. 

Përmes përkujtimit ne frymëzojmë ndenjën e tolerancës në shoqëri, nxisim ndjeshmërinë ndaj të vërtetës me qëllim për të zbutur hendekun që kanë lënë pas  lufta për pushtet dhe përplasjet ideologjike që vijojnë ende në ditët tona, përmes mohimit të së vërtetës.

Krimet e kryera, pas mbarimit të luftës  në mënyrë sistematike dhe të organizuar nuk mund ti normalizojme sikur s'kane ndodhur. Përgjatë historisë ka patur shumë dhunë e vrasje, por asnjëherë në përmasën e atyre të totalitarizmave të modernitetit, ku krimi ishte organizuar në mënyrë të përsosur : disa bënin torturat, disa vrisnin, disa merrnin trupat, disa komandonin makinat që transportonin të burgosurit etj. Ndërsa disa të tjerë ngritën në këmbë makinerinë e propagandës duke tjerrë mashtrime,  manipuluar njerëz, duke lavdëruar krimet, duke shkruar historinë ashtu si partia urdhëroi.

Kjo është një ditë që na fton të gjithëve, të mos jemi të pandjeshëm ndaj vuajtjeve, të mos e shohim të kaluarën tonë përmes lenteve të ngushta që na kanë mbetur që pas Luftës së Dytë Botërore në lidhje me kontradiktat  e vjetra, si debati mbi rezistencën  ndaj pushtuesve, ashtu dhe lufta e paprincip për pushtet. 

Historia komplekse që prodhuam 80 vjet më parë vijon të ketë ende reflektime kontradiktore në dinamikën shoqërore dhe politike të vendit edhe sot, grupe të ndryshme e perceptojnë historinë, sipas lidhjes së tyre me forcat e vjetra poltike, dhe nuk janë të gatshëm të punojnë për një të ardhme të përbashkët. 

Prezenca juaj, dëshmitarë, të mbijetuar, aktivistë të kujtesës është domethënëse për mesazhin që duam të përcjellim mbarë shoqërisë. Një qasje e tillë, e hapur dhe e ndershme ndaj historisë, mbështetur në nderimin ndaj viktimave, krijimin e një narrative mbi ngjarjet historike që shoqëruan regjimin komunist, përfshirë këtu edhe rolin e forcave të ndryshme në luftë, na çon në rrugën e dialogut dhe pajtimit shoqëror. 

Duke qenë në krah të viktimës, ne theksojmë rëndësisë e kujtimit të atyre që u dënuan, deportuan, torturuan ose humbën jetën për shkak të përkatësive të tyre politike ose familjare, kuptojmë të kaluarën dhe mësojmë nga gabimet e saj, parandalojnë përsëritjen, dhe nxisim hapat drejt pajtimit dhe tejkalimit të kësaj traume kolektive.

Së fundmi kam një fjalë vlerësimi për familjet që i mbijetuan këtij kampi edhe këtij regjimi. Disa prej jush në mes kujtimeve të këqija te këtij kampi ruajtët në memorien tuaj solidaritetit e banorëve të Himarës, që ju jepnin nga  frutat e tokës së tyre. Sot  Bashkia e Himarës ju dorëzon një çmim nderimi që përkujton qëndresën tuaj ne këtë kamp internimi dhe në kampet e tjera te diktaturës. Në emrin tuaj, dhe shpirtit të atyre që latë pas në këto kampe i kërkoj Këshillit Bashkiak që në dyert e kësaj kalaje të ketë një pllakat përkujtimor në kujtim të atyre që vuajtën në të.

Ju uroj shëndet të gjithëve në familjet tuaja, shendet e veç te mira!

Faleminderit!

 

 

Përshëndetje e kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali në veprimtarinë “Porto Palermo tjetër-nga kamp, në përkujtim”, 22 gusht 2024

-Trajtimi me dinjitet,  njohja e trashëgimisë  politike, njerëzore e kombëtare e ish -të përndjekurëve politikë detyrë e Kuvendit

Ndihem shumë e nderuar të marr pjesë në këtë veprimtari përkujtimore. 23 gushti është shenjuar nga Parlamenti Evropian si Dita e Kujtesës Europiane për Viktimat e Komunizmit dhe Fashizmit.

Një ditë homazhi e kujtese për ato dhjetra milionë jetë njerëzore të këputura në mes, ato drama e tragjedi personale të të gjithë shoqërisë njerëzore, të shkaktuara nga këto dy skaje ekstreme të regjimeve dhe 

ideologjive, dy skaje të së njëjtës humnerë, dy anë të të njëjtës monedhë kriminale siç ishte nazifashizmi dhe komunizmi.

Shpesh këshillohet se për të ecur përpara nuk duhet kthyer koka pas; po aq shpesh thuhet edhe e kundërta: që të kesh siguri dhe garanci për të mos u ripërsëritur e liga në të ardhmen, një sy duhet mbajtur gjithëherë nga e shkuara!

Çfarë harrohet, rrezikon të rikthehet!

Ka vetëm tre dekada e pak që Shqipëria u nda nga diktatura komuniste. Foshnjët e lindura ne atë kufi thyerjeje të historisë tashmë janë prindër e prindërit e tyre, janë gjyshër nipash e mbesash.

 Është shumë e vështirë t’i shpjegohet fëmijës së sotëm se çfarë ishte burgu i ndërgjegjes, se çfarë peshe kishte dera e qelisë, sa e errët ishte humbella e galerisë 

ku punohej skllavërisht, se çfarë makthi ishin telat me gjemba apo sa vriste plumbi që qëllonte në emër të ideologjisë që ndante shqiptarin nga shqiptari; nënën nga biri, motrën nga vëllai, fqinjin nga fqinji. Që i ndante me barriera frike e urrejtjeje, refuzimi e mohimi!

Tre dekada janë nje kohë shumë e gjatë për individin, por janë pak në jetën historike të një kombi. Edhe atëherë kur jeta e sjell që të prekësh pak histori para syve, që bëhet edhe më dramatike ndoshta, pikërisht për shkak të kontrasteve të hatashme.

Porto Palermo, kjo perlë e bregut tonë, dukej si zgjedhja me djallëzore për të detyruar bashkëjetesën e mrekullisë me diell, det e mal dhe makthit me të cilin, pushtuesit dhe sunduesit e këtij vendi, mbyllnin, izolonin e rrekeshin të shtypnin e shuanin kundërshtarët e tyre!

Mundet vetëm ta imagjinosh e ta ndjesh, por jo ta përshkruash, se si mund të jetë një burg, që këtej ka murin që mbyll trupin, andej i jep syrit lirinë që të prekë pafundësinë e horizontit mbi det.

Është kaq e vështirë për të gjithë ne që vijmë nga një kohë tjetër, që të imagjinojmë se si mund të ketë qenë terri i qelisë, në këtë oaz të natyrës me diell që nuk perëndon kurrë. Së paku 13 muaj, 1949-1950, ky vend u tentua të bëhet varr ëndrrash dhe mal vuajtjesh të pafundme njerëzore.

 Por, dy Lekët, Pervizi e Mirakaj, që ndodhen këtu, e të tjerët, si të mbijetuar të asaj kohe të egër, janë dëshmia se asgjë në këtë botë nuk mund të jetë më e fortë se qenia njerëzore; se e liga që i ra gurit dhe e theu, i ra njeriut dhe u thye vetë! Sepse njeriu është më i fortë se vetë e liga!

E dashur Genta, të falenderoj për idenë e Autoritetit të Dosjeve që përzgjodhët të ndani me publikun këtë histori në Ditën e Kujtesës, ku krahas dokumenteve arkivorë, do të flasin dëshmitarë okularë të saj.

Një nga ata dëshmitarë të dorës së parë, është dhe biri i Dhërmiut dhe gjithë Shqipërisë, shkrimtari idealist dhe antifashist Petro Marko! Kundërshtar i çdo regjimi, shpirt i lirë nga letërsia dhe ushtar i lirisë, Petro Marko, përpara se të mbyllej në internim në ishullin italian të Ustikës, u internua, siç shkruan vetë ai, në atdheun e vet, në fshatin e tij, shumë pranë kësaj kalaje, në Dhërmiun e Bregut.

Sot, ne rikujtojmë me dhembje e respekt, 82 burrat, 62 gratë dhe 37 fëmijët, të cilët bashkëjetuan me vdekjen në birucat e kësaj kalaje, për 13 muaj.

Ata 82 burra u rrëmbyen përdhunshëm prej shtëpive e punëve të tyre të përditshme 

dhe kamp pas kampi u syrgjynosën nën muret e kësaj kalaje.

Ato 62 gra u nxorrën pa mëshirë prej shtëpive e kujdesit për fëmijët dhe familjet dhe u degdisën në këto biruca.

37 djem e vajza të mitura, u konsideruan gjithashtu armiq; i ndanë nga fëmijëria dhe i ndrynë dhunshëm në ferrin që urrejtja në emër të ideologjisë, kishte ndërtuar në këtë skaj parajse të natyrës!

Persekutimi komunist është një pjesë e errët e historisë moderne të shqiptarëve. Fatkeqësisht, ende jo e njohur siç duhet; ende e paqortuar dhe kuptuar në gjithë kompleksitetin e saj; pjesë e një tragjedia që pushtoi gati gjysmën e botës dhe e bëri këtë botën tonë të vogël shqiptare të zymtë e tragjike.

Kampi i Porto Palermos është gjithashtu një nga faqet që duhet studiuar, ekspozuar dhe njëlloj si viruset që vriten kur dalin në 

dritë të diellit, duhet të ndriçohet nga drita e njohjes për t’u ndarë përfundisht me të.

Mbijetesa juaj, të dashur miq, është sa fat individual, po aq dhe një detyrim për të dëshmuar të vërtetën tuaj! Njëlloj si frati i madh At Zef Pllumi, juve ju kurseu e keqja, për të rrojtur e për të dëshmuar mbi të. Edhe falë jush, duke njohur të shkuarën, do të jetë më e sigurt edhe vetë e ardhmja!

Të nderuar miq,

Viktimat dhe të ish të persekutuarit prej regjimit totalitar meritojnë dhe do të vijojnë të meritojnë gjithë nderimin dhe respektin e shoqërisë e të brezave.

Sa më shumë të nxjerrim nga raftet e pluhurosura në dritën e publikut këto histori, aq më vendosmërisht do të ndahemi prej tyre, duke ia lënë ndëshkimin jo urrejtjes e hakmarrjes, por gjykimit të historisë dhe institucioneve demokratike.

Përndekja që preku edhe Petro Markon, shenjoi në mënyrë të njëjtë, si të burgosur edhe komunistët, në fillim kur luftonin për çlirimin e vendit, edhe antikomunistët më pas që dëshironin një Shqipëri me fytyrë nga perëndimi.

Në krye të herës, sipas Direktivës së Jakomonit të datës 5 qershor 1939, se “të gjithë personat të cilët çmohen të rrezikshëm për sigurinë, të internohen nga 1-5 vjet”, vetëm dy muaj pas pushtimit, autoritetet italiane urdhëruan krijimin e fushave e kampeve të internimit në mjaft zona të vendit, mes tyre edhe këtu, në Porto Palermo.

Patriotët e luftëtarët antifashistë, që kishin filluar të organizoheshin kundër pushtuesve, do të provonin të njëjtin fat, edhe në kampet e tjera të internimit, në Shqipëri dhe Itali.Në këtë vit të 80-vjetorit 

të çlirimit, nderim e respekt të thellë për patriotët antifashistë, të internuar në kampet e fashizmit, që bashkë me luftëtarët e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, sakrifikuan rininë dhe jetën për lirinë e Shqipërisë.

IV.

Më lejoni, zonja e zotërinj, të ndërtoj një paralele për dy nga grupet shoqërore më të goditura prej komunizmit: ish të persekutuarit dhe ish pronarët. E bashkë me ta, edhe vetë idealistët e sistemit. Ata që besuan dhe luftuan në emër të një ëndrre dhe u bënë gjithashtu viktima te saj!

Në emër të drejtësisë sociale, gjatë dekadës së fundit, ligjet, politikat, programet dhe institucionet shtetërore janë marrë në mënyrë të posaçme me këto dy grupe të respektuara, për të vendosur në vend padrejtësitë e totalitarizmit dhe 

rikthyer të drejtat e grabituara për ish-pronarët dhe jetët e përgjakura për ish të persekutuarit.

Qëllimi ynë është që sa më shumë t’u rikthehen këto të drejta pronarëve, aq më shumë do tua heqim atë damkën e të qenurit “Ish”, që ka qenë një gjyle e rëndë në politikat për drejtësi sociale, sidomos ato të pronësisë.

Qëllimi ynë është e do të jetë që sa më shumë të riintegrohen ish të persekutuarit në jetën dhe shoqërinë demokratike, aq më shumë termi ISH do të mbetet një shenjë e të kaluarës totalitare, një referencë e historisë.

Cilësorin ISH të pronarëve po ua heqim se ata po gëzojnë e do të gëzojnë realisht pronat e tyre.

Cilësori ISH për të përndjekurit do të jetë sepse të përndjekur të rinj nuk ka dhe nuk do të ketë.

V.

Trajtimi i çështjes së viktimave të totalitarizmit, pasardhësve të tyre dhe ish të përndjekurve politikë, në kontekstin e një demokracie liberale, siç është sot shoqëria shqiptare, është një çështje komplekse.

Në radhë të parë, është një çështje politike. Në sensin që shoqëria, shteti dhe institucionet duhet të njohin katërcipërisht përmasat e kësaj traume politike e shoqërore.

Por edhe të krijojmë kushtet që të drejtat dhe liritë të lulëzojnë për të gjithë, që institucionet demokratike t’i forcojmë, që vlerat demokratike të jenë udhëharta e Shqipërisë europiane dhe që në të gjitha këto procese ish të përndjekurit të gëzojnë akses, përfshirje, kontribut dhe prosperitet.

Është një çështje ekonomike. Asnjë kompesim, sado i konsiderueshëm qoftë, 

nuk mund të kthejë jetët e humbura, të përgjakura e të gjymtuara. Ne duhet të krijojmë dhe synojmë të krijojmë kushtet që liritë ekonomike dhe tregjet e lira të jenë aksesi dhe destinacioni i këtij grupi shoqëror.

Është një çështje ligjore. Në tryezën time si edhe në kalendarin e punës së Kuvendit kemi propozimet për ndryshime në ligjin për trashëgiminë kulturore dhe muzetë, në ligjin për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, në kuadrin ligjor e nënligjor për pafajësinë, amnistinë, rehabilitimin dhe dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist.

Këto propozime do të kenë vëmendjen time maksimale. Kuvendi do të bëjë më të mirën për të plotësuar e përmirësuar legjislacionin për trajtimin, dinjitetin dhe prosperitetin e ish të përndjekurve, njohjen 

e trashëgimisë së tyre politike, njerëzore e kombëtare, si pjesë e historisë dhe e trashëgimisë kombëtare.

Duke falenderuar Autoritetin dhe grupet parlamentare për këto propozime, dhe duke qenë se këto çështje nuk janë dhe nuk duhet të jenë çështje partiake, do të synoj mbështetjen dhe konsesusin e të gjithë grupeve parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e tyre.

Është një çështje sociale, e cila presupozon drejtësi sociale dhe nxitjen e kontributit të tyre për kohezionin social të shoqërisë shqiptare.

Është një çështje e edukimit demokratik e qytetar. Që brezat e sotëm dhe të ardhshëm të Shqipërisë të njohin këtë faqe të historisë sonë, e cila do t’i bëjë ata, por edhe ne të gjithëve, të vetëdijshëm dhe të përgjegjshëm që dashuria e mund urrejtjen, e mira të keqen, mirëkuptimi 

grindjet, toleranca konfliktin, urtësia dhunën dhe interesi publik e kombëtar interesat individuale apo partikulariste.

Prandaj kultura e respektit, paqes dhe pajtimit duhet të edukohet te brezat e rinj, nëpërmjet sistemit arsimor dhe burimeve të tjera edukuese.

Kuvendi do ta konsiderojë këtë një aspekt të rëndësishëm të misionit të tij si edukator publik, demokratik e qytetar.

VI.

Dhe së fundi, duke falenderuar edhe njëherë  organizatorët e kësaj veprimtarie, shpreh mirënjohjen time dhe të Kuvendit të Shqipërisë për Qeverine Suedeze, Bashkimin Europian dhe Komisionin Ndërkombëtar për të Zhdukurit për mbështetjen e veprimtarive të Autoritetit si edhe për Qeverinë e Zvicrës dhe Fondacionin Konrad Adenauer  për mbështetjen që japin ndaj veprimtarive të 

Kujtesës.

Mirënjohja shkon gjithashtu për komunitetet fetare, për mbështetjen e tyre shpirtërore e njerëzore ndaj lehtësimit të integrimit shoqëror të kësaj shtrese dhe ruajtjes së vlerave të lirisë, drejtësisë e humanizmit.