Tiranë, 11 dhjetor 2019 – Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Institutin e Integrimit të Ish-të Përndjekurve Politikë dhe ICMP (Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur) zhvilluan ceremoninë e hapjes së ekspozitës mbi të zhdukurit në diktaturë “E shkuara e pakryer”, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.
Ekspozita u mbështet nga Fondacioni Konrad Adenauer, mbi të dhëna dhe materiale arkivore të AIDSSH e vetë familjeve, raportime të të zhdukurve dhe vendvarrimeve pranë AIDSSH, IIPP e ICMP, dhe intervista me familjarët.
Në praninë e përfaqësuesve të Kuvendit, institucioneve publike qendrore dhe vendore, Prokurorit të Përgjithshëm z. Olsian Çela, organeve të drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme, trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare, shoqatave të të drejtave të njeriut dhe të përndjekurve politikë, përfaqësuesve të universiteteve, institucioneve homologe dhe kërkimore në vend, familjarëve dhe të mbijetuarve, AIDSSH trajtoi kauzën për gjetjen dhe rikthimin e dinjitetit njerëzor të rreth 6000 të zhdukurve në diktaturë, ende të pagjetur, në vendvarrime të panjohura për familjarët e tyre.
Lista me emrat e të zhdukurve të raportuar pranë institucioneve AIDSSH, ICMP e IIPP dhe harta e vendvarrimeve të raportuara/pretenduara që u prezantuan në ekspozitë, plotësoi profilet e të zhdukurve të njohur e të panjohur, nga të miturit, te mjekët, inxhinierët, gazetarët, mësuesit, bankierët deri te familje të tëra, intelektualë e klerikë, në të gjithë vendin.
“Kjo është një mundësi për t’i bërë bashkë familjet dhe institucionet, për të bashkërenduar punën mes aktorëve dhe avancuar çështjen e të zhdukurve, me hapa konkretë e të mirëmenduar”, u shpreh znj. Gentiana Sula. “Sfidat janë të mëdha, që te përmirësimi i kuadrit ligjor, që viktimave t’u garantohet e drejta e njohjes së të vërtetës për rrethanat e zhdukjes me forcë dhe e drejta për të kërkuar informacion, e drejta për drejtësi, deri te masat që duhet të ndërmarrë shteti për ta mundësuar drejtësinë,” tha kryetarja e Autoritetit.
Zoti Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve shprehu angazhimin e Kuvendit të Shqipërisë për të ndërmarrë nisma konkrete në përmirësimet ligjore për identifikimin e vendvarrimeve dhe gjetjen e të zhdukurve.
I pranishëm në ceremoni, kryebashkiaku i Tiranës, z. Erion Veliaj, mori përsipër kthimin në vende kujtese të vendvarrimeve masive të të ekzekutuarve ende të pagjetur në zonën e Tiranës, duke nisur nga ai i Mënikut, deri te vendosja e një memoriali në kryeqytet, për të nderuar viktimat e diktaturës.
“Fëmijët që humbën jetën në Tepelenë dhe që akoma sot rezultojnë të zhdukur, po ashtu përpjekjet e familjarëve të tyre për t’i gjetur dhe për t’u mundësuar një varrim të denjë e njerëzor, kërkesat e përsëritura për vullnet shtetëror e institucional për të mos i harruar janë arsyet që çuan në këtë bashkëpunim me Autoritetin e Dosjeve, për të hedhur dritë në të kaluarën dhe për t’i afruar familjet me institucionet”, u shpreh z. Tobias Ruttershoff, drejtues i Fondacionit Konrad Adenauer për Shqipërinë, mbështetës i projektit.
Familjarë të viktimave të zhdukur, z. Nikolin Kurti dhe z. Hamza Kazazi, shembuj të rrallë të përpjekjeve për gjetjen e të afërmve, -priftit të martirizuar, i Lumi Dom Shtjefën Kurti dhe shtatë të ekzekutuarve të zhdukur të familjes Kazazi – sollën përvojat e tyre të kërkimeve shumëvjeçare, sfidat me institucionet dhe përsëritën kërkesën për gjetjen dhe zhvarrimin e familjarëve në vendndodhjet e raportuara, duke ushtruar të drejtën njerëzore për t’i varrosur të afërmit e tyre.
Në vijim, z. Bilal Kola renditi përpjekjet dhe vështirësitë e IIPP në identifikimin e vendvarrimeve dhe koordinimin me AIDSSH e ICMP për informacionin e njësuar për të zhdukurit.
1. Luigj Ndou, përfaqësues i ICMP për Shqipërinë, e vuri theksin në nevojën për masa konkrete të institucioneve, duke filluar nga prokuroritë e qyteteve ku janë raportuar vendekzekutime apo vendvarrime, te bashkërendimi i veprimeve në arkiva, hapa ligjorë dhe ekspertizë.
Përfaqësuesi i Kombeve të Bashkuara të Zhdukjeve me Forcë, z. Bernard Duhaime, i ardhur në Shqipëri posaçërisht për këtë aktivitet, përmendi përgjegjësitë e shoqërisë shqiptare për të shkuarën dhe të sotmen e saj, në zbatim në Konventës së OKB, të ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, për të koordinuar veprimet për evidentimin dhe kërkimin e personave të zhdukur, të pushkatuar me ose pa gjyq, ose të vdekur gjatë hetuesisë në regjimin komunist, për të mbrojtur të drejtat e anëtarëve të familjeve të personave të zhdukur, veçanërisht duke siguruar që vendndodhja e të zhdukurve dhe rrethanat e zhdukjes së tyre të hetohen në mënyrë efektive.
Në mbyllje të aktivitetit, aktori Mirush Kabashi solli rastin e dajës së vet të zhdukur, dhimbjen familjare shumëvjeçare, dhe interpretoi vargje të shkruara nga një i burgosur politik, me shpresën te liria e shumëpritur.
Për ekspozitën “E shkuara e pakryer” AIDSSH bashkëpunoi me gazetaren Fatmira Nikolli, për intervistat, tekstet dhe kontaktet me familjarët, në përpjekje për të ndërgjegjësuar për nevojën për përgjigje të familjeve mbi fatin dhe vendndodhjen e personave të humbur, si e drejtë për të ditur dhe e drejtë për të vërtetën