Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula ligjëratë në Universitetin Europian të Tiranës.

Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula ligjëratë në Universitetin Europian të Tiranës:

-Qasja në dokumente sekrete, si mjet i pazëvendësueshëm në konsolidimin e demokracisë

Tiranë 29.03.2023- Kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, Dr. Gentiana Sula, mbajti dje në Universitetin e Europian  të Tiranës ligjëratën me temë:  Qasja në dokumente sekrete, si mjet i pazëvendësueshëm në konsolidimin e demokracisë. 

E ftuar në kuadër të sesioneve akademike që zhvillon Fakulteti i Shkencave  Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në UET, kryetarja e Autoritetit, u shpreh se:

Qasja në arkivat sekrete të 47 viteve të ekzistencës të shtetit shqiptar në fakt është peshe e rëndë, por është dhe pikë kyçe e transformimit tonë drejt demokracisë  perëndimore.

Gjatë prezantimit, Znj. Sula trajtoi disa çështje kryesore që janë thelbësore në trajtimin e dokumenteve sekrete si :

Dokumentet sekrete, interesi kombëtar dhe rënia e mitit të Sigurimit të shtetit.  Pse duhen hapur dokumentet sekrete? Çfarë është një i tillë? Pse i deklasifikojmë dokumentet?

Për të shkuar më tej tek rëndësia e arkivit të mizorive dhe roli i tij në procesin e kujtesës dhe në drejtësinë tranzicionale. Çfarë e dallon atë nga një arkiv normal dhe pasurimi me arkivat e gjalla (dëshmitë gojore). Arkivi si mjet për drejtësi dhe dinjitet.

Po në këtë ligjëratë, Dr. Sula përshkroi për studentët dhe akademikët e UET se si ka evoluar institucionit të Autoritetit. Si u rrit ai në vite,? Stafi dhe ndryshimet ligjore; Kritikat dhe qasja ndaj tyre dhe sfidat që e presin.

 “E kam konsideruar mandatin e parë të punës si një gur themeli për  proceset tona të punës edhe pse ato janë shumë të gjata dhe puna me kujtesën do të vijojë në dekada. Por Autoriteti për here të parë  theu tabutë, prekëm dosjet të klasifikuara sekrete, i hapën ato, gjë që nuk kishte ndodhur përpara. SHISH mbante një pjesë të konsiderueshme të tyre, një pjesë rrinin në Ministrinë e Brendshme të paprekshme, ndërkohë që ishin mbushur plot 25 vjet nga vendosja e pluralizimit në vend dhe në një vend demokratik hapja e dokumenteve sekrete nuk është më një tabu, ato kanë mjete, mekanizma dhe procese përmes, të cilave kryhet procesi i deklasifikimit të dokumenteve.”- tha kryetarja në fjalën e saj duke theksuar rëndësinë se hapjes së  dosjeve të policisë sekrete në komunizëm si thelbësore për promovimin e mirëkuptimit historik, llogaridhënies, drejtësisë për viktimat dhe transparencës në qeveri si e tillë që  ndihmon në parandalimin e përsëritjes së regjimeve autoritare dhe të promovojë një shoqëri më të hapur dhe demokratike.

Heqja e sekretit solli edhe rënien e mitit se policia sekrete në komunizëm ishte e nevojshme për të ruajtur rendin. Ky është një argument i zakonshëm që përdoret për të justifikuar ekzistencën e policisë sekrete në regjimet komuniste. Megjithatë, e vërteta është se policia sekrete përdorej kryesisht për të shtypur disidencën dhe për të ruajtur pushtetin e partisë në pushtet.

Me hapjen publike të shumë dosjeve, për konferenca shkencore, por edhe studime të bëra për figura shumë të nderuara të kohës me një aktivitet politik dhe shoqëror për t’u konsideruar një vlerë kombëtare si ajo e Martin Camajt, Arshi Pipës, Ernest Koliqit, Musine Kokalarit, Sabiha Kasimatit, etj. rrëzohet miti se policia sekrete kishte në shënjestër vetëm armiqtë e shtetit.

Dokumentet na tregojnë për shënjestrimin nga ana policisë sekrete të qytetarëve të thjeshtë për shkelje të parëndësishme, si humori, barcoletat, anekdotat ose komentet kritike për qeverinë.

“Kur bëhet fjalë për dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit nuk bëhet më fjalë për një sekret por për heqjen e një perdeje dhe zbulimin e identitetit të vërtetë të vlerave. Gjërat e pathëna, gjerat e panjohura, për figura të ndritura të kësaj shoqërie të cilat i bëjnë mirë këtij kombi e kësaj shoqërie. Kjo gjë bëhet për Shqipërinë dhe shqiptarët, bëhet për fatet personale që secili sot mos t’ia lë trashëgimi të kaluarën e errët fëmijëve.”- theksoi znj. Sula.

Më tej gjatë prezantim u ndal në çështjen e arkivit të dokumenteve që administron Autoriteti, i cili është pasuruar me dëshmi gojore, rrëfime të ish-të përndjekurve politikë. Ai është pasuruar me analizat mbi dokumente nga ana e historianëve, të cilat nxjerrin në dritë shkeljet në proceset ligjore, shkeljen e të drejtave njerëzore, duke përfshirë punën e detyruar, torturën dhe vrasjet pa gjyq, zhdukjet e trupave të pushkatuarve dhe të të ekzekutuarve me varje. 

Ky arkiv që në gjuhën akademike quhet arkivi i mizorive është një mjet me bazë praktike për t’u përballuar me të shkuarën, për të formuar dhe transmetuar kujtesën, për të nxitur llogaridhënien dhe deklaruar të vërtetave të mohuara me dekada.

Në këtë mënyrë, arkivin, Autoriteti e ka përdorur si një kujtim simbolik i padrejtësive të së shkuarës kjo duke vijuar dialogun e nisur 7 vite më parë për veprimtarinë e policisë sekrete përmes dokumenteve të punës së krijuara nga vetë Sigurimi, si një burim njohjeje për individët dhe të afërmit e tyre të dënuar dhe përndjekur, vrarë, të zhdukur gjatë komunizmit, si burim provash, p.sh. për gjykime, komisione të së vërtetës,  verifikimit të zyrtarëve ose dëmshpërblimit të ish-të dënuarve, si mjet edukimi rreth padrejtësive të së kaluarës duke plotësuar nevojën për respekt për viktimat dhe si bazë për mos përsëritje, në ekspozita, të cilat janë bërë të aksesueshme për një publik më të gjerë dhe kanë impakt në shoqëri. Në këtë drejtim Autoritet  po e përdor arkivin si një mjet për ndërtimin e një platforme edukuese për mësime historie, dhe jo vetëm, për mësuesit dhe nxënësit e sistemit parauniversitar.

Dr. Gentiana Sula : “Përvoja e re që kemi krijuar në drejtim të kujtesës dhe përdorimi i arkivave në funksion të saj na ka treguar se është nevoja për më shumë ndërveprim dhe akses nëpër dokumente, sepse kjo e ndihmon shoqërinë tonë të fitojnë një kuptim më të plotë të mizorive dhe t'u japë viktimave një rehabilitim të merituar dhe të shumëpritur, si nga pikpamja historike, psikologjike ashtu edhe financiare.”

Në pjesën e tretë të prezantimit, kryetarja e Autoritetit foli  për evoluimin e institucionit, krijimi një  arkivi të unifikuar, rritjen e stafit në vite si dhe ndryshimet  e duhura ligjore, të cilat kanë ndikuar në rritje e  transparencës të plotë dhe objektive mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, në përputhje me qëllimin dhe parimet e ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, të ndryshuar”.

  përfundim kryetarja theksoi se  është e vendosur për të mos e lënë të shkuarën në harresë dhe do vijojë nismat, projektet komplekse, bashkëpunimin me individët dhe komunitetet  për ta profilizuar gjithnjë e më shumë Autoritetin si një platformë shërbimesh për qytetarët dhe studiuesit, duke synuar ridimensionim e figurave dhe ngjarjeve historike, dëshmitë gojore, qartësimin e fatit të të zhdukurve në diktaturë; verifikimin e figurave publike, që ndikojnë drejtpërdrejtë në kuadrin e reformës në drejtësi dhe rritjen e besimit në institucionet demokratike, si dhe realizimin  e konferencave ndërkombëtare, që trajtojnë tema të së shkuarës sonë të afërt me profesionalizëm dhe besim në vlerat njerëzore.