Ekspozohen për herë të parë produktet e AIDSSH dedikuar Revoltës së Spaçit
Tiranë, 20 Dhjetor 2024- Foto dhe ilustrime, dëshmi dhe botime, dokumentar dhe një faqe interneti me kryefjalën "Spaç", produkte që fuqizojnë kujtesën, u ekspozuan për herë të parë në Qendrën e Artit "Agimi" nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), me praninë e të mbijetuarëve, familjeve tē tyre, aktorë të kujtesës, partnerë etj.
AIDSSH ka prodhuar 6 produkte  mediatike, tekst dhe audiovizuale në funksion të njohjes dhe edukimit, me ngjarje që lidhen me kampin-burg tē Spaçit, revoltën e ish- të burgosurve politikë, dënimet e ashpra, keqtrajtimet, punën e detyruar të papaguar.
Në aktivitet u prezantua: Libri "50 vjet nga revolta në burgun e Spaçit" një përmbledhje dëshmish autentike. Faqja web Spac.al, e cila shërben si një arkiv interaktiv mbi historinë e revoltës. Libra metodike dhe edukativë për nxënës të ciklit të mesëm të ulët dhe të lartë: "Dielli lind në Spaç" dhe "Spaçi, historia e një revolte". Ekspozita me portrete dhe skica grafike, që sjellin në jetë kujtimet e ish-të dënuarve politikë dhe ngjarjen.
Dr. Gentiana Sula, Kryetare e AIDSSH, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive, ndriçimit të së kaluarës dhe shprehur mirënjohjen për të gjithë ata që kanë pasur guximin të përballen me padrejtësitë e regjimit dhe të rezistojnë në emër të lirisë dhe dinjitetit njerëzor.
"Fuqia e kujtesës tuaj është një pasuri e pazëvendësueshme për shoqërinë tonë. Duke ndarë përvojat dhe dëshmitë tuaja, ju keni hapur dyer për t'u përballur me traumat e së kaluarës, duke krijuar një mundësi për kurim dhe reflektim për të gjithe ne. Kjo na ndihmon jo vetëm në nderimin e atyre që humbën jetën, por gjithashtu që shoqëria jonë të mësojë nga e kaluara për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe njerëzore. Pavarësisht përpjekjeve për të shëruar plagët e historisë, rruga për të kuptuar dhe përmbushur borxhin financiar, moral dhe ligjor që Shqipëria ka ndaj jush, mbetet ende e gjatë.
Pavarësisht kësaj ju keni dhënë një leksion të jashtëzakonshem fisnikërie, faljeje dhe dashurie për jetën dhe njerëzit. Ky leksion na bën më të mirë dhe më të fortë si shoqëri. Sa më thellë e kuptojmë këtë mësim, aq me shumë do të kontribuojmë në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për të gjithë ne. Respekt dhe mirënjohje për ju!"
Më pas stafi i AIDSSH-së  prezantoi produktet e reja, duke ofruar detaje mbi punën pas këtyre botimeve dhe ekspozitave.
Ish-të dënuar politikë, të cilët përjetuan kampin-burg të Spaçit dhe revoltën historike, ndanë kujtimet e tyre me audiencën. Në vijim, u mbajt një minutë heshtje në nderim të Gëzim Çelës dhe Ylber Merdanit, ish-të dënuar politikë që kanë ndarë dëshmitë e tyre me AIDSSH, por nuk janë më mes nesh, ku u përcoll një mesazh prekës për jetën dhe përkushtimin e tyre në shërbim të kujtesës.
Eventi u mbyll me një vizitë të ekspozitave, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen nga afër me botimet, dokumentarin dhe portretet e krijuara nga Dorian Zanaliu dhe grafikat e AnilaZajmi-Katanollit, që pasurojnë librin për fëmije shkruar nga shkrimtarja Rovena Rrozhani, ndërtuar mbi dokumenteve arkivore dhe dëshmitë e AIDSSH.