Sot, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit midis Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit dhe Muzeut Historik Kombëtar, mes znj. Gentiana Sula, Kryetare e Autoritetit dhe z. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut.
Objekt i marrëveshjes është institucionalizimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit të ndërsjellë, për mbështetjen e kërkimit shkencor gjatë rishqyrtimit historik të veprimtarisë së Sigurimit. Të dy institucionet do të bashkërendojnë punën për kryerjen e studimeve të bazuara në materialet arkivore mbi rolin dhe funksionimin e ish-Sigurimit të Shtetit në shtet e shoqëri, dhe do të hartojnë projekte mbi plane të përbashkëta vjetore të aktiviteteve për edukimin qytetar, konferenca, seminare, tryeza pune, etj. duke konsoliduar punën për njohjen e së shkuarës, në funksion të transparencës dhe komunikimit me publikun.