Tiranë, 27 qershor 2022 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar në Tiranë (SIDA) zhvilluan ceremoninë e përurimit të ndërtesës së rikonstruktuar të AIDSSH-së dhe shërbimeve TIK për krijimin e një arkivi modern, në mjediset aktuale të Autoritetit, pranë Ministrisë së Mbrojtjes.
Projekti i mbështetur nga Qeveria Suedeze, - sipas marrëveshjes së grantit me Autoritetin, për infrastrukturë bashkëkohore e kushte moderne për ofrimin e shërbimeve qytetarëve dhe studiuesve - u prezantua për përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, të institucioneve publike, qendrore e lokale, shoqatave të të drejtave të njeriut dhe të përndjekurve politikë, trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare në kryeqytet, përfaqësues të universiteteve dhe institucioneve kërkimore në vend, përfaqësues të institucioneve homologe me të cilat AIDSSH bashkëpunon që prej krijimit.
Në fjalën e saj, znj. Gentiana Sula u shpreh se: “Dy arritje të mëdha i atribuohen projektit bujar të Qeverisë Suedeze: nga njëra anë, sot arkivi i Sigurimit është vendosur në mjediset e institucionit; ruhet në kushtet më të mira të sigurisë, dhe pritet të pasurohet ende, në vijim të marrëveshjeve që Autoriteti zbaton me partnerët, për grumbullimin në një vend të vetëm të të gjitha dokumenteve të Sigurimit.
Nga ana tjetër, është krijimi i shërbimeve TIK për një arkiv modern. Hapa të rëndësishëm janë bërë në këtë drejtim, sa i takon infrastrukturës digjitale, me serverë, kompjuterë të tempestuar dhe krijimin e një software të posaçëm, që koordinon punën me dokumentet e Sigurimit si dhe punën e të gjitha drejtorive, duke rritur eficiencën dhe efikasitetin“.
Znj. Elsa Håstad, Ambasadore e Suedisë në Shqipëri nënvizoi faktin se: “Arkivi i dokumenteve të veprimtarisë së ish-Sigurimit te Shtetit është zanafilla e punës së Autoritetit, është tërësia e dokumentacionit që mundëson informacion, njohuri dhe prova për secilën çështje.
Kërkimi i së vërtetës, veçanërisht kur është e hidhur dhe e dhimbshme, është gjithmonë detyrë e vështirë. Kjo bëhet edhe më sfiduese, nëse kryerja e detyrës nënkupton “shkeljen në kallo të disave”, por nuk ka asnjë formë tjetër nëpërmjet së cilës drejtësia të vihet në vend, përveç përballjes me të vërtetën, e kjo mund të realizohet vetëm duke u bazuar në prova konkrete, hulumtim serioz dhe transparencë”.
Znj. Ermonela Felaj (Valikaj), nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë theksoi rëndësinë e institucioneve të informimit dhe kujtesës për vendin, për përballjen me të shkuarën dhe hedhjen e bazave për një të ardhme të pajtimit dhe unitetit kombëtar.
Znj. Orjola Pampuri, deputete në Kuvend, përsëriti mbështetjen për Autoritetin dhe nismat e ndërmarra prej tij në vite, duke nënvizuar vlerën e hulumtimit mbi baza shkencore në dokumentet historike dhe duke i lidhur ato me njerëzit, të mbijetuarit, viktimat, për ta bërë edhe zërin e tyre të dëgjohet.
Znj. Ardiana Topi, drejtoreshë e arkivit të Autoritetit, bëri një paraqitje të detajuar të sistemit digjital me të cilin do të punohet me dokumentet arkivore, duke prezantuar një ndër hapat e rëndësishëm të projektit me Qeverinë Suedeze.
Aktiviteti vijoi me vizitën e të pranishmëve në arkivin e Autoritetit, ku për herë të parë janë grumbulluar në një vend të vetëm, në kushtet më të mira të ruajtjes dhe sigurisë, dokumentet e Sigurimit, pas tërheqjes nga dy vendruajtjet arkivore pranë SHISH e IPQP, në kushte të papërshtatshme, sidomos pas tërmetit.
Bashkëpunimi me SIDA-n në Tiranë u zyrtarizua në vitin 2019, pas vizitës në arkivat e institucionit, të partnerëve dhe përfaqësuesve diplomatikë të interesuar të mbështesin drejtësinë tranzicionale në vend dhe shoqatat e të drejtave të njeriut.
Përgjatë kësaj kohe u punua për krijimin e kushteve bashkëkohore të punës, me arkiv të standardeve moderne, zyra pune dhe mjedise për hulumtim shkencor, bibliotekë e sallë ekspozimi.
Ndërtesa ku Autoriteti zhvillon veprimtaritë e tij iu dha institucionit nga Qeveria shqiptare, në vitin 2017. Projekti u realizua nga Instituti i Ndërtimit. PNUD në Shqipëri kontribuoi për infrastrukturën fizike ku mbështeten veprimtaritë e tij, numeralizimi i arkivit dhe çështjet TIK.