Tiranë, 15 tetor 2018 – Në ditën e parë të vitit akademik universitar 2018-2019, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit përuroi këndin e kujtesës së studiueses Sabiha Kasimati, në Muzeun e Shkencave të Natyrës që tashmë mban emrin e saj.
Aktivitetet u zhvilluan në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, studiues e familjarë.
Mbajtën fjalën e rastit dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës Prof. Dr. Spiro Drushku, Rektori i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Mynyr Koni, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë znj. Lindita Nikolla, Kryetarja e AIDSSH-së, znj. Gentiana Sula dhe z. Uran Butka, në prani të përfaqësuesve të shumtë të botës akademike, familjarëve, studiuesve, studentëve dhe trupit diplomatik.
Me realizimin e këndit informues në hyrje të Muzeut, Autoriteti përmbush një ndër detyrat e tij të informimit qytetar përmes kërkimit shkencor, në funksion të së vërtetës historike dhe përballjes me të shkuarën. Pas një pune më shumë se njëvjeçare të institucionit, të bashkërenduar me projekte të shkencës, hedhjes dritë mbi të kaluarën dhe ridimensionimit të personaliteteve, u bë e mundur që Sabiha Kasimatit t’i jepet një vend nderi në Muzeun që e ideoi, konceptoi, propozoi e themeloi, para se të dënohej dhe ekzekutohej brutalisht, për t’u braktisur në harresë dhjetëravjeçare.
Këndi i kujtesës përmban materiale që e prezantojnë Kasimatin si shkencëtare dhe personalitet kurajoz. Ai është finalizuar nga bashkëpunimi i një grupi ndërdisiplinor me historianë, biologë, arkivistë, gazetarë e kërkues shkencorë, dhe një pjesë e të dhënave ekspozohen për herë të parë. Narrativa e jetës dhe veprimtarisë së Sabiha Kasimatit është bazuar në dokumente, shkresa, raporte e fotografi të rralla; pas propozimit të AIDSSH më 8 mars të këtij viti, për t’i dhënë emrin e saj Muzeut të Shkencave të Natyrës, vendim i miratuar unanimisht nga Senati i Universitetit të Tiranës.
Prej vitesh, studiues të shumtë, bazuar në kërkime të shumta arkivore, përmes publikimeve të ndryshme kanë synuar ridimensionimin e figurës së saj për t’i dhënë vendin që i takon në historinë dhe shkencën shqiptare. Presidenti i Republikës e ka nderuar me medaljen “Për veprimtari patriotike” dhe në kuadrin e grupit të 22 intelektualëve të pushkatuar, si “Nderi i Kombit”. Duke i prezantuar këto studime në një institucion arsimor, Autoriteti i njeh të rinjtë dhe publikun e interesuar me personalitetin e Kasimatit dhe, përmes dokumenteve e dëshmive, ndihmon në ringritjen e emrit të saj.
Pas fjalës së organizatorëve dhe vizitës në këndin e kujtesës, në mjediset e Muzeut u shfaq filmi dokumentar mbi jetën e Sabiha Kasimatit, i gazetarit Ferdinand Dervishi.
Autoriteti
Autoriteti e mbështet punën e vet dhe vijimësinë e projekteve të ndërmarra në parimet e rëndësishme të kujtesës, që e vënë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive, si paraqitja e këndvështrimeve të ndryshme; evitimi i shprehjeve deterministe: shmangia e përgjithësimeve; trajtimi i figurave historike si individë; sigurimi i një baze gjenuine historike; përdorimi i njohurive të nivelit akademik si burime, ku çdo përmbajtje duhet të ballafaqohet e të diskutohet me akademikë të njohur dhe certifikuar për njohuritë specifike e të duhura për këtë punë.
Mbështetur në këto parime, në kërkimin shkencor dhe përballjen profesionale të fakteve, Autoriteti vijon të ndërmarrë projekte ambicioze e komplekse, që kanë në fokus rishqyrtimin e historisë, rivlerësimin e saj, rehabilitimin e viktimave, rezistencën në personalitete e komunitete dhe inkurajojnë dialogun social, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë