Ekspozita “Mbikëqyr! Terrorizo! Përndiq!”
STASI, policia sekrete e ish-Republikës Demokratike Gjermane (DDR)
Tiranë, 22 tetor 2018 – Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer sjell në Shqipëri një ekspozitë të rrallë të veprimtarisë së STASI-t në Gjermaninë Lindore, mundësuar nga Autoriteti Gjerman i Hapjes së Dosjeve, BStU. Ekspozita titullohet “Mbikëqyr, terrorizo, përndiq” dhe hap siparin e aktiviteteve të Ditëve të Kujtesës. Veprimtaria është e hapur për mediat.
Materialet e ekspozitës janë organizuar në tematika, të përkthyera në shqip. Ata i informojnë të interesuarit për strategjitë e survejimit dhe përndjekjes në Gjermaninë Lindore.
“Shokë, duhet të dimë gjithçka”, ishte motoja që Ministri i Sigurimit të Shtetit, Erih Milke u jepte punonjësve të tij. “Me këto informacione duhet të zbuloni dhe të bëni të padëmshëm “armiqtë“ e Partisë së Bashkuar Socialiste Gjermane, për të siguruar pushtetin e saj në DDR”.
Për të përmbushur këtë mision, Ministria e Sigurimit të Shtetit (MfS) kishte kompetenca të zgjeruara: ajo ishte në të njëjtën kohë policia e fshehtë shtetërore, hetuesi dhe shërbimi i zbulimit të jashtëm. Në vitin 1989 STASI kishte rreth 91.000 punonjës, që ndihmoheshin prej rreth 189.000 bashkëpunëtorëve, të cilët jepnin informacione nga të gjitha fushat e jetës.
Ekspozita përmban të dhëna themelore mbi aktivitetin e MfS-së. E bazuar mbi pesë tematika: rinia, udhëtimet, kultura, kisha dhe sporti – ajo tregon se si STASI e mbikëqyrte dhe kontrollonte jetën e përditshme të popullsisë. Fate individësh të përzgjedhur qartësojnë se çfarë do të thoshte për njerëzit e prekur „përpunim“ nga STASI, përmes prezantimit të çështjeve specifike operative.
Z. Marenglen Kasmi, anëtar i Autoritetit, shprehet se “nëpërmjet kësaj ekspozite synojmë jo vetëm të hedhim dritë mbi veprimtarinë e STASI-t, por të tregojmë edhe ngjashmëritë e STASI-t me Sigurimin e Shtetit”. Ai i referohet përvojës gjermane si model ballafaqimi të një shoqërie demokratike me të kaluarën diktatoriale të vendit.
***
Autoriteti e mbështet punën e vet dhe vijimësinë e projekteve të ndërmarra në parimet e rëndësishme të kujtesës, që e vënë memorien historike në themel të identitetit dhe trashëgimisë së individëve e bashkësive, si paraqitja e këndvështrimeve të ndryshme; evitimi i shprehjeve deterministe: shmangia e përgjithësimeve; trajtimi i figurave historike si individë; sigurimi i një baze gjenuine historike; përdorimi i njohurive të nivelit akademik si burime, ku çdo përmbajtje duhet të ballafaqohet e të diskutohet me akademikë të njohur dhe certifikuar për njohuritë specifike e të duhura për këtë punë.
Mbështetur në këto parime, në kërkimin shkencor dhe përballjen profesionale të fakteve, Autoriteti vijon të ndërmarrë projekte ambicioze e komplekse, që kanë në fokus rishqyrtimin e historisë, rivlerësimin e saj, rehabilitimin e viktimave, rezistencën në personalitete e komunitete dhe inkurajojnë dialogun social, në emër të transparencës dhe konsolidimit të demokracisë