Instalacioni “Edhe Muret Kanë Veshë” Mbi Krimet E Diktaturës Komuniste Në Shqipëri

Instalacioni “Edhe muret kanë veshë” mbi krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri

Tiranë, 20 shkurt 2019 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Bashkia Tiranë, në përkujtim të rrëzimit të shtatores së diktatorit, projektuan në fasadën ballore të Muzeut Historik Kombëtar instalacionin e artistes konceptuale Alketa Xhafa Mripa.

Një vit më parë, më 20 shkurt 2018, në kuadër të projektit “Përkujtojmë për të shëruar dhe parandaluar”, Autoriteti me mbështetjen e PNUD Shqipëri dhe Qeverisë Italiane i dha jetë nismës “Edhe muret kanë veshë”, në Bashkinë e Tiranës, për të rrugëtuar në të gjithë Shqipërinë. Pas një viti, po më 20 shkurt, në sheshin “Skënderbej” u ftuan të ndjekin instalacionin dhe të nderonin  dinjitetin njerëzor të viktimave dhe të mbijetuarve qytetarë, të rinj e studentë, përfaqësues familjeve të përndjekura dhe shoqatave për të drejtat e njeriut, institucioneve publike dhe joqeveritare, të trupit diplomatik, artit, kulturës dhe medias.

Instalacioni, i realizuar nga artistja Alketa Xhafa-Mripa, është një krijim shumëdimensional i kujtesës kolektive për ata që u dënuan, humbën lirinë apo jetën në burgjet dhe kampet e diktaturës komuniste. Frazat apo thëniet që përshkruajnë tragjedinë njerëzore të shkaktuar nga krimet e komunizmit  janë shkëputur nga dorëshkrime, dokumentime, apo arkiva personale të individëve të burgosur apo internuar dhe janë përzgjedhur nga dëshmitë gojore të të mbijetuarve. Me to, Mripa ka krijuar një narrativë të zgjeruar, ku frazat lidhen me njëra-tjetrën, duke shfaqur aspekte të ndryshme të diktaturës. Shprehjet, dikur të ndaluara, u projektuan në formate të mëdha në fasadën ballore të Muzeut Historik Kombëtar dhe ndriçuan errësirën, duke riafirmuar vlerat europianiste, që ishin dhe vizioni i rrëfimtarëve.

Më herët, instalacioni është projektuar më 8 maj 2018, në prag të Ditës së Europës, në fasadat shesheve kryesore të Tiranës, Shkodrës, Korçës, Tepelenës, Beratit e Gjirokastrës dhe më 23 maj, në organizimet për përkujtimin e viktimave të totalitarizmit në Kampin e Tepelenës.

“Edhe muret kanë veshë” është quajtur platforma e komunikimit me të gjithë elementet e saj, që u zbatua nga Autoriteti, në bashkëpunim me partnerë dhe të interesuar, për rritjen e ndërgjegjësimit mbi krimet e së shkuarës komuniste dhe inkurajoi dialog me universitetet, akademikët, komunitetet lokale, të mbijetuarit e krimeve të diktaturës komuniste, mediat e publikun e gjerë, duke arritur rezultate konkrete. Faza e parë ishte projektimi i njëkohshëm i instalacionit artistik, që vijoi me botimin e historive personale të të mbijetuarve të krimeve të diktaturës dhe dokumentarin mbi dëshmitë gojore ku, duke ndjekur rrugëtimin e këtij produkti artistik dhe social, shihen portretet dhe dëgjohen historitë e shqiptarëve që qëndruan me dinjitet.

Tashmë, pas një viti bashkëpunimesh dhe përvojash në kryeqytet, komunitete lokale dhe të interesuarit në diasporë, Autoriteti e ka konsoliduar linjën e mbledhjes së dëshmive, duke krijuar databazën përkatëse dhe arkivin digjital të rrëfimeve gojore, që pasurohet në Shqipëri dhe jashtë saj, me marrëveshjen me Zërin e Amerikës dhe Federatën Panshqiptare Vatra në SHBA, apo partnerë të tjerë, duke e zgjeruar arkivin e Autoritetit dhe duke u pasqyruar në të njëjtën kohë, në faqen http://evenwallshaveears.org/, e lidhur me faqen zyrtare të AIDSSH.

Përkujtimi i rrëzimit të shtatores në vitin 1991 hap organizimet e Autoritetit përgjatë një jave, ku veç nderimit të viktimave dhe të mbijetuarve të komunizmit, janë ndërmarrë nisma konkrete për meritat civile dhe dinjitetin njerëzor të personave të përfshirë në zbardhjen e masakrës së 26 shkurtit 1951, ku u ekzekutuan pa gjyq 22 intelektualë të pafajshëm.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.