Njoftim për shtyp
Persekutimi komunist i Mid’hat Frashërit
Publikohet online lista e dokumenteve arkivorë të përndjekjes së Sigurimit ndaj Mid’hat Frashërit
Tiranë, 19 nëntor 2018 – Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit publikon në faqen zyrtare listën e dokumenteve arkivorë të përndjekjes së Sigurimit ndaj Mid’hat Frashërit.
Materialet janë disa qindra faqe dhe vihen në dispozicion të të interesuarve, studiues dhe kërkues shkencorë, ish-të përndjekur dhe familjarë të tyre, shoqëri civile dhe media, duke mundësuar njohjen me inventarët e plotë dhe më gjerë.
Konkretisht, janë identifikuar:
- Viti 1945, Dosje – fashikull me dokumenta mbi veprimtarinë e Mid’hat Frashëri gjatë okupacionit në arrati.
- Viti 1945, Dosje – fashikull me dokumente mbi veprimtarinë armiqësore dhe anti kombëtare të Mid’hat Frashërit, gjatë regjimit të Zogut
- Viti 1945, Informacione mbi veprimtarinë e Ballit Kombëtar, promemorie mbi formimin e disa qeverive gjatë luftës, lista e informatorëve në shërbim të Jugosllavisë para lufte e që ndiqeshin nga autoritetet italiane dhe lista emërore e personelit italian në Shqipëri, ndodhet vetëm në origjinal.
- Viti 1945, Historiku i ish legatës dhe konsullatës italiane në Shqipëri deri më 1943, skica e vendndodhjes.
- Viti 1953, Shënime për Komitetin Shqipëria e Lirë, themeluar dhe kryesuar nga Mid’hat Frashëri.
- Viti 1954, Historiku i Ballit Kombëtar, lista sipas qarqeve.
- Viti 1954, Historiku i Ballit Kombëtar, para dhe pas vitit 1944.
- Viti 1947, Raporte informative mbi gjendjen dhe veprimtarinë armiqësore të emigracionit reaksionar shqiptar në Itali dhe dokumente mbi organizatën “Balli Kombëtar” në mërgim.
- Viti 1950, Historiku i organizatës së Ballit Kombëtar dhe veprimtaria e saj në Shqipëri dhe në mërgim. Thirrjet e Kongresit të kësaj organizate dhe polemika mbi organizatat e tjera të emigracionit reaksionar shqiptar në perëndim
Të gjithë dokumentet vihen në dispozicion të të interesuarve, studiuesve, medias, mbi bazë kërkese dhe konform ligjit në fuqi.
Duke i vënë në dispozicion të publikut këto materiale, AIDSSH krijon mundësi për njohje të thelluar me dokumente, procesverbale, dosje e statistika të periudhës së marrë në shqyrtim, mbi rezistencën dhe përndjekjen, për të hedhur dritë mbi të shkuarën me baza profesionale dhe transparencë, në komunikim të hapur me publikun.
***
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.
AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.