Njoftim Per Shtyp- 20 Tetor 2018

AUTORITETI PËR INFORMIMIN MBI DOKUMENTET E ISH-SIGURIMIT TË SHTETIT

         

Nr.  982/1 Prot.                                                                                              Tiranë, 20 Tetor 2018

NJOFTIM PUBLIK

DEKLARATË PËR SHTYP

 

Në përgjigje të deklaratës të datës 20 tetor 2018, së z. Gent Strazimiri, Deputet i Partisë Demokratike, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, sqaron opinionin publik si më poshtë vijon:

 

Institucionet Kushtetuese, Autoritete Publike, përfshirë edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit,  kanë paraqitur në vijimësi pranë Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kërkesa ku është kërkuar vlerësimi i cilësive etiko – morale dhe profesionale të punonjësve të Policisë së Shtetit në nivel drejtues në raste të emërimit apo ngritjes së tyre në detyrë, sipas përcaktimeve  të nenit 29, pika 1, gërma “ë” të ligjit 45/2015, “Për të drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit…”. Rezultatet e verifikimit për çdo rast janë komunikuar institucioneve të cilat kanë paraqitur kërkesën dhe në asnjë rast nuk ka patur nga ana jonë ndërprerje të procesit të filluar.

Deri më sot, pranë Autoritetit nuk është paraqitur asnjë kërkesë e shoqëruar me formularët përkatës të plotësuar nga vetë subjektet dhe Organet e Vlerësimit Kalimtar sipas ligjit nr. 12/2018 (Vetingu në polici). Menjëherë, me disponimin e një kërkese të tillë ligjore, Autoriteti në zbatim të pikës g, të nenit 38 të ligjit 12/2018, do të kryejë procesin e verifikimit të figurës së çdo punonjësi që i nënshtrohet kontrollit, konkretisht  nëse ka qenë person në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm, anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit para vitit 1990, sipas ligjit për të drejtën e informimit me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Në përfundim, evidentojmë rolin parësor dhe mjaft të rëndësishëm të Autoritetit në zhvillimin e procedurave të deritanishme në tërësi por dhe kryerjen në veçanti të procedurave të vlerësimit të cilësive etike morale dhe profesionale të kandidatëve për t´u zgjedhur në organet e vetingut KPK dhe KPA dhe atyre për t´u zgjedhur anëtarë të KED, KLP dhe KLGJ, jo vetëm brenda standarteve të kërkuara dhe në kohë reale, por më e rëndësishmja, brenda kornizave që ligji i ngarkon atij.

 

Gjejmë rastin të rikujtojmë organet kushtetuese, institucionet publike dhe organizatat politike të aplikojnë pranë Autoritetit për të provuar lidhjet e mundshme me ish Sigurimin e Shtetit të kandidatëve të ngarkuar me detyra të larta shtetërore