Njoftim për Shtyp
Tiranë, 24 shtator 2024
Në kuadër të projektit “Mbështetja e drejtësisë tranzitore dhe përballja me të shkuarën në Shqipëri”, më datë 24 shtator 2024, në mjediset e Hotel Mondial në Tiranë u zhvillua takimi prezantues i gjetjeve të ekspeditave të para të kryera nga ICMP (Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur) dhe Autoriteti i Dosjeve, në 6 vendndodhje të dyshuara, pjesë e listës prej rreth 120 vendvarrimeve të identifikuara.
Takimi u përshëndet nga Kryetarja e Autoritetit, znj. Gentiana Sula, e cila falënderoi ICMP-në dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen logjistike e financiare në procesin e identifikimit dhe survejimit me metoda bashkëkohore shkencore të vendvarrimeve të dyshuara. Ajo theksoi se ky është një hap i rëndësishëm në përpjekjet për gjetjen e eshtrave të të zhdukurve dhe të vrarëve gjatë periudhës së komunizmit, duke vënë në dukje se deri më tani janë regjistruar rreth 400 aplikime nga familjarët e viktimave.
Në fjalën e tij, z. Luigj Ndou, përfaqësues i ICMP-së, prezantoi punën e ekipit të arkeologëve dhe antropologëve, të cilët kryen sondazhe në 6 vendvarrime të dyshuara në Shkodër, Mirditë, Vlorë, Himarë dhe Kolonjë, ndërsa raportet përfundimtare do t’u paraqiten autoriteteve përkatëse në dhjetor 2025.
Anëtarët e Autoritetit, z. Altin Hoxha dhe z. Gjergj Marku, nënvizuan rëndësinë e bashkëveprimit institucional mes Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme dhe pushtetit vendor, si një detyrim ligjor dhe moral përballë familjarëve që kanë pësuar humbje.
Z. Luan Ismaili, koordinator i projektit AIDSSH/ICMP, bëri një pasqyrë të hapave konkretë të ndërmarrë për përzgjedhjen e 6 vendvarrimeve, përmes mbledhjes së dëshmive, studimit të dokumenteve arkivore dhe bashkëpunimit me pushtetin vendor. Ndërkohë, znj. Sandra Sostaric nga ICMP prezantoi analizën e detajuar të terreneve dhe rekomandimet për ndërhyrjet e ardhshme, duke theksuar sfidat që lidhen me kushtet gjeografike, problematikat e pronësisë dhe administrimin e gjetjeve gjatë procesit të identifikimit perms ADN.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Policisë së Shtetit, pushtetit vendor, organizatave të të përndjekurve dhe të tjerë aktorë institucionalë, të cilët vlerësuan iniciativën dhe theksuan nevojën për zgjerimin e këtyre metodave edhe në vendvarrime të tjera të dyshuara.
Në mbyllje, znj. Sula rikonfirmoi angazhimin e Autoritetit për të çuar përpara këtë proces delikat dhe me ndjeshmëri të lartë, që lidhet ngushtë me kujtesën kolektive dhe drejtësinë tranzicionale, duke kontribuar në dokumentimin e krimeve të regjimit komunist.