Sula : Kujtojmë kufijtë e diktaturës, kujtojmë koston e lartë të lirisë. Hulumtimi do të vijojë në zonat të tjera kufitare të vendit, nga ku raportohen kalimet e ndaluara të kufirit si nga liqeni Shkodrës, pika kufitare e Hanit të Hotit, Konispoli etj.
Pogradec, 28.08.2024-Kalimi i palejuar i kufirit në vitet 1944-1991, sfidat dhe pasojat e tij tek njerëzit që guxuan ta shkelnin atë, dokumentimi i motiveve, ndërtimi i profilit të shkelësit të kufirit, identifikimi i shtigjeve dhe kthimi i tyre në vende të kujtesës, janë disa sfida që i paraprijnë aksionit të AIDSSH për hetimin e vendvarrimeve të dyshuara, për trupat e atyre që nuk iu dorëzuan kurrë familjarëve.
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve. AIDSSH në bashkëpunim me Shoqatën Antikomuniste të Ish-të Përndjekurve Politik Demokrat, Bashkine Pogradec; Departamentin e Historisë (FHF); Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, në Shkup; Institutin e Integrimit dhe Ish-të Përndjekurve Politikë dhe ICMP-n (Komisionin Ndërkombëtar të të Pagjeturve) mbajti në datën 28 Gusht 2024 simpoziumin:"Nga e kaluara në përkujtim- Kufijtë e diktaturës 1944-1991".
Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula tha në fjalën e saj të hapjes se : “ Kujt i refuzohet e drejta për t’u larguar – nga familja, nga komuniteti, – i mohohet esenca e vet njerëzore; nga ana tjetër, edhe të jetosh në vendin tënd është e drejtë themelore e njeriut. Sot kujtojmë ata që guxuan të thyejnë kufijtë dhe ata që paguan kosto të larta të lirisë për shkak të masave të ashpra çnjerëzore që përdori diktatura.
Refuzimi i së drejtës për t’u larguar nga vendi është mohim i aspiratës për zhvillim e përparim, por ky refuzim për mijra shqiptarë rezultoi ishte i ashpër, gati ç’njerëzor. Rreth 13 600 persona u numëruan të arratisur në raportet e Sigurimit të Shtetit, nga 1944 deri në vitin 1990, pa llogaritur të larguarit e ambasadave në korrikun e '90-s. Nga këta, rreth 4 784 ishin gra e fëmijë. Dominonin të ikurit e viteve 1945 e 1948. 998 të tjerë vdiqën ose u vranë nga regjimi në përpjekjen për t'u larguar nga vendi. Familjet e të ikurëve, të vrarëve në kufi u përndoqën duke e rritur edhe me tej rrethin e viktimave.
Ka disa arsye kryesore pse disa vende kufizojnë daljen e qytetarëve. Një nga ato është kontrolli politik. Qeveritë autoritare duan të mbajnë kontroll mbi popullsinë dhe të parandalojnë "largimin" e kundërshtarëve politikë. Ato frikësohen se qytetarët mund të dëmtojnë interesat e vendit nëse lejohen të udhëtojnë lirshëm.
Por ka edhe interesa ekonomike që kufizojnë lirinë e lëvizjes. Janë disa vende që duan të parandalojnë "rrjedhjen" e trurit dhe kapitalit njerëzor, duke kufizuar lëvizjen e qytetarëve. Ato mund të kenë frikë se qytetarët do të zgjedhin të largohen përgjithmonë.
Por shkaku më i qëndrueshëm i ndalimit të lëvizjes është ideologjia dhe propaganda. Qeveritë totalitare shpesh e paraqesin lëvizjen e kufizuar si "mbrojtje" ndaj ndikimeve të jashtme. Ato duan të mbajnë kontroll mbi narrativën kombëtare dhe të parandalojnë veprime kundërrevolucionare.
Shqipëria gjatë diktaturës i shkeli këto standarde ndërkombëtare, duke imponuar kufizime të ndryshme ndaj lëvizjeve të qytetarëve të tyre.Vrasjet në kufi cënuan dhe shkelën drejtëpërdrejtë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të sanksionuara në konventa dhe akte të tjera ndërkombëtare për emigrantët.
Mosdorëzimi i kufomës së atij që vritej në përjekje për të kaluar kufirin, sipas një udhëzimi i Ministrit të Punëve të Brendshme Nr. 01-90, datë 08.06.1983, pasohej nga akte të tjera dhunuese të identitetit. Trupi i dorëzohej institucioneve mjekësore për nevojat e tyre, ose varrosej në vende të caktuara me indentifikimin e një numri regjistri.
Ky fakt e ashpërson më tej temën dhe nxjerr në pah se ligjet gjatë regjimit komunist shërbyen si një mjet për konsolidimin e pushtetit të partisë dhe u shoqëruan thellësisht nga shkelja e të drejtave themelore të njeriut, përfshirë dhe atë për të pasur një vendprehje.
Edhe disa ndryshime në Kodin Penal, në 8 maj të vitit 1990, për kalimin e paligjshëm të kufirit, nuk u shoqëruan me asnjë urdhër për ndalimin e hapjes së zjarrit nga Ministria e Brendshme. Akuza për “tradhti ndaj atdheut” në rast kalimi të paligjshëm të kufirit ra” dhe shumë shqiptarë, në kulmin e varfërisë, izolimit, shtypjes dhe me një etje te madhe për liri, tek tentuan arratisjen, gjetën sërish vdekjen. “
Gjatë punës së saj AIDSSH ka vërejtur se nga 311 kërkesa të familjarëve në Drejtorinë e Procesit të Identifikimit dhe Rikuperimit të Personave të Zhdukur, pranë AIDSSH, 10 përqind të rasteve janë kërkesa të vrasjeve në kufi. Në Drejtorinë e Informacionit numërohen rreth 126 kërkesa individale që lidhen me tentativat për arratisje, të vrarët në kufi dhe arratisje të realizuara.
Statistikat paraprake të përpunuara nga të dhënat e dokumenete arkivore tregojnë se për kufirin juglindor të vendit deri më tani janë raportuar përgjatë viteteve 1944-1980, 45 persona të vrarë në kufi;58 të arrestuar në tentativë për arratisje;1054 që ja kanë dalë të arratisen;13 të arrestuar, pas kthimit nga arratisja dhe 10 persona të pushkatuar, pas arratisjes.
Procesi i mbledhjes së të dhënave vijon me hulmutimin e dokumenteve të reja arkivore që janë deklasifikuar së fundmi. Sipas statistikave nga 9000 të arratisur gjithësej, 1000 i takojne rrethit tē Korces Ersekës, Pogradecit në shifra, apo 11.1% e arratisjeve.”
Më tej kryetarja e Autoritet tha se në kuadër të misionit të AIDSSH për mësimin nga e kaluara përmes realizimit të botimeve për nxënësit e shkollave 9 vjecare, është realizuar libri për fëmijë “Kufij të Thyer” ndërsa është planifikuar ndërtimi i memorialit“Shtegut të Lirisë”, i cili është ambicioz dhe pritet të bashkojë AIDSSH, pushtetin lokal të zonës juglindore të vendit dhe partnerët për t’u finalizuar.
Zhvillimet e simpoziumit u përshëndetën nga nënkryetarja e Bashkisë së Pogradecit, znj. Entela Gusho, e cila vlerësoi zhvillimin e një simpoziumi me një tematikë kaq të ndjeshme, 80 vjet pas mbarimit të luftës dhe fillimit të historive fatekeqe që solli mbyllja e kufijëve dhe ndalimi i lëvizjes. Kryetari i Shoqatës Antikomuniste, Z. Ethem Fezollari vlerësoi bashkëpunimin me Autoritetin për trajtimin e çështjeve themelore që kanë të bëjnë me ish-të përndjekurit politikë me synimin edukimin e shoqërisë me ngjarje të shkuarës që vijojnë të lenë kujtime tragjike në memorien e familjeve që kaluan në këto përvoja të dhimbshme.
Znj.Frédérique HANOTIER, zyrtare e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri shprehu mbështetjen për misonin e AIDSSH-së në drejtim të qartësimit të fatit të të zhukurve: “Mësimi nga e kaluara fuqizon qytetarët që të ndërtojnë një shoqëri më të qëndrueshme dhe demokratike. Kjo është një çështje komplekse dhe EU vazhdon të ketë një përkushtim të fortë për të mbështetur Shqipërinë që të merret me të shkuarën dhe të rrisë kohezionin social në kontekstin e anëtarësimit të vendit në BE.”
Simpoziumi u përshëndet edhe nga Përfaqësuesi i Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur (Commission on Missing Persons (ICMP), Luigj Mila, bashkepunetor i AIDSSH në hartimin e databazës së personave të zhdukur dhe familjarëve të tyre.
Më pas vijoi me tematikat e programuara mbi Kufijtë e Diktaturës. Kuadri Ligjor dhe Institucional në Shqipërinë Komuniste, ku u vecua punimi i Prof. Asoc. Enriketa Papa, nga Departamenti i Historisë në FHF, e cila solli një qasje analitike mbi Kufirin dhe simbolikën e tij në autoritarizmin shqiptar, të krijuar nga Enver Hoxha, në Shqipërinë Komuniste, duke u fokusuar tek izolimi ekstrem dhe politikat kufitare dhe nevojës së shoqërisë dhe politikës vendase në përballje me të shkuarën.
Nëpërmjet hulumtimit, analizimit të dokumentave origjinale dhe shqyrtimi i fakteve, analizës së kuadrit ligjor AIDSSH synon të hedh dritë mbi dukuritë tragjike që solli mbyllja e kufijve dhe izolimi si : vrasjet në kufi, dënimet e gjata apo me vdekje për të arrestuarit në tentativë, pasojat me internimin kolektiv të familjes së mbetur.
Evidentimi, por dhe ekspozimi i të vërtetave historike, nxit rishqyrtimin e historisë dhe edukimin mbi të. Nga ky simpozium, AIDSSH do të shtrojë rrugën për të hulumtuar më tej edhe në në zonat të tjera kufitare të vendit, nga ku raportohen kalimet e ndaluara të kufirit si nga liqeni Shkodrës, pika kufitare e Hanit të Hotit, Konispoli etj