Pelegrinazh nderimi dhe Simpozium me rastin e 23 gushtit, Ditës Evropiane e Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, në ish kampin e internimit Tepelenë
Tepelenë 23 Gusht 2023- U zhvilluan sot ceremonia e përkujtimit në ish kampin e internimit të Tepelenës, në kuadër të Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, e përcaktuar nga Parlamenti Evropian, KE dhe Këshilli i Evropës.
Përfaqësues të Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të mbijetuar e familjarë të tyre në kampin e internimit 1949-1953, familjarë të të pagjeturve të komunizmit në zonën e Tepelenës, nderuan vuajtjen e të miturve, grave e të moshuarve pa faj që u internuan në Tepelenë duke vendosur kurora dhe lule pranë ekspozitës informuese në ish-kamp ngritur nga AIDSSH.
Të pranishëm, në ceremoni ishin kryetari i Bashkisë së Tepelenës, z. Termet Peçi, kryetari i Bashkisë së Mirditës, Albert Melyshi, Et’hem Fejzollari, drejtues i Shoqatës Mbarëkombëtare Antikomuniste te ish-të Përndjekurve Politikë, përfaqësues të komuniteteve fetare të zonës, përfaqësues të Institutit për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë, shoqata të të përndjekurve dhe kujtesës, përfaqësues të institucioneve publike dhe shtetërore si Bashkia e Tepelenës, Prefektura e Gjirokastrës, Prokuroria, Policia Rajonale, Universiteti, përfaqësues të grupeve të interesit, trupit diplomatik, aktorë të shoqërisë civile, gazetarë dhe të rinj.
Në 23 gusht të vitit 1939, u nënshkrua Pakti Molotov-Ribbentrop. Kjo marrëveshje midis Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik i parapriu Luftës së Dytë Botërore dhe nxori forma të ndryshme të dhunës totalitare, përfshirë këtë migrimin e detyruar, punën skllavëruese, krimet e luftës dhe gjenocidin, veçanërisht Holokaustin.
Dr. Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit , tha : “ Se kjo ditë shërben si një kujtesë për miliona që vuajtën nën këto regjime , duke përfshirë ata të burgosur në kampet e përqendrimit, gulagët dhe burgjet . Ne synojmë të nderojmë historitë e njerëzve tanë që u detyruan me forcë të jetojnë në këto kampe dhe të parandalojmë që tragjedia e tyre të mohohet e harrohet.
Ne ju inkurajojmë të gjithë shoqërinë të mësojë për viktimat dhe nëpërmjët aktiviteteve synojmë të rrisim ndërgjegjësimin e publikut për rreziqet që i vijnë shoqërisë prej ideologjive ekstremiste.
Përmes tregimeve individuale të viktimave të ideologjisë komuniste ne ruajmë kujtimin e tyre, reflektojmë ndaj çdo shenjë të padrejtësisë dhunës dhe shtypjes . Ne i kërkojmë të rinjve të mos jenë indiferentë dhe të mësojnë nga e shkuara. ”
Z. Albert Melyshi , kryetar i Bashkisë së Mirditës tha në fjalën e tij: Kujtimet e familjarëve tanë që internuan në këtë kamp nuk mund të harrohen, vuajtjet e tyre duhet që shoqëria t’i njoh që të mos përsëriten në të ardhmen . Është shumë e rëndësishme që Autoriteti të vazhdojë të mbledhë të dhëna dhe të publikojë dokumente që kanë lidhje me këtë pjesë të dhimbshme që familjet tona kaluan.
Znj. Ardita Repishti, këtë vit përfaqësuese e një institucioni italian të Historisë ,prej vitesh Drejtoreshë e kërkimit në Autoritet , u shpreh : Unë vij këtu si çdo vit me 23 gusht për të përkujtuar babain tim i cili ishte 13 vjeç kur u internua në Tepelenë , aq sa sot është im bir. Vijmë si familjarë , por edhe me përgjegjësinë që na japin detyrat institucionale sepse kujtesën nuk e bën dot një njëri i vetëm , ajo është produkt i bashkëveprimit të njerëzve dhe institucioneve.
Et’hem Fejzollaunë, kryetar i Shoqatës Antikomuniste e Ish-të përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë. Unë isha 5 vjeç i internuar në Tepelenë dhe mund të quaj me plot gojën që ajo që ndodhi me ne ishte gjenocid. Ne u ndëshkuam edhe pse fëmijë. Njerëzit tanë vazhdojnë të vuajnë ata nuk i kanë gjetur ende eshtrat e shumë prej atyre që vdiqën në këtë kamp
Përfaqësuesi i komuniteti fetar Sheh Hysen Hormova ngriti zëri për të pagjeturit e Tepelenës dhe shprehu mbështetjen e tij për t’i ardhur në ndihmë këtij procesi.
Më pas fjalën e mori Simon Mirakaj , fëmijë kur familja e tij, nëna dhe motrat i internuan në Tepelenë: E gjithë kjo tragjedi mbi njerëz krejtësisht të pafajshëm ndodhi në kohë paqe.Detyra jonë është t’i kujtojmë ata që lamë pas dhe të inkurajojmë Autoritetin që në dritën e dokumenteve të reja, kjo histori të bëhet e njohur nga e ardhmja.
Të mbijetuarit e kampit, familjarë të viktimave dhe të internuarve, përfaqësues të institucioneve qendrore e vendore mbajtën intervista në median e pranishme, në të cilat u fol për historitë e kampit, nevojën për muzealizimin e tij, përpjekjet për identifikimin e të zhdukurve dhe kthimin në vend kujtese si destinacion i vizitueshëm i shkollave, etj.
Kampi me tela me gjemba i Tepelenës është një nga faqet e errëta të diktaturës, ku u mbajtën për disa vjet në kushte çnjerëzore me mijëra familjarë të kundërshtarëve të regjimit, gra, fëmijë e të moshuar, të pafajshëm.
Sot, duke e avancuar përpjekjet për zbardhjen e historisë së Tepelenës, Autoriteti në bashkëpunim me Bashkinë Tepelenë, synon ta bëjnë kampin një ndër sitet historike të vizitueshme gjerësisht, për të rrëfyer një histori të gjatë shtypjeje dhe mbijetese, që zë me Luftën e Dytë Botërore dhe vijon me vendosjen e regjimit komunist.
Pas vizitës përkujtimore në kamp, AIDSSH vijoi aktivitetin në Pallatin e Kulturës së qytetit me organizimin e Simpoziumit Shkencor Ndërkombëtar “ Tepelena ne dy kohë-Nga kazermat italiane te kampi me tela me gjemba , cili trajtoi, në dritën e dokumenteve arkivore, Tepelenën e Luftës së Dytë Botërore dhe atë të pasluftës në vitet e funksionimit të kampit të internimit, organizuar nga AIDSSH me kontributin akademik të partnerëve në Shqipëri dhe Itali.
Dr. Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit, tha me kwtw rast: “Përkujtimeve si ky i sotmi ku ka shumë dhimbje e brenga , i bashkohen 14 studiues , italianë e shqiptar, që vijnë nga institutet partnere me AIDSSH prej të cilëve do të dëgjomë trajtesat e tyre të çmuara që flasin për periudhën e luftës italo-greke të zhvilluara në territorin e Tepelenës pas luftës, në vend internimi të kundërshtarëve të regjimit ,gra ,fëmijë e pleq, të zhvendosur në kampin e ish-granizonit ushtarak italian, rrethuar me tela me gjemba.
Si po e përkujtojmë kampin e Tepelenën në vite? Nga viti i parë që ne kemi ardhur në Tepelenë në kujtim të viktimave të kampit e deri më sot narrativa ka ndryshuar dhe përtej të gjithë kundërshtimeve kemi arritur të avancojmë axhendën për muzealizmin e kampit të Tepelenës.
Po bëjmë një punë të kujdesshme e multidisiplinore me kujtesën, po vijojmë kërkimin në arkivat edhe përtej arkivit tonë, në arkivin e Forcave të Armatosura, Ministrisë së Brendshme etj.me qëllim formimin e një kulture të kujtesës ,që i shërben brezave. Kjo bëhet edhe përmes bashkëpunimit që kemi me Ministrinë e Arsimit për konsolidimin e Platformës së Edukimit Qytetar : ‘’Të mësojmë për të shkuarën –burime të hapura arsimore 1944-1991’’, ku do mundet të shqyrtohen burimet dhe të përcillen mesazhet e duhura.
Z.Tërmet Peçi , Kryetari i Bashkisë Tepelenë : “| Ky homazh që zhvillohet sot është një kambane për secilindo qytetar të vendit tonë, për të kuptuar dhe reflektuar mbi sistemet që instalojnë diktatura dhe marrin peng jetët njerëzore duke i vendosur brenda një rrethi vicioz , i cili ngushtohet në mënyrë graduale dhe pak e nga pak ha vetveten.
Si autoritet vendet , Bashkia Tepelenë është shprehur e gatëshme për të qenë pjesë bashkëpunuese e ruajtjes së memories historike me të mirat dhe të këqijat e saj , pasi çdo jetë e humbur nga padrejtësitë njerëzore meriton të respektohet me dinjitet ,si e drejtë hyjnore dhe themelore në kushtetutën e një vendi demokratik.
Unë shpresoj që ajo punë e nisur vite më parë për këtë Kamp të shkoj deri në fund, gjë e cila do të lehtësonte sadopak shpirtrat e atyre që humbën jetën aty , si dhe kemi një pasqyrë të sjelljes shtetërore si akt reflektues ky dhe njohës i të vërtetës absolute, me qëllim që
fëmijëve tanë të jenë të vetëdijshëm se çfarë sjellin diktaturat kudo në botë ,ti orientojmë drejt besimit në Zot dhe respektimit të drejtave ligjore dhe normave morale njerëzore.”
Zhvillimet e Simpozium u përshëndetën edhe nga Drejtori i Institutit të Krimeve Kundër Komunizmit përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, z. Shkëlqim Allkja i cili foli për nevojën për kthimin e vendeve si kampi Tepelenës të vizitueshme për të nxënësit e sistemin parauniversitar dhe njoftoi për futjen e ditëve të kujtesës në kalendarin e aktiviteteve shkollore .
Simpoziumi u përshendet edhe nga Drejtori i ISKK z. Çelo Hoxha, i cili bërë një prezantim të përgjithshëm për roli e ISKK në botimin e studimeve që lidhen me të shkuarën komuniste, dhe në veçanti me kampin e Tepelenës, të dhëna që u prezantuan në Simpozium e sotëm nga ana e tij.
Simpoziumi trajtoi, në dritën e dokumenteve arkivore, Tepelenën e Luftës së Dytë Botërore dhe atë të pasluftës në vitet e funksionimit të kampit të internimit.
Historia e kampit zë fill me pushtimin italian të Shqipërisë në 1939 dhe zhvillimin në territorin e Tepelenës të luftimeve mes italianëve e grekëve. Më pas, kazermat e ish-garnizonit italian, u përdorën për të zhvendosur aty familjet e internuara më herët në Turan e rrethina. Kampi i rrethuar me tela me gjemba u mbyll në 1953, prej kushteve të vështira të jetesës dhe vdekshmërisë së lartë.
Simpoziumi u zhvillua në dy panele me kontribute nga AIDSSH, Instituti Italian i Historisë Moderne dhe Bashkëkohore, Universiteti i Havardit, Universiteti i Tiranës, Universiteti Italian i Teramos, Universiteti i Korçës, Universiteti i Elbasanit, Institutit i Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Universiteti Bedër, Biblioteka Franceskane, platforma kujto.al, Shoqata e Mësuesve të Historisë etj.
Na panelin e parë u trajtuan nga studiues e kërkues shqiptarë dhe italianë cëstje të tilla si: “Lufta italo-greke në Tepelenë 1940-1941” nga z.. Xhezo Cana,; “Sistemi fashist i internimeve dhe pushtimi italian i Shqipërisë” nga Dr. Jacopo Calussi; “Marrëdhëniet ekonomike italo-shqiptare në vitet 1939-1943” nga Dr. Metin Venxha; “Internimet politike të shqiptarëve gjatë pushtimit italian, profilet antifashiste gjatë luftës dhe pas saj” nga Msc. Ardita Repishti ; “Lista e personave të internuar në kampin e Tepelenës, puna për listën e të pagjeturve” nga z. Petrit Ponari,; “Komunikatat ditore të kampit të Tepelenës, jeta e përditshme në dokumente, shifra, fakte, profile njerëzore.”nga Msc.Enxhi Beka; “Jeta në kampin e Tepelenës, bazuar në dokumente dhe dëshmi” ;“Kampi i Tepelenës në 3D” nga Dr. Brisejda Lala.
Në panelin e dytë historianë të njohur trajtuan cështje si: “Kuadri juridik i internim-dëbimeve në Shqipërinë komuniste” nga Dr. Ermal Frashëri; “Debati mbi kampin e Tepelenës dhe diskursi publik” nga Prof. Asoc.Dr. Enriketa Pandelejmoni; “Në Tepelenë, një kamp, dy luftëra” nga Dr. Zhuljeta Kadilli; “Turizmi i trashëgimisë ish-komuniste, rasti i kampit në Tepelenë” nga Dr. Hektor Çiftja; “Elementët e Rezolutës së 2 Prillit 2009 mbi vetëdijen evropiane dhe totalitarizmat në sistemin arsimor parauniversitar” nga Prof. Asoc. Dr. Majlinda Peza, Dr. Florenca Stafa, Dr. Vojsava Kumbulla; “Dëshmi mbi të pagjeturit e kampit të Tepelenës” nga Kujto.al.
Gjetjet e simpoziumit ndërkombëtar të Tepelenës, me pjesëmarrje të gjerë të studiuesve shqiptarë, italianë, të institucioneve e organizatave aktive të kujtesës në vend dhe grupeve të interesit, do të jenë pjesë e një materiali të zgjeruar që duke u botuar i plotë, do t’u vijë në ndihmë të rinjve e të interesuarve për historinë që përfshin periudhën e diktaturës komuniste. Po ashtu ky material do të plotësojë të dhënat historike në muzeun lokal të Tepelenës dhe informacionet do të përdoren në funksion të muzealizimit të kampit, punë e nisur prej vitesh nga Autoriteti dhe partnerët.
Çdo 23 gusht, të mbijetuar e familjarë të tyre nderojnë vuajtjen e të miturve, grave e të moshuarve pa faj që u internuan në Tepelenë. Një pjesë e mirë nuk arritën të kthehen, të tjerë vijuan përndjekjen në kampet e Lushnjës e të gjithë Shqipërisë. Ata që mbijetuan rikthehen vit pas viti në kamp për të kujtuar e nderuar.
Në vijim të punës për zbardhjen e historisë së Tepelenës, Autoriteti në bashkëpunim me Bashkinë Tepelenë, synojnë ta bëjnë kampin një ndër sitet historike të vizitueshme gjerësisht, për të rrëfyer një kohë të gjatë shtypjeje dhe mbijetese, që zë fill në Luftën e Dytë Botërore dhe vijon me vendosjen e regjimit komunist.
Kampi i internimit nr. 6 i Tepelenës u mbyll në 1953, për shkak të kushteve të papërshtatshme të jetesës. Sot kampi ka histori të gjatë për të rrëfyer, të luftës, të pagjeturve, mbijetesës, solidaritetit dhe dinjitetit njerëzor.