Njoftim Për Shtyp, 45 Vjet Nga Revolta E Spaçit, Ekspozohen Dokumente Arkivore Të Repartit 303 Të Riedukimit, Spaç

Njoftim për shtyp

45 vjet nga revolta e Spaçit

Ekspozohen dokumente arkivore të Repartit 303 të Riedukimit, Spaç

Tiranë, 17 maj 2018 – Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, me rastin e 45-vjetorit të revoltës së Spaçit, ekspozon dokumente arkivore të të ashtuquajturit objekt i rëndësisë së veçantë, Reparti 303 i Riedukimit, Spaç. Aktiviteti është i hapur për mediat.

Materialet që dokumentojnë revoltën, rezistencën dhe masat që e pasuan ekspozohen në mjediset e Autoritetit, pranë Gardës së Republikës.

Materialet mbi Spaçin janë disa mijëra faqe dhe vihen në dispozicion të të interesuarve, studiues dhe kërkues shkencorë, ish-të përndjekur dhe familjarë të tyre, shoqëri civile dhe media, duke mundësuar njohjen me inventarët e plotë të tyre. Të interesuarit mund të plotësojnë formularët e kërkesës për informim, konform ligjit 45/2015 për t’i lexuar këto dokumente.

Revolta e Spaçit shpërtheu më 21 maj të vitit 1973 dhe u shtyp në mënyrë të dhunshme mëngjesin e datës 23 maj 1973. Materialet do të jenë të ekspozuara deri më datë 25 maj 2018.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar