Informacion për shtypin
Në përkujtim të 70-vjetorit të kryengritjes së Zhapokikës
AIDSSH ekspozon dokumente arkivore të rezistencës antikomuniste të kryengritjes së Zhapokikës
Tiranë, 5 – 6 tetor 2018 – Më 5 tetor, në mjediset e Akademisë së Shkencave zhvillohet aktiviteti përkujtimor për 70-vjetorin e kryengritjes së Zhapokikës. Një ditë më pas, aktiviteti zhvendoset në Memaliaj, duke e përkujtuar kryengritjen në mjedisin ku mori jetë. Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në funksion të veprimtarisë dhe hulumtimit shkencor, me qëllim rishqyrtimin historik të veprimtarisë së ish-Sigurimit të Shtetit dhe edukimit qytetar, jep informacione dhe ekspozon materiale arkivore të dosjeve të rezistencës antikomuniste.
Me pjesëmarrjen e z. Simon Mirakaj dhe z. Altin Hoxha, anëtarë, AIDSSH vë në dispozicion të publikut materialet e veta arkivore, duke krijuar mundësi për njohje të thelluar me informacione, dokumente, procesverbale, dosje, foto e statistika që plotësojnë tablonë historike të kryengritjes së Zhapokikës, e cilësuar si një nga aksionet më të forta të rezistencës sonë kombëtare antikomuniste; duke hedhur dritë mbi të shkuarën, me baza profesionale, transparencë dhe komunikim të hapur me publikun.
Kryengritja antikomuniste
Kryengritja e vitit 1948 u zhvillua në Zhapokikë, një fshat i Memaliajt në rrethin e Tepelenës dhe konsiderohet si një ndër ngjarjet që lanë gjurmë në historinë e Shqipërisë të pas Luftës së Dytë Botërore.
Masat shtrënguese në rrafshin politik dhe ekonomik të qeverisë komuniste ndaj të gjitha shtresave shoqërore të popullatës shkaktuan kudo pakënaqësi e zemëratë. Shkatërrimi i bazës ekonomike në fshat, tatimet e rënda, marrja e tokës, bagëtive, por sidomos përndjekja e egër për shkaqe politike e individëve të përfshirë në formacionet luftarake nacionaliste gjatë viteve të Luftës si dhe familjeve të tyre, solli reagimin e fshatarëve ndaj pushtetit të ri.
Nismëtari i krijimit të çetës, Xhemal Brahimi, ishte aktivizuar në luftën antifashiste në radhët e Ballit Kombëtar. Ai mbante kontakte me fshatrat e Tepelenës, si Zhapokika, Luftinja, Kamçishti, Salaria, Plashniku, Levani, Gllava, etj. Agjitacioni, që zhvillonte Xhemali me fshatarët kishte të bënte me gjendjen e tyre të keqe, përkrahjen e antikomunistëve nga jashtë vendit, ndërhyrjen e anglo-amerikanëve, etj.
Pjesëtarë të tjerë të çetës së Kryengritjes së Zhapokikës ishin ish-xhandari Bajram Ahmetaj, ish-funksionari Mehmet Yzeiri, polici Salo Kalo, bujku Sefer Yzeiri, bujku Safet Kamberi, ish-majori Sulo Zaimi, etj.
Lëvizja u zhvillua në zonat e Mallakastrës, Gjirokastrës e Beratit, ku arritën të grumbulloheshin 25 persona të armatosur. Më 20 shtator 1948 ata formuan çetën “Baba Shefqet”, në nder të klerikut bektashi të pushkatuar nga komunistët më 14 janar 1948. Flamuri i çetës ishte flamuri kombëtar pa yllin e kuq, ndërsa kënga e çetës “Kënga e Baba Tomorrit”:
“Ejani o popull, mblidhuni me ne,
O baba Tomorr, lësho një rrufe,
Armët ne i kemi fshehur nën dhe,
Do të bëjmë luftë, flakë e batare,
Si luftoi me pallë trimi Skënderbe.”
Më 28 shtator 1948 u zgjodh me votim komanda e çetës: Xhemal Brahimi, komisar politik, Baram Ahmetaj, komandant, Mehmet Yzeiri, nënkomandant, Salo Kaso, anëtar shtabi, Sefer Yzeri, kryetar i skuadrës së atentatorëve.
Çeta i caktoi si detyrë vetes të lidhej me grupe të tjera antikomuniste derisa në Shqipëri të krijohej një qeveri nacionaliste demokratike. Shumica e anëtarëve të çetës ishin nga Zhapokika e Luftinja. Duke e konsideruar veten edhe si grupim politik, çeta zhvilloi disa mbledhje. Mbledhjen e parë e bëri në vendin e quajtur Ledhi i Madh, të dytën në malin e Zhapokikës dhe tjetrën në Kamçisht. Formacioni shënoi rritje në numër duke qenë se e zhvillonte veprimtarinë në zona malore ku forcat e ndjekjes të Ministrisë së Brendshme e kishin të vështirë të depërtonin. Më 2 tetor 1948, çeta sulmoi forcat e ndjekjes, pasi këta kishin ndaluar tre antikomunistë. Pas këtij sulmi të çetës forcat qeveritare u tërhoqën. Pasi çau rrethimin në Plashnik e Molisht, çeta mori drejtimin e Beratit, por u godit në Gllavë më 8 tetor 1948. Nga forcat qeveritare u vranë dy persona, ndërsa nga çeta u vranë Mehmet Yzeiri dhe Salo Kaso. Kjo ishte goditja më e rëndë për çetën. Disa anëtarë u dorëzuan, të tjerë u arrestuan apo u arratisën. Shaqo Limja dhe Sefer Yzeri qëndruan më gjatë. Bajram Ahmetaj u arrestua në janar të vitit 1949.
Procesi gjyqësor
Regjimi synoi të bënte një gjykim të shpejtë e shembullor. Gjyqi u zhvillua në Gjykatën Ushtarake të Gjirokastrës. Më datë 14.5.1949, trupa gjykuese dha vendimin nr. 24, bazuar në pretencën e prokurorit ku akuzoheshin se: “në shtator – tetor 1948 kanë formuar bandë të armatosur për të rrëzuar pushtetin popullor, kanë marrë pjesë në luftime kundër forcave të regjimit, kanë vrarë dy policë dhe shefin e seksionit të Sigurimit Xhezo Makashi dhe kanë lidhur e kanë dashur të vrasin dy fshatarë”.
- Bajram Ahmetaj, vjeç 59, arrestuar më 4.1.1949, me vdekje.
- Sefer Yzeri, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1949, me vdekje.
- Shaqo Muçodemaj, vjeç 29, arrestuar më 16.10.1948, me 20 vjet burg.
- Xhemal Asllani, vjeç 21, arrestuar më 5.10.1948, me 15 vjet burg.
- Xhemal Begaj, vjeç 35, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet burg.
- Mete Didi, vjeç 36, arrestuar më 19.10.1948, me 15 vjet burg.
- Balil Veliu, vjeç 39, arrestuar më 10.10.1948, me 15 vjet burg.
- Xhelal Begaj, vjeç 35, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet burg.
- Gani Kodheli, vjeç 36, arrestuar më 16.10.1948, me 12 vjet burg.
- Mehmet Mupodemaj, vjeç 21, arrestuar më 5.10.1948, me 12 vjet burg.
- Hajri Mahmutaj (Cenometaj), vjeç 39, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet burg.
- Selfo Xhemali, vjeç 49, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.
- Beg Veizi, vjeç 49, arrestuar më 5.10.1948, me 4 vjet burg.
- Nuredin Rrodhaj, vjeç 29, arrestuar më 5.10.1948, me 4 vjet burg.
- Hajredin Alushi, vjeç 33, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.
- Mehmet Kalemaj, vjeç 49, arrestuar më 16.10.1948, me 4 vjet burg.
- Teme Pajo, vjeç 49, arrestuar më 5.10.1948, me 3 vjet burg.
- Shefqet Didi, vjeç 19, arrestuar më 16.10.1948, me 3 vjet burg.
- Seit Çaushaj, vjeç 34, arrestuar më 10.10.1948, me 3 vjet burg.
- Jashar Canaj, vjeç 44, arrestuar më 10.10.1948, me 3 vjet burg.
- Maliq Didi, vjeç 57, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.
- Demo Aliu, vjeç 45, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.
- Riza Çaushi, vjeç 49, arrestuar më 10.10.1948, me 2 vjet burg.
- Mufit Islami, vjeç 29, arrestuar më 5.10.1948, me 2 vjet burg.
- Adem Memaj, vjeç 21, arrestuar më 10.10.1948, me 12 vjet burg.
Përndjekja dhe transparenca mbi të shkuarën
Një nga veprimtaritë e Autoritetit është hapja e dosjeve/dokumente/fashikuj të krijuara nga struktura të ish-Sigurimit të Shtetit, në ngarkim të personave të caktuar kundërshtarë të regjimit diktatorial, apo dosjeve të krijuara për vetë bashkëpunëtorët apo të favorizuarit e ish–Sigurimit të Shtetit.
Në këtë kontekst, për shtetasit Shaqo Lime Muçodemaj, AIDSSH disponon dosje formulare, Kategoria 2B, e krijuar nga strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit që në vitin 1959, gjatë kohës së vuajtjes së dënimit në burgun e Burrelit deri në tetor të vitit 1988, që përkon me vdekjen e tij. Po ashtu për shtetasin Hajri Cenometaj, dosje personale, Kategoria 2 B.
Nga njohja me dokumentacionin arkivor të gjendur në dosjet e sipërcituara të krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit, vërehet përndjekja permanente, me akuza herë-herë të sajuara, me pyetje sugjestionuese dhe provokime të njëpasnjëshme, me denigrime dhe përbaltje të figurës së tyre deri në ekstrem përpara komunitetit të zonës. Njëherazi vërehet se një numër i konsiderueshëm personash që rezultojnë të vendosur në bashkëpunim me ish-Sigurimin e Shtetit e kanë përmbushur me zell detyrën, për shkak të vetë rrethanave të tyre jetësore, familjare dhe biografike.
Informacioni në dosjet e Sigurimit të Shtetit
AIDSSH mundëson informacionin mbi përmbajtjen e dosjes formulare të krijuar në ngarkim të shtetasit Shaqo Muçodemaj, nga dokumente autentike të para për herë të parë, për të kuptuar dhe njohur më mirë elementët dhe metodat e përdorura nga strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit.
Shtetasi Shaqo Muçodemaj pas daljes nga burgu në vitin 1967 (kryerjes së dënimit me 18 vite burg) punësohet ne sektorin e “derrave”, si një nga sektorët më të vështirë në kooperativën e bashkuar Luftinjë, merret në përpunim aktiv 2 A, nga struktura të ish-Sigurimit të Shtetit. Për ndjekjen dhe survejimin e tij deri në momentin e vdekjes u përdoren tetë bashkëpunëtorë.
Më poshtë disa deklarime të këtij subjekti dhënë bashkëpunëtorëve që e kanë ndjekur sistematikisht apo dëshmitarëve që kanë bërë kallëzime pranë organeve të ish-Sigurimit të Shtetit.
- “Çfarë socializmi?! Këta nuk kanë turp që thonë kështu, sepse socializmin nuk e do gjithë bota, por këta kanë ngelur si peshku pa ujë. Socializmi nuk ka për t’u ndërtuar as për 500 vjet.”
- “Ali Pashë Tepelena preu një rrap të madh në Progonat dhe mblodhi burrat e fshatit dhe tha, ne e premë këtë rrap, dhe një nga burrat u çua dhe i tha: ju pretë një, po aty mbijnë 20”. Lidhur me këtë thënie u vunë në lëvizje strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit dhe vetë ai, i pyetur nga një bashkëpunëtor, u shpreh se: “Sa më shumë të vrasësh, aq më shumë armiq ke, se po të vrasësh një të shtohen të tjerë”.
- “Shyqyr që nuk ngordhën qetë e kooperativës se, kushedi sa burra do të ishin në burg, sepse këta të fusin në burg me dyshime, sidomos ne që kemi ndonjë kleçkë”.
- Një nga dëshmitarët deklaronte se, duke qenë në stallat e kooperativës bashkë me Shaqon, aty shkoi kryetari i Këshillit Popullor të Bashkuar Luftinjë, Shaqua ankohet, “se derrat nuk janë mirë, se po të dinë derrat ku janë depot e armëve, do marrin armët dhe do të të vrisnin ty të parin, kryetarin e kooperativës dhe komunistët e tjerë”.
- Shaqua në bashkëbisedim me një bashkëpunëtor i thotë se “më parë kishim më shumë për të ngrënë, ndërsa tani nuk kemi çfarë të hamë. Një kg vaj marrim, që është si sh…dhie apo më këtë bukë që është e keqe nuk e ha as qeni dhe të thyen dhëmbët”.
Me thënie të tilla, strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit e denigruan shtetasin Shaqo Muçodemaj përpara anëtarëve të kooperativës së bashkuar Luftinjë, duke arritur kulmin që folësit në këto mbledhje, mes të tjerave të shprehen se Shaqua duhej varur në litar, si armik i betuar i regjimit.
Së fundmi, vlen të theksohet se përndjekja dhe survejimi i shtetasit Shaqo Muçodemaj, si element armik i pushtetit popullor, që zhvillon agjitacion e propogandë kundër pushtetit ka përfunduar me mbylljen e Dosjes së Përpunimit 2B dhe arkivimin e saj, më datë 27.10.1988, që përkon me vdekjen e tij.
Për dhënien e këtij informacioni publikut, është punuar kryesisht mbi dosjen hetimore gjyqësore të krijuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, për shtetasin Bajram Kamber Ahmetaj dhe njëzet e tre të dënuarit që morën pjesë në kryengritjen e Zhapokikës të vitit 1948.
***
Autoriteti e mbështet punën e vet dhe vijimësinë e projekteve të ndërmarra në parimet e rëndësishme të kujtesës, që e vënë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive, si paraqitja e këndvështrimeve të ndryshme; evitimi i shprehjeve deterministe: shmangia e përgjithësimeve; trajtimi i figurave historike si individë; sigurimi i një baze gjenuine historike; përdorimi i njohurive të nivelit akademik si burime, ku çdo përmbajtje duhet të ballafaqohet e të diskutohet me akademikë të njohur dhe certifikuar për njohuritë specifike e të duhura për këtë punë.
Mbështetur në këto parime, në kërkimin shkencor dhe përballjen profesionale të fakteve, Autoriteti vijon të ndërmarrë projekte ambicioze e komplekse, që kanë në fokus rishqyrtimin e historisë, rivlerësimin e saj, rehabilitimin e viktimave, rezistencën në personalitete e komunitete dhe inkurajojnë dialogun social, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë.
Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme