Dinjiteti përballë totalitarizmit, Tepelenë

Identifikohen vendvarrime të reja pranë ish-kampit të internimit në Tepelenë

Tepelenë, 23 gusht 2019 – Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë e Tepelenës, Institutin për Integrimin e të Përndjekurve, Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë, të mbijetuar dhe shoqëri civile aktive nderoi sot, në Ditën Europiane të Viktimave të Regjimeve Totalitare dhe në kuadër të 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve vuajtjen e të pafajshmëve të internuar në kampin me tela me gjemba të Tepelenës, në vitet 1949-1953.

Ish-të internuar dhe trashëgimtarë të tyre, të ardhur nga i gjithë vendi dhe jashtë tij, u takuan në territorin e ish-kampit të internimit, në një ceremoni përkujtimore ku u nderua sakrifica dhe dinjiteti njerëzor i mijëra grave, fëmijëve dhe të moshuarve që e shkuan jetën në kazermat e Tepelenës.

Mes të ardhurve në kamp nga i gjithë vendi në këtë pelegrinazh të dhimbjes, kishte nga ata që riktheheshin për herë të parë, pas kohës së errët kur u dënuan pa shkak, si Marte Nikolli, nga Spaçi, e internuar në Tepelenë në moshën 10-vjeçare, me gratë e familjes. Të pranishmit folën me radhë për përballjen e vështirë me kampin, një pjesë e tyre të mbijetuar, një pjesë trashëgimtarë që në Tepelenë ngrenë zërin për amanetet e prindërve të tyre për të zhdukurit pa gjurmë.

Pas fjalëve të rastit, të mbajtura nga sekretari i përgjithshëm i Autoritetit, z. Skënder Vrioni, kryetari i SHAPP, z. Nebil Çika, ish-i burgosuri politik Uran Kostreci, të mbijetuar e përfaqësues të komunitetit fetar e akademik, grupi u drejtua për në një vendvarrim të raportuar nga banorët e zonës, ku janë zbuluar eshtra fëmijësh, pranë rrjedhës së lumit Vjosë. Identifikimi i varreve masive të fëmijëve dhe të atyre që humbën jetën në Tepelenë është hapi i parë për rehabilitimin e të zhdukurve e familjeve të tyre, që vazhdojnë të shpresojnë në gjetjen dhe trajtimin njerëzor të viktimave pa faj të kampit.

Në vijim, ish-të internuar dhe trashëgimtarë të tyre, të ftuar të ardhur nga i gjithë vendi u drejtuan në Pallatin e Kulturës së qytetit, ku u shfaq filmi “Azizi”, i gazetares Luljeta Progni, i realizuar me mjeshtëri mbi dëshmitë e të mbijetuarve të kampit. Një bashkëbisedim i gjallë mbi të shkuarën, pasojat e saj në të sotmen, vuajtjen dhe nevojën për drejtësi të të dënuarve politikë në diktaturë, mes dëshmitarëve okularë të ngjarjeve, krimeve e historive personale apo kolektive, mbylli një ditë të gjatë përkujtimi, me synim kthimin në vend kujtese të kampit të internimit në Tepelenë, i cili spikat për disa arsye:

– Ky kamp mbart qindra histori të dhimbshme njerëzore. Për shkak të situatës ekstreme të jetës, ai është përmendur në mënyrë të posaçme nga qeveria amerikane në vitin 1955, si pjesë e ankesës së saj në Kombet e Bashkuara për shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe për përdorimin e punës së detyruar si ndëshkim.

– Ai pasqyron më së miri tipologjinë e kampeve të rrethuara me tela me gjemba, të cilat nuk kanë qenë fenomen i përhapur në Lindjen Komuniste dhe mund të krahasohen vetëm me gulagët sovjetikë.

– Ndërsa për kampe të tjera të tilla, si ai i Beratit, Krujës, Valiasit, Cërrikut, Shijakut, Porto–Palermos, Kuçovës, Kuçit të Vlorës, etj., nuk kanë mbetur objekte kujtese, për Kampin e Tepelenës këto ekzistojnë. Disa nga kazermat e kampit të Tepelenës ruhen ende. Për më tepër, skicat e Lekë Pervizit, i mbijetuar, japin dëshmi për t’i rindërtuar kabinat ku strehoheshin të internuarit.

***

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit është përgjegjës për zbatimin e ligjit, lidhur me mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, bazuar në ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

Për të ndjekur veprimtarinë e Autoritetit, ndiqni faqen tonë www.autoritetidosjeve.gov.al ose në Facebook, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944-1991, AIDSSH, ku mund të merret informacion për veprimtaritë e zhvilluara dhe ato të pritshme.

AIDSSH mbetet i hapur për propozime dhe bashkëpunime, me qëllim fuqizimin e dialogut dhe edukimin qytetar.