Më 29 korrik, Kuvendi i Shqipërisë shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
Ndryshimet në ligjin funksional kanë të bëjnë me rregullimin e veprimtarisë së Autoritetit në zbatim të detyrave të ngarkuara nga ligji 45/2015 dhe praktikave të ndeshura gjatë ushtrimit të detyrave funksionale, për përmbushjen me sukses të misionit të tij; shmangien e vështirësive të krijuara gjatë procesit të dorëzimit të dokumentacionit midis AIDSSH dhe institucioneve të tjera që administrojnë dokumente të krijuara nga strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit apo të lidhura me to; sanksionimin e afateve prekluzive që lidhen drejtpërdrejt me afatin kohor të verifikimit të figurave të zyrtarëve, përpara emërimit apo ngritjes në detyrë të tyre; qartësimin e terminologjisë ligjore në përkufizime të termit bashkëpunëtor, anëtar i ish-Sigurimit të Shtetit, unifikimin dhe harmonizimin me legjslacionin në fuqi në fushën e organeve të vetingut në drejtësi dhe polici, përafrimin e legjislacionit tonë me Konventën Ndërkombëtare të OKB-së për mbrojtjen e të gjithë personave nga zhdukjet me forcë; gjetjen e mënyrave të reja të bashkëpunimit me institucionet qendrore dhe vendore në funksion të identifikimit dhe rikuperimet të trupave të të zhdukurve ose të ekzekutuarve dhe vendvarrimeve të tyre; dhënien e informacionit të saktë mbi ekzistencën e dokumentacionit të krijuar nga struktura të ish-Sigurimit të Shtetit për subjektet kërkuese, në kuadër të minimizimit të korrigjimit të informacioneve që rezultojnë të pasakta pas konstatimit nga vetë Autoriteti apo personat e interesuar; informimin në shkallë të gjerë, me qëllim rritjen e ndjeshmërisë publike ndaj krimeve të komunizmit, ku rol parësor kanë pasur strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit, përmes aktiviteteve, botimeve, pjesëmarrjes në media dhe rrjete sociale, politikë kjo e kërkuar në vijueshmëri në Kuvend, përmes Rezolutave.
Pas botimit në Fletoren Zyrtare, ligji 45/2015, i ndryshuar hyn sot në fuqi.