Dialogu me vendimarrjen lokale: Jo më tituj nderi për figurat e diktaturës.

Tiranë 21 shkurt 2025

Ankesa e një grupi qytetarësh, drejtuar Bashkisë X, në lidhje me një shtetas me të kaluar të dyshimtë, nderuar nga Këshilli Bashkiak në emërtimin e një rruge vuri në lëvizje Autoritetin e Dosjeve për të verifikuar faktet e dyshuara. 

"I nderuari" ishte një gjyqtar që kishte firmosur dënimin me vdekje të 27 qytetarëve.Verifikimet bazuar në ligjin nr. 45/2015, treguan se “X” kish shërbyer si ndihmës gjyqtar, gjyqtar dhe hetues në Gjykatën Ushtarake gjatë viteve 1945-1953. Ai ishte i përfshirë në 238 dosje me 395 të akuzuar politikisht. Trupa gjykuese ku ai bënte pjesë dha 27 dënime me vdekje (nga këto 16 të ekzekutuara pas rekursit), burgime të përjetshme, dënime me 20 apo 10 vjet, heqje të të drejtave civile dhe konfiskime pasurie. 

Kështu, emërtimi i rrugës me emrin e tij është vënë në pikëpyetje për shkak të historikut të tij të lidhur me represionin e diktaturës.

Në kuadër të Ditëve të Kujtesës, sot, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) zhvilloi dialogun me përfaqësues të pushtetit vendor në tre drejtime:

Ndërgjegjësimin e bashkive në zbatim të ligjit për verifikimin e figurës së kandidatëve për dekorata, tituj nderi, emërtimin e rrugëve dhe hapësirave publike.

Ndërtimin e mekanizmave në trajtimin e vendvarrimeve të dyshuara të ekzekutimeve, varreve të pashënjuara dhe vendeve të kujtesës.

Si dhe bashkëpunimin me institucionet arsimore, bibliotekat dhe muzetë lokalë, për të nxitur edukimin dhe ndërgjegjësimin mbi të kaluarën.

Kryetarja e Autoritetit, znj.Gentiana Sula tha se : “Debati mbi modelet fisnike të shoqërisë bëhet përherë edhe më aktual. Ne mendojnë se modeli fisnik i qytetarit është ai që i shërben komunitetit në plotësimin e nevojave, përmes sakrificës dhe përkushtimit.

A mund të jetë model fisnik i shoqërisë kush dëmton të tjerët, në emër të pushtetit dhe privilegjeve të veta?. Ne shpresojmë që në kërkim të modeleve të shoqërisë, çdo entitet që lëshon medalje, nderime, emra rrugësh dhe shkollash, të jetë i informuar në vendimet për këto nderime, sepse kjo do të ndikojë në modelet frymëzuese që zgjedh shoqëria jonë sot e në vijim. Në aspektin njerëzor, këto nderime nuk duhet të rizgjojnë dhembjet apo dasitë e vjetra. Njohja e autoriteteve lokale me instrumente ligjore që tashmë BE dhe shteti shqiptar ka adoptuar si dhe krijimin e një mekanizmi të përbashkët për të identifikuar dhe korrigjuar emërtimet problematike mbetet synimi i këtij dialogu. Është detyre e vendimarrjes lokale të jetë më transparente dhe në përputhje me drejtësinë historike, duke shmangur rastet flagrante si nderimi i një gjyqtari që ka dënuar me vdekje 27 të pafajshëm. I takon pushtetit vendor të largohet nga modeli i thashethemeve apo anashkalimit të fakteve, që të njihet e të hulumtoje me kujdes rolin e secilit, tashmë të informuar dhe të krijojë kushte që këshillat bashkiake të marrin vendime sa me të vlefshme për komunitetin e tyre.

Sot ka një numër në rritje të bashkive (19) që bashkëpunojnë me AIDSSH për të verifikuar kandidatët për nderime e medalje. Po përsëri ky numër nuk është i plotë. Ndaj ky dialog i hap rrugë forcimit të rolit të pushtetit vendor në proceset e transparencës dhe kujtesës historike, duke kontribuar në ndriçimin e së kaluarës dhe respektimin e dinjitetit të viktimave të regjimit të shkuar."

Ermal Elezi, Drejtor i Agjencisë së Mbështetjes së Vetëqeverisjes Vendore, përshëndeti iniciativën dhe tha se: “Bashkitë kanë nevojë për mbështetje për të vepruar me transparencë në drejtim të verikimit të figura që nderojnë qytetin dhe komunitetin.”

Liliana Çoçoli, Drejtore e Drejtorisë së Verifikimit të Figurave, tha se: “Rastet e hasuara gjatë punës sonë tregojnë se verifikimi është çelësi për të shmangur gabimet. Gjatë 2022-2024, AIDSSH ka bashkëpunuar me 61 bashki, ku 26% e tyre (16 bashki në 2024) kanë kërkuar verifikime. Nga 157 kandidatë të kontrolluar, 24 rezultuan të implikuar me ish-Sigurimin e Shtetit, duke nxjerrë në pah mangësi në proceset aktuale. Dialogu i sotëm hedh bazat për një proces më të rregullt dhe të drejtë, në zbatim të ligjit për procedura më të qarta dhe efektive në verifikimin e figurave të propozuara për nderime publike.”

Albert Mëlyshi, Kryetar i Bashkisë Mirditë, tha: “Bashkëpunimi me AIDSSH-në na ndihmon të respektojmë viktimat dhe mbështesim fort Autoritetin në nismën për rikuperimin e të zhdukurve në komunizëm. Ikën 34 vjet pa gjetur të zhdukurit tanë. Mbështes Autoritetin dhe në shenjë detyrimi ligjor, por edhe borxhi shpirtëror e moral, do bëjmë të pamundurën t'i rikthejmë dinjitetin familjeve që ende nuk kanë një varr për të afërmit e tyre."

Brunilda Çërraga, drejtuese e programi të edukimit qytetar, tha se: “Bashkëpunimi me pushtetin lokal në drejtim të zhvillimit edukimit qytetar mbi të kaluarën është i domosdoshëm, lidhja me komunitetit dhe shkollën, si dhe trasmentimi i historive që shënuan viktima gjatë komunizmit janë e vetmja mundësi për të mos harruar dhe dialoguar me të shkuarën. Në partneritet me pushtetin vendor po vijojmë realizimin e klubeve të librit, aktiviteteve përkujtimore dhe kthimit të vendeve historike në pika kujtese.”

Nertila Seitaj, Drejtore e Drejtorisë së Procesit të Rikuperimit të Trupave të Zhdukurëve në diktaturë, çmoi nevojën e bashkëpunimin me pushtetin lokal :"Vendvarrimet e dyshuara janë dëmtuar ose mbuluar nga ndërtimet, bujqësia dhe projektet infrastrukturore për shkak të mungesës së masave mbrojtëse nga institucionet. Ndërhyrjet e paligjshme dhe neglizhenca rrezikojnë humbjen e pakthyeshme të këtyre gjurmëve historike. Identifikimi dhe shënjimi i këtyre vendeve me tabela është urgjent për të parandaluar zhdukjen e tyre. Çdo varr ende i dyshuar meriton një emër dhe mbështetja e pushtetit lokal në drejtim të trajtimit të vendvarrimeve të dyshuara, varreve të pashënjuara dhe vendeve të kujtesës është thelbësor.”

Nën moderimin e Sofi Noti, Sekretare e Përgjithshme e Autoritetit sesioni i diskutimeve solli propozime praktike si dhe përforcoi detyrimet e bashkëpunimit dypalësh me një rëndësi të madhe për shoqërinë shqiptare. Të pranishmit u njohën edhe me arkivin dhe ekspozitat informuese dhe edukuese.

******

Shkeljet e të drejtave të njeriut që janë kryer gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri kanë lënë plagë të thella në shoqërinë tonë që ndihen edhe sot. Viktimat dhe familjet e tyre bashkëjetojnë me autorët e këtyre plagëve dhe janë ende në kërkim të drejtësisë dhe të vërtetës. Nga ana tjetër, individë pjesëtarë të aparatit shtypës apo ata që nuk ndërhynë për t’i ndihmuar viktimat, sot nderohen me tituj nderi ose emri dhe kontributi i tyre vlerësohet me emërtime rrugësh. 

Shumë ish të përndjekur politikë, si persona të prekur drejtpërdrejt nga regjimi komunist apo edhe familjarë të tyre, kanë shprehur shqetësimin pranë institucioneve që mbrojnë të drejtat e njeriut, lidhur me përdorimin dhe emërtimin e rrugëve shesheve dhe hapësirave publikeme data dhe simbole që lidhen me personazhe që i përkasin të kaluarës shtypëse të regjimit komunist./L.Cocoli/