Në Emër të Njeriut: Kujtohet Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut

Nje bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, Delegacionin Europian në Shqipëri, ISKK, Fondacionin Kujto.al dhe ICMP

17 dhjetor 2024, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) organizoi aktivitetin "Në emër të Njeriut", në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Aktiviteti, i cili u zhvillua në ambientet e AIDSSH, kishte për qëllim të theksonte rëndësinë e ndërgjegjësimit për të drejtat e njeriut dhe pasojat e regjimeve totalitare në Shqipëri, përmes shfaqjes së tre dokumentarëve të rëndësishëm.

Gentiana Sula, Kryetare e AIDSSH, theksoi se rishqyrtimi i historisë është një hap i domosdoshëm për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për të përballuar sfidat që ende vijojnë nga trashëgimia e regjimit totalitar,

"Lëvizja për rishqyrtimin e historisë është një akt i jashtëzakonshëm i kurajës dhe integritetit. Ky proces është një mundësi për të ripërtërirë kujtesën tonë kolektive dhe për të ndihmuar shoqërinë të kuptojë se historia nuk është vetëm e shkruar, por gjithashtu ndërtuar nga të vërtetat e fshehura."

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Z. Silvio Gonzato, i cili theksoi rëndësinë e transparencës dhe të drejtësisë në procesin e përballjes me të kaluarën komuniste tha se:

Ky aktivitet na jep mundësinë të nderojmë publikisht ish-të përndjekurit politikë dhe familjet e tyre. Por kujtesa nuk është vetëm për ata që jetuan në ato kohë famëkeqe; ajo është gjithashtu për brezat e ardhshëm. Edhe ata duhet të kujtojnë zhdukjet e ndodhura gjatë regjimit komunist dhe të nderojnë viktimat e represionit dhe heshtjes. Kjo na kujton nevojën për të mbrojtur natyrën universale dhe të pandashme të të drejtave të njeriut."

Ambasadori Gonzato theksoi gjithashtu rolin e AIDSSH dhe të partnerëve të saj në adresimin e çështjes së të zhdukurve gjatë periudhës komuniste: Sot është gjithashtu një mundësi për të njohur punën, rolin dhe përkushtimin e atyre që po angazhohen në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur gjatë komunizmit në Shqipëri, veçanërisht të Autoritetit të Dosjeve. Ajo çka ju bëni në ruajtjen e dokumenteve, në bërjen e tyre të aksesueshme, në nxitjen e debatit dhe në promovimin e drejtësisë është e paçmuar."

Në këtë aktivitet, të organizuar në bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, Delegacionin Europian në Shqipëri, ISKK, Fondacionin Kujto.al dhe ICMP, u shfaqën dokumentarët e mëposhtëm:

"Revolta që tronditi diktaturën" – Një dokumentar që pasqyron revoltën e të burgosurve politikë në kampin e Spaçit më 1971, përmes dëshmive dhe materialeve arkivore, I prodhuar nga Institutit i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, me skenar të Ergys Mërtirit dhe regji të Indrit Kasmit.

"Muzeu Virtual i Kampeve të Maliqit" – Një rikrijim dixhital i kampeve të punës së detyruar në Tepelenë dhe Maliq, bazuar në dëshmitë e të mbijetuarve dhe dokumente të kohës. Bashkëpunimi i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit dhe Fondacionit-Konrad-Adenauer, me skenar të Luljeta Lleshanakut dhe regji të Elton Baxhakut.

"Varret pa Emër"– Një dokumentar që hedh dritë mbi varret masive të periudhës komuniste dhe përpjekjet për identifikimin e viktimave të regjimit. Dokumentar i prodhuar nga Fondacioni Kujto, mbështetur nga Programi i granteve të vogla të ICMP, financuar nga BE dhe Ambasada e Zvicrës.

Pas shfaqjes së filmave, aktiviteti vazhdoi me diskutime dhe pyetje nga audienca, duke ofruar një mundësi për reflektim dhe bashkëbisedim mbi tematikat e trajtuara. Ky aktivitet ishte një hap i rëndësishëm në procesin e ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe përpjekjeve për një të ardhme demokratike dhe të qëndrueshme.