Përgjigje ndaj shpifjeve që përmban artikulli: "Arrestohet Vangjush Mile, shefi i sektorit "Tepër sekret" të dosjeve të sigurimit…"

image

Tiranë 27.09.2024 - AIDSSH, u njoh me artikullin e publikuar në portalin "Pamfleti" të datës 25 shtator 2024 me titullin:  "Arrestohet Vangjush Mile, shefi i sektorit "Tepër sekret" të dosjeve të sigurimit…", ku aludohet për paligjshmëri  dhe shkelje të standardeve të sigurisë në rekrutimi e tij dhe konstatoi se ato janë jo vetëm të pasakta, por edhe të pabazuara.

AIDSSH sqaron se Vangjush Mile është punonjës i AIDSSH-së dhe se arrestimi i tij nuk ka asnjë lidhje me detyrën ose funksionin e tij në institucion. Ndërkohë jemi në kontakt me organet ligj zbatuese për të marrë vendimet tonë në bazë të ligjit.

Autoritetit dëshiron të sigurojë publikun se zbaton standardin më të lartë për rekrutimet dhe të kritereve të sigurisë dhe rekrutimi i  shtetasit V. Mile në AIDSSH është kryer në përputhje me ligjin dhe procedurat përkatëse, dhe jo në kundërshtim me  ligjin siç pretendohet në artikullin e mësipërm. 

Për pranimin në detyrë dhe pajisjen me certifikatë sigurie të informacionit të klasifikuar në nivelin "tepër sekret", të lëshuar tashmë për shtetasin Mile nga AKSIK-u, janë kriter vërtetimet nga Gjykata, Prokuroria e Zyra e Gjendjes Gjyqësore, ku përfshihet dhe pajisja me dëshmi penalitetit.  Këto dokumente janë të rregullta dhe të plota në dosjen e tij të punës, ndaj pretendimet për shkelje të ligjit dhe mungesës së certifikatës së sigurisë janë tërësisht të pathemelta, dashakeqe, nuk kanë asnjë bazë faktike dhe janë të padenja për një media. 

Në përputhje me standardin më të lartë etik platformat mediatike janë të lira të shfrytëzojë ligjin e të drejtës për informim për t’u njohur me fakte të verifikueshme. Në këtë rast artikulli në fjalë nuk i përmbahet këtij standardi, duke keqpërdorur informacione mbi të cilat kanë ndërtuar një narrativë të pasaktë.

AIDSSH i konsideron akuzat si shpifje të rënda që synojnë të dëmtojnë rëndë imazhin e institucionit. Autoriteti nuk do të lejojë që institucioni i tij të jetë objekt i lojërave të pista apo sulmeve të tilla.