E nderuar Gentiana Sula!
I nderuar Simon, të cilin e kam takuar këtu për herë të parë!
I dashur Zenel Drangu, së bashku jemi takuar në Spaç!
Është ndjesi vërtet e veçantë të qenët këtu sot. Është një nga takimet e para me kaq shumë prej jush, që nga tetori i 2019-s, kur lançuam këtë projekt bashkëpunimi “Rikonstruksioni dhe riorganizimi i ndërtesës së re të AIDSSH, arkivit dhe digjitalizimit të të gjitha dokumenteve arkivore.” Por çfarë lançuam në të vërtetë? Më lejoni t’jua them çfarë:
Ne lançuam një projekt që i qaset historisë së të shkuarës.
Lançuam një projekt për pajtimin dhe të vërtetën.
Lançuam një projekt që u jep dinjitet viktimave.
Kanë kaluar më shumë se dy vjet, përgjatë të cilëve nuk kanë munguar sfidat, si tërmeti dhe pandemia COVID, por pavarësisht të gjithave, projekti ka vijuar të japë rezultate në çdo aspekt!
Prandaj jemi këtu sot, për të festuar një nga arritjet më të mëdha të tij: një mjedis pune të mirë, miqësor dhe produktiv, jo vetëm për punonjësit e Autoritetit, por edhe për ata që vijnë në këtë institucion, në kërkim të informacionit, për të studiuar dokumentet, për t’u takuar me ju, si dhe për t’u informuar për familjarët e persekutuar.
Kjo është e rëndësishme për të gjithë, që të keni mundësi t’i shërbeni publikut, akademikëve, medias dhe institucioneve të tjera, sikurse jeni të autorizuar dhe pritet ta bëni.
Arkivi i dokumenteve të veprimtarisë së ish-Sigurimit te Shtetit është zanafilla e punës suaj, është tërësia e dokumentacionit që mundëson informacion, njohuri dhe prova për secilën çështje.
Kërkimi për të vërtetën, veçanërisht kur është e hidhur dhe e dhimbshme, është gjithmonë detyrë e vështirë. Kjo bëhet edhe më sfiduese, nëse kryerja e detyrës nënkupton “shkeljen në kallo të disave”, por nuk ka asnjë formë tjetër nëpërmjet së cilës drejtësia të vihet në vend, përveç përballjes me të vërtetën, e kjo mund të realizohet vetëm duke u bazuar në prova konkrete, hulumtim serioz dhe transparencë.
Arsyeja përse Suedia qëndron këtu sot, bashkë me ju, mbështetet në faktin që ne besojmë se drejtësia tranzitore shërben për të vënë drejtësinë në vend, për viktimat dhe familjet e tyre.
Ështe sepse besojmë se edukimi dhe të mësuarit, nëpërmjet kujtesës dhe ndërtimit të një sistemi të fortë, mbështet demokracinë dhe rezistencën kundrejt totalitarizmit dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Dhe ja ku jemi tani! Rikonstruksioni ka përfunduar, arkivi mund t’i ruajë dokumentet sipas standardeve të kërkuara, me të cilat të gjithë po punoni dhe çdo procedurë është kryer duke pasur ne mendje kujdesin ndaj mjedisit, njëkohësisht duke kursyer fonde në prokurime publike, duke garantuar kësisoj akoma më shumë fonde për projektin! Urime!
E dimë se hapi tjetër i madh, digjitalizimi i arkivit, ka nisur me procesin e prokurimit të zhvillimit të software-it. Po presim me padurim realizimin e këtij hapi të fundit, dhe besojmë se kontributi ynë tërësor, me rreth 1 milion euro, u ka dhënë qytetarëve të Shqipërisë dhe stafit të Autoritetit rezultate konkrete, sa i takon ndërtimit të themeleve te sigurta për punën e përditshme.
Së fundmi, Shqipëria, ka të shkuarën e saj historike, por nuk duhet të harrojmë se kjo e shkuar është pjesë e së shkuarës globale, njerëzimi ka një trashëgimi historike me të cilën duhet të përballet dhe të shërohet nga plagët e shkaktuara nga regjimet diktatoriale, po ashtu t’i kundërshtojë fuqishëm ato, për brezat e ardhshëm.
Prandaj, ajo që po bëjmë sot këtu ka rëndësi për të gjithë botën. Vendet e tjera kanë drejtuar sytë nga ne dhe mbase po mësojnë nga Shqipëria. Jemi krenarë që po ecim përkrah jush në këtë rrugëtim.
Më lejoni të falënderoj znj. Gentiana Sula, z. Vrioni dhe gjithë stafin e Autoritetit të përfshirë në projekt, për punën e palodhur, nivelin e admirueshëm të bashkëpunimit, përgjegjshmërisë, dialogut të mirë dhe përkushtimin e thellë të treguar përkundrejt projektit, që nga faza e projektimit e deri në përmbylljen e tij.
Ju urojmë sukses në misionin tuaj dhe presim ta zgjerojmë objektin e bashkëpunimit tonë në të ardhmen!