- Loja e kujtesës përmes mesazheve të fshehura ngacmoi imagjinatën e 40 nxënësve të cilët morën për herë të parë në duar librat për fëmijë mbi historinë e ish-kampit burg.
Mirëditë, 24 maj 2024- Në kuadër të 51-vjetorit të Revoltës së Burgut të Spaçit, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Këshillin e Europës, organizoi aktivitetin: “SPAÇI, DJE DHE SOT - një ditë kujtese me të rinjtë”, me pjesëmarrjen e 40 nxënësve dhe mësuesve të tyre të shkollës së mesme”At Shtjefën Gjeçovi’, Kurbin dhe shkollës 9 vjeçare "Hamza Muça", Shkallnuer, Durrës.
Kryetarja e Autoritetit, Znj. Gentiana Sula tha në fjalën e saj : “Fëmijët vijnë në këtë botë si të huaj, nuk dinë çfarë ka ndodhur, ndaj edhe ne vendosëm që krahas librit akademik për revolten e Spaçit të gjejmë gjuhën e duhur për t’ia treguar historinë brezit të ri.
Libri për fëmijë që prezantojmë sot përveç historisë së revoltës dhe konceptit mbi diktaturën, nëpërmjet rrëfimeve në vetë të parë të fëmijëve të ish-dënuarve, sjell si e përjetuan ata historinë, barrën e fajit të pakryer, veçimin shoqëror, stigmën që ata ndjenë gjatë jetës për shkak të burgosjes së baballarëve. Libri është shkruar nga shkrimtare për fëmijë dhe ka ilustrime grafike dhe sigurisht që ka kaluar në filtrin shkencor. Kjo është një tentativë e mirë dhe AIDSSH do të vijë nëpërmjet botimeve të tilla për të treguar në gjuhën e fëmijëve të tjera ngjarje të së shkuarës.”
Kryetari i i Bashkisë së Mirëditës, z. Albert Mëlyshi, tha se: “Sa herë që vij në Spaç përjetoj momente të forca emocionale për shkak të historisë që mbart ky kamp-burg. Fjala Spaç edhe nga goja e banorëve të zonës tingëllonte rrënqethëse dhe frikshme.” Ai u shpreh se kampi duhej të ishte kthyer në muze të kujtesës kolektive kohë më parë dhe se projekti për t’a transferuar atë në zonwn e Repsit nuk ishte aspak i përshtatshëm.
Suela Kusi, përfaqësuese e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë tha se : “Ky vend na bashkon jo vetëm që të kujtojmë vuatjet e të burgosurëve politikë gjatë regjimit komunist, por mbi të gjitha të diskutojmë mbi mësimet që mund të nxjerrim nga një prej periudhave me famëkeqe dhe komplekse të së kaluarës sonë komuniste. Zyra e Këshillit të Europës iu bashkua propozimeve të AIDSSH që përmes programit - Edukimi për Demokraci në Arsimin Formal- t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë mësimit të historisë përmes aktivitetve që u krijojnë mundësinë nxënësve të njohin të vërtetën dhe të nxisin të menduarit kritik"
Rovena Rrozhani shkrimtarja e librit për fëmijë “Dielli lind në Spaç”, e cila ndau me nxënësit përmbajtjen e librit duke i përfshirë ata gjatë tregimit të historisë tha se :
” Ky libër ndërthur historinë e rrëfyer në gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme me dëshmi të fëmijëve që dikur kanë udhëtuar drejt burgut në Spaç për të takuar baballarët dhe informacione për të drejtat e njeriut. Nuk ka qenë e lehtë, sepse ekziston mendimi që fëmijët nuk janë gati për të dëgjuar për të kaluarën dhe ngjarje si revolta e Spacit. Por sot vetë fëmijët dëshmuan se ata janë më të rritur nga sa ne i mendojmë, se ata kanë nevojë të dinë të vërtetën dhe të rriten si qytetarë të denjë në një shoqëri me kulturë demokratike.” Libri është pasuruar me grafikat e artistes së artit vizual Anila Zajmi
Rovena i udhëhoqi ata më pas në lojën e kujtesës, kur përmes mesazhe të fshehura, që lexoheshin nga vetëfëmijët, u zbuluan copëza historie nga kampi, kujtime, poezi, dëshmi.
Grupi i të rinjve të shkollës së mesme u njoh me librin, “Spaç, historia e një revolte” dhe ndoqi dokumentarit me metrazh të shkurtër për të rinj “3 ditët e lirisë në Spaç”. Aktiviteti vijoi me vizitën e nxënësve në ish-kampin burg të Spaçit, në drejtimin e guidës së ekspertit të AIDSSH, Dr. Edlir Orhani dhe të mbijetuarit të këtij burgu Agron Hoxha. Ekspozita “Gjurmë qëndrese në Spaç”, në përkujtim të 50-vjetorit të revoltës, si dhe ekspozita me punime artistike nga nxënës të shkollave të mesme artistike dhe Qendrës “Tumo”, pasuruan njohuritë e fëmijëve.
Katër pëllumba u lëshuan nga nxënësit në kujtim të katër të rinjve që u pushkatuan 24 majin e vitit 1973. Në një baner të posaçëm nxënës, mësues lanë gjurmën e tyre të kujtesës.