Ekspozitë dokumentare me materiale arkivore të zonës
Përmet, 13 dhjetor 2019 – Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Bashkinë Përmet dhe Shoqatën Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë zhvilloi takimin e parë të Dialogut për Diktaturën në qytetin e Përmetit.
AIDSSH ekspozoi materiale arkivore të zonës, regjistra përpunimi, libra evidence, dosje përpunimi, hetimore-gjyqësore, dosje drejtimi të zonave të ndryshme të Përmetit, etj., duke i dhënë mundësi komunitetit të njihet me to, dhe të aplikojë për informim individual e për qëllime studimore.
Bazuar në këto dokumente, u prezantuan tipologji të dosjeve të përndjekjes, duke ndërvepruar me të pranishmit, që ndanë edhe përvoja e përjetime personale.
Në praninë e përfaqësuesve të institucioneve publike dhe universitetit të Gjirokastrës, familjarëve dhe të mbijetuarve, të rinjve, shoqatave të të drejtave të njeriut dhe të përndjekurve politikë, u theksua nevoja për një narrativë të re të bazuar në kërkim shkencor, punë studimore dhe në terren, me mbledhje të dëshmive gojore, identifikim të vendeve të kujtesës dhe nderim të figurave e personaliteteve të zonës, nismë e mbështetur nga Bashkia Përmet.
AIDSSH dhe Bashkia Përmet synojnë ta vijojnë bashkëpunimin për nxitjen e dialogut lokal mbi të shkuarën, në funksion të edukimit qytetar dhe konsolidimit të demokracisë