Njoftim për publikun
Raportimi i parë në Kuvend i AIDSSH
Tiranë, 17 prill 2018 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit bëri sot raportimin e parë në Kuvend, për punën e bërë nga krijimi deri më tani, para Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në një seancë të hapur për mediat.
AIDSSH u përfaqësua nga kryetarja, znj. Gentiana Sula, anëtarët z. Simon Mirakaj, z. Altin Hoxha, z. Marenglen Kasmi dhe drejtuesit e Sekretariatit Teknik, znj. Ermira Shtino, sekretare e përgjithshme, z. Selami Zalli, drejtor i informacionit dhe znj. Ardiana Topi, drejtoreshë e arkivit.
Puna njëvjeçare e Autoritetit është paraqitur në raportin përkatës për vitin 2017, të botuar dhe shpërndarë institucioneve shtetërore e organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare që ndërveprojnë me të. Raporti i detajuar është hartuar në kapituj të veçantë, të përqendruar në kuadrin ligjor; bashkëpunimin institucional; bashkëpunimin ndërkombëtar; aktivitetin e institucionit; problematikat dhe vështirësitë; propozimet për përmirësim dhe rekomandimet e detyrat. Kryetarja e AIDSSH, znj. Sula, bëri një paraqitje shteruese të punës, fokusit, problematikave dhe objektivave të institucionit për të ardhmen, duke sqaruar dhe iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve të pranishëm.
Kuadri ligjor mbështetet në rezolutën “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri” (2006) dhe “Për dënimin e krimeve të komunizmit ndaj klerit, si dhe mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e klerikëve në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të drejtave dhe lirive themelore të njeriut” (2016), të Kuvendit të Shqipërisë, në vijim të rezolutës 1481 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” (2006) e më gjerë.
Për të përmbushur misionin e tij, mundësimin e ushtrimit të së drejtës të çdo të interesuari për t’u informuar mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Autoriteti udhëhiqet nga vlerat e transparencës, integritetit, bashkëpunimit, të mësuarit dhe angazhimit proaktiv, në respekt të të drejtave të njeriut, dinjitetit, lirisë, demokracisë, barazisë dhe shtetit të së drejtës.
Gjatë vitit 2017, për të arritur përmbushjen e detyrave sipas ligjit, Autoriteti ka synuar të identifikojë, mbledhë dhe krijojë një arkiv të integruar të të gjitha dokumenteve të njohura, të prodhuara nga/ose të lidhura me veprimtarinë e ish-Sigurimit; të mbështesë verifikimin e zyrtarëve që konkurrojnë për t’u zgjedhur ose emëruar në funksione të ndryshme; të informojë publikun për ekzistencën/funksionet e Autoritetit si një platformë për të gjithë, për kuptimin e së kaluarës komuniste në Shqipëri; të kthehet në një burim arkivor qendror për hulumtimin e aktiviteteve të ish-Sigurimit si dhe të mbështesë punën e dokumentimit të krimeve të komunizmit dhe procesin e kërkimit, gjetjes, identifikimit të atyre që u zhdukën ose u ekzekutuan gjatë komunizmit, duke përfshirë kontributin në bërjen e drejtësisë.
Për këtë mandat kërkohet që Autoriteti të punojë si organ profesional efektiv, në partneritet me homologët vendas dhe ndërkombëtarë. Që nga krijimi, AIDSSH ka synuar të implementojë përvojat më të mira ndërkombëtare, që në kohë sa më të shkurtër të arrijë në nivelin e institucioneve homologe të Gjermanisë, Bullgarisë, Polonisë, Rumanisë, Çekisë, Sllovakisë, etj.
Ndërkohë, përgjatë kësaj periudhe, Autoriteti ka trajtuar kërkesa të paraqitura nga institucioni i Presidentit të Republikës, Kuvendi i Shqipërisë, Avokati i Popullit, subjekte politike për zgjedhjet për Kuvend, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Brendshme (Drejtoria e Përgjithshme e Policisë), Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Qendra e Studimeve Albanologjike, Rektorati i UT, Fakulteti Ekonomik i UT, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i UT, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Po ashtu, kanë kaluar filtrin e verifikimit të pastërtisë së figurës rreth 821 kandidatë për deputetë apo zyrtarë, përpara emërimit apo ngritjes në detyrë; kandidatët për anëtarë të institucioneve të Vettingut, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Nga ana tjetër, janë legjitimuar shumë kërkesa të paraqitura nga studiues/media, për njohjen me dokumente të veçanta, për qëllime kërkimore shkencore dhe në funksion të edukimit qytetar.
Po ashtu, gjatë vitit të parë është kryer digjitalizimi i rreth rreth 30.000 mijë fletëve, (dokumente të administruara sipas rastit), dosje formulare, të punës, personale, të hetuesisë, dosje hetimore gjyqësore, fashikuj, fletë regjistri, etj., që u janë vënë në dispozicion kërkuesve dhe është përballuar një punë voluminoze për kryerjen e procesit të anonimizimit të dosjeve formulare (rreth 9.000 fletë), kryesisht në nivelin e klasifikimit “sekret” dhe “tepër sekret”.
Mbarëvajtja e punës së Autoritetit është siguruar nga marrëveshjet e bashkëpunimit, të firmosura me institucione qendrore dhe ndërkombëtare. Marrëveshjet me Shërbimin Informativ Shtetëror, Ministrinë e Brendshme, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Ministrinë e Mbrojtjes, etj., kanë orientuar punën dhe siguruar përdorimin e informacionit sipas ligjeve në fuqi, duke mundësuar informim dhe mbrojtje të të dhënave.
Nga ana tjetër, marrëveshjet me Prezencën e OSBE-së, Ambasadën e Republikës Federale Gjermane dhe PNUD në Shqipëri, Institutin e Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Agjencinë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim, ndërveprimi me Fondacionin Konrad Adenauer dhe Institutin për Demokraci, Media dhe Kulturë, Institutin e Integrimit të ish-të Përndjekurve Politikë, etj., jo vetëm kanë ndihmuar infrastrukturën digjitale të institucionit por, duke mbështetur kërkimin shkencor, kanë hedhur hapa të qenësishëm në rishqyrtimin historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit, transparencën mbi të shkuarën komuniste dhe dialogun shoqëror rreth saj.
Autoriteti e mbështet vijimësinë e punës së vet në parimet e rëndësishme të rrjetit të kujtesës ENSR, – ku Shqipëria aderon prej vitit 2015, – që e vë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive, si p.sh: paraqitja e këndvështrimeve të ndryshme; evitimi i shprehjeve deterministe: evitimi i përgjithësimeve; trajtimi i figurat historike si individë; sigurimi i një baze gjenuine historike; përdorimi i njohurive të nivelit akademik si burime, ku gjatë punës, çdo përmbajtje duhet të ballafaqohet e të diskutohet me akademikë të njohur dhe certifikuar për njohuritë specifike dhe të duhura për këtë punë.
Synimi i AIDSSH është të përfaqësojë një institucion model të transparencës, për njohjen e thelluar të së shkuarës dhe trajtimin profesional të saj. Kjo, duke realizuar një platformë të integruar informacioni, edhe digjitale, me dëshmi të të mbijetuarve të dënuar gjatë periudhës komuniste e dëshmi të solidaritetit, dokumente dhe realitete që përballen, duke inkurajuar ndërgjegjësimin shoqëror dhe edukimin qytetar.
Për këtë qëllim, Autoriteti ka bashkëpunuar dhe do të realizojë ekspozita dokumentare, konferenca e takime, akademike, historike, kombëtare dhe ndërkombëtare, mbi projektet muzeale të kujtesës, që do të nxjerrin në pah aspektin historik dhe edukativ të vendeve të dënimit të ish-diktaturës; si dhe projekte hulumtimi e pune shkencore me të rinj dhe kërkues të interesuar për njohjen me të shkuarën, që ajo të mos harrohet, të shërbejë për të kuptuar të tashmen e për të ndërtuar të ardhmen në baza më solide.
***
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.
AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar